Ekonomia

Investitorët e huaj: Si pengohemi nga Reforma në Drejtësi, titujt e pronësisë dhe burimet njerëzore

Sipërmarrësit e huaj që punojnë në Shqipëri kërkojnë që vendi të shkojë përtej asaj çka ofron sot për sot. Përmasat e një tregu të vogël nuk e favorizojnë, ndaj rajoni duhet të veprojë si një i tërë. Reforma në Drejtësi, titujt e pronësisë dhe burimet njerëzore janë problemet kryesore të biznesit

Investitorët e huaj janë në një mendje kur vlerësojnë progresin që ka bërë Shqipëria që nga koha kur ata vendosën të ngrinin bizneset e tyre. Gjykojnë se vendi nuk duhet të bëjë hapa pas dhe të ndjekë zhvillimet që po dikton epoka e globalizmit, ku ‘peshku i madh e ha të voglin’.
Në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) me përfaqësues të bizneseve të huaja, të përbashkëta, drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare e akademikë u diskutua në lidhje me ecurinë e pritshme të ekonomisë, si dhe problemet kryesore.
Për investitorët, ekonomia duhet të ndryshojë kurs, model e qasje. Arsimit dhe shëndetësisë do të duhet t’u kushtohet më shumë vëmendje, duke qenë se ndikojnë drejtpërdrejt në standardin e jetës dhe si rrjedhim, edhe në ekonomi në tërësi.
Për presidentin e FIAA-s, Silvio Pedrazzi, zbatimi i Reformës në
Drejtësi dhe lufta kundër informalitetit janë baza për ecurinë e vendit, por edhe për të rritur besimin e investitorëve qofshin të huaj apo vendas apo për ata të cilët do të duhet të vijnë.
Burimet njerëzore të patrajnuara janë një tjetër shqetësim për sipërmarrësit. “Është shumë e vështirë që të gjesh njerëz të kualifikuar që të dinë të bëjnë algoritme, të bëjnë analiza financiare. Ky është shqetësim veçanërisht në sektorin bankar”, tha z. Pedrazzi.
Sipas tij, nuk ka asnjë dyshim që një nga avantazhet konkurruese më të mëdha që ka vendi është kostoja e ulët e krahut të punës.
“Kjo është edhe arsyeja se përse në Shqipëri pati një zhvillim të vrullshëm të industrisë fason apo call center. Por, kjo nuk mund të vazhdojë përjetësisht. Duhet të kalohet në biznese me vlerë të shtuar e një shembull i tillë janë këpucët”.
Diana Leka, kryetare e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve gjithashtu sugjeron se ku duhet të orientohen investimet dhe sheh si me më shumë potencial shërbimet. “Investitorët mund t’i hedhin sytë drejt sektorit të shërbimeve, duke shfrytëzuar aftësitë e burimeve njerëzore që ka Shqipëria, siç janë njohuritë, por edhe zotërimi i gjuhëve të huaja. Së shpejti ne do të organizojmë tryezë diskutimi për të parë potencialet e zhvillimit të shërbimeve dixhitale të teknologjisë së informacionit, siç është BPO-ja e që mund të shërbejnë për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe shtimin e vendeve të punës.
Burimet natyrore mund të jenë gjithashtu një sektor me interes duke qenë se kanë potencial”, tha znj. Leka.
Sipas saj, biznesi me të drejtë kërkon të dijë se çfarë do të bëhet në të ardhmen se ku do të shkojë ekonomia dhe çfarë garancish ka. Por, përmirësimi i sistemit gjyqësor, si një nga ngërçet kryesore, do të dojë kohën e tij që të japë efekte. Ndërkohë do të duhet të shfrytëzohen më shumë avantazhet gjeografike të vendit, siç është aksesi ndaj porteve, por edhe klima e favorshme e të bërit biznes, politikat fiskale.
Ekonomisë së vendit pritet t’i japë një shtysë të madhe një nga investimet më të mëdha të ndërmarra në dy dekadat e fundit, që është Projekti Trans Adriatic Pipeline. Për investitorët e huaj, pjesë të FIAA-s, ky është një projekt, i cili përveç ekonomisë do t’i shërbejë sektorit privat si shembull për zbatimin e standardeve, si në siguri, në ushtrimin e përgjegjësive sociale, por edhe në mënyrën sesi po angazhon kompanitë lokale. Gjatë fjalës së tij në tryezën e rrumbullakët, menaxheri për Shqipërinë i TAP, z. Shkëlqim Bozgo tha se, një nga avantazhet më të mëdha për territorin shqiptar mbetet padyshim modernizimi i zonave nga ku do të kalojë tubacioni i gazsjellësit. Përmes rehabilitimit të rrugëve dhe urave po përmirësohet infrastruktura, si dhe po shkurtohet koha për të qarkulluar në zona të tilla si Çorovoda, Vithkuqi, etj., që shpesh për kohë të gjata, izolohen nga dëbora. Sipas z. Bozgo, në fund të vitit 2016, TAP përfundoi fazën e parë të përmirësimit të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, ku u rehabilituan rreth 58 km rrugë ndihmëse, përfundoi ndërtimi i dy urave të reja dhe u përmirësuan strukturat e 40 urave të tjera. Punimet zgjatën një vit e gjysmë dhe u kryen nga një sipërmarrje e përbashkët e përbërë nga kompania shqiptare Gener 2 dhe Sicilsaldo. Edhe në fazën e dytë do të angazhohet si një nënkontraktor një kompani shqiptare, Albstar. Sipas z. Bozgo, TAP ka si prioritet angazhimin e sa më shumë sipërmarrjeve shqiptare në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe indirekte, si dhe në shtimin e vendeve të punës. Më shumë se 600 punëtorë u përfshinë në këtë proces dhe më shumë se 89% e tyre ishin shqiptarë. Numri i punonjësve pritet të rritet deri në 1,800 persona.
Gjithashtu, infrastruktura e përmirësuar rrugore do të ndihmojë në zhvillimin e komuniteteve vendore dhe bizneseve përreth në Qarkun e Korçës, Beratit dhe Fierit. Parashikohet që rreth 200,000 persona të përfitojnë.
Periudha 2017 – 2018 do të jetë më e angazhuara e TAP sa i përket procesit të ndërtimit.
Por, si një investim i huaj (1.5 miliardë euro në total) edhe drejtuesit e tij janë ndeshur me jo pak sfida në Shqipëri. Më i vështiri ka qenë padyshim aksesi ndaj tokës, e cila ka qenë e fragmentarizuar dhe shpesh me pronësi jo të përcaktuar qartësisht. Marrja e lejeve ka qenë një tjetër sfidë jo e vogël, por që është kapërcyer edhe në bashkëpunimin me autoritetet shqiptare. Mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara është parë si një pengesë, por që sipas z. Bozgo është kapërcyer, duke qenë se punonjësit janë trajnuar dhe inxhinierët e mekanikët po njihen me standardet e larta europiane.
Edhe z. Andreas Galatoulas, Ceo i University of New York në Tiranë, ngriti çështjen e përgatitjes së studentëve sipas nevojave të tregut. “Ne i konsiderojmë institucionet tona, si një urë mes botës akademike dhe biznesit për të gjeneruar koncepte dhe ide që ndihmojnë sipërmarrjen. Ne kemi nevojë të kuptojmë nevojat e biznesit për të përgatitur studentë, të cilët do të shërbejnë si burime njerëzore për kompanitë shqiptare”, tha ai.
Sipas akademikëve, qeveritë përmes politikave, kanë synuar zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe përmirësimin e kushteve të të bërit biznes. Sot, thanë ata, po bëhet shumë e vështirë që të zbatohen politika efikase për shkak të konkurrencës në rritje në shkallë rajonale e më gjerë.
Në këto kushte, roli i institucioneve të arsimit të lartë duhet të synojë mbylljen e hendekut midis asaj që ofron arsimi dhe nevojave reale që ka tregu i punës.

InvestitoretInvestitorët: Përcaktoni drejtimin…

Për ata të cilët po e shohin Shqipërinë si një vend ku mund të shtojnë kapitalet e tyre, por edhe për ata të cilët e kanë ndërmarrë këtë nismë, përmasat e tregut mbeten një çështje e rëndësishme. “Shqipëria është një treg i vogël, thotë një investitor italian i fushës së teknologjisë së informacionit, e cila veç vështirësive të brendshme përballet edhe me konkurrencën e fortë që vjen nga vendet e tjera të rajonit. “Ajo që po ndodh me shërbimin e call center nuk po e ndihmon aspak Shqipërinë, madje as Bashkimin Europian, pasi nuk është një politikë e drejtë dhe që nxit investimet e huaja”, tha një investitor italian.
“Është e vërtetë që Shqipëria është një treg i vogël, tha znj. Diana Leka e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve dhe ne nuk mund të bëjmë gjë për të ndryshuar përmasat, por mund të përdorim avantazhet”.
Sipas investitorëve, shteti shqiptar ka nevojë të ngutshme që të ketë një panoramë të qartë se ku synohet të shkohet.
“Drejtimi që do të duhet të zgjidhet duhet të jetë i qartë. Nuk ka rëndësi nëse do të shkohet drejt modelit të ekonomisë gjermane, italiane etj., por ajo se cila do të jetë”, thanë një pjesë e investitorëve. Sipas tyre, orientimi i saktë i ndihmon ata që të kristalizojnë planet e tyre të investimeve dhe t’i mbështesin ato me masa afatgjata për të siguruar ecuri të qëndrueshme.

Skenari i mundshëm

Në garën për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) sa i përket vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria pozicionohet pas Serbisë për nga volumi. Për drejtuesen e qendrës së kërkimeve në University of New York, znj. Ariana Çela, është e rëndësishme që për të përmirësuar pozitat e saj në tërheqjen e IHD-ve, duhet të orientohet nga një politikë lehtësuese taksash, nga rritja e tregut dhe nga kostot e transportit apo edhe të punës. Sipas saj, është i rëndësishëm edhe rregullimi i legjislacionit. Si kushte bazë për tërheqjen e investimeve, znj. Çela, nënvizon sigurinë ligjore, si dhe përcaktimin e titujve të pronësisë.
Ndërsa për drejtuesit e institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë, pavarësisht reformave që po ndërmerr qeveria për të përmirësuar klimën e investimeve, mjedisi i të bërit biznes vazhdon të përballet me mangësi që ndikojnë negativisht në investimet private. Të tilla janë: barra institucionale, burokracitë e tepërta; mungesa e disiplinës fiskale; e stimujve për investime; paqëndrueshmëria në ligjet fiskale dhe zbatimi i pabarabartë i ligjit.
Të gjitha këto ndikojnë tek investitorët, duke i bërë ata që të ndihen skeptikë dhe të hezitojnë në realizimin e investimeve të tyre.
Për presidentin e FIAA-s, Silvio Pedrazzi, ekonomia shqiptare ka nevojë për investime që mbështesin rritjen pozitive. “Ka kompani që po kërkojnë që të futen në tregun shqiptar dhe po e vëzhgojnë, por ato duan një mjedis të rregullt. E kjo nuk është e lehtë”.
Për investitorë të tjerë është e rëndësishme gjithashtu që Shqipëria të ndjekë zhvillimet që po ndodhin në botë, të jetë gjithnjë në përditësim sa i takon zhvillimit të teknologjive dhe atyre në fushën e informacionit, pasi kjo do të ndihmonte.
Nga ana tjetër, – thonë ata, – do të duhet të bashkëpunohet më shumë me vendet fqinje, të cilat gjithashtu janë të vogla. Nëse kjo arrihet, atëherë rajoni nuk do të mbetet i izoluar dhe mund të arrijë të tërheqë edhe investitorë, siç janë letë të themi ata gjermanë, të cilët janë skeptikë për t’iu afruar veç e veç vendeve të Ballkanit, duke qenë se i konsiderojnë të papërfillshme dhe pa ndikim.
“Në këtë skenar, thonë ata, roli i Shqipërisë duhet të jetë i qartë. Porti i Durrësit, në rastin më të mirë, duhet të shërbejë si porta hyrëse, me qëllim shfrytëzimin e avantazheve që të çojnë drejt reduktimit të kostove. Përmirësimi i infrastrukturës së transportit mbetet kusht i rëndësishëm.
Nga ana tjetër, thonë investitorët, është e rëndësishme që të njihen aftësitë dhe të ndërtohen ato sipas nevojave të tregut. “Nëse njihen aftësitë, atëherë është më e lehtë të orientosh politikat dhe të orientosh burimet njerëzore”, thanë sipërmarrës italianë që veprojnë në vend. Sipas tyre, fakti që Shqipëria ka stabilitet politik, ekonomik e social, ndryshe nga disa vende të tjera, si Maqedonia apo edhe Kosova, duhet të përbëjë avantazh dhe të shfrytëzohet për të rritur besimin e investitorëve.
Ndërsa drejtuesit e institucioneve financiare, ndërkombëtare, por edhe juristët, thanë se është i nevojshëm sigurimi i një kornize të qartë ligjore që është e parashikueshme, e qëndrueshme, që siguron mbrojtje të barabartë. Por, kjo mund të arrihet përmes zbatimit rigoroz të ligjit, një sistemi të besueshëm gjyqësor.
Veç kësaj, thanë ekspertët, shteti për të krijuar kushte për investime të huaja dhe të brendshme nga sektori privat duhet të orientojë drejt sektorëve që kanë rritje të lartë, të hartojë incentiva promovuese, të reduktojë kostot, të shmangë informalitetin, të sigurojë disiplinë fiskale, si dhe të inkurajojnë bankat që të japin hua për biznesin.
Në anën tjetër, edhe sipërmarrja duhet të vazhdojë të ruajë frymën e bashkëpunimit me institucionet shtetërore, për t’i ndihmuar në trajtimin e problemeve dhe në përmirësimin e mjedisit ekonomik.
Të gjitha palët ranë dakord sa i përket faktit se zgjedhjet e përgjithshme do të ndikojnë në ekonomi gjatë këtij viti, e po kështu do të duhet të mbahen në konsideratë edhe efektet që mund të vijnë nga jashtë.

Avantazhi

Ata thanë se në këtë skenar, roli i Shqipërisë duhet të jetë i qartë. Porti i Durrësit në rastin më të mirë duhet të shërbejë si porta hyrëse, me qëllim shfrytëzimin e avantazheve që të çojnë drejt reduktimit të kostove. Përmirësimi i infrastrukturës së transportit mbetet kusht i rëndësishëm.

Orientimi

Për të krijuar kushte për investime të huaja dhe të brendshme nga sektori privat, shteti duhet të orientojë drejt sektorëve që kanë rritje të lartë, të hartojë incentiva promovuese, të reduktojë kostot, të shmangë informalitetin, të sigurojë disiplinë fiskale, si dhe të inkurajojnë bankat që të japin hua për biznesin

Vlera e Shtuar

Një nga avantazhet konkurruese më të mëdha që ka vendi është kostoja e ulët e krahut të punës. Kjo është edhe arsyeja se përse në Shqipëri pati një zhvillim të vrullshëm të industrisë fason apo call center. Por, kjo nuk mund të vazhdojë përjetësisht. Duhet të kalohet në biznese me vlerë të shtuar e një shembull i tillë janë këpucët

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button