Irani është lufta e parë e rendit të ri botëror

Sulmi i SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit nuk ka të bëjë aspak me ndonjë kërcënim ekzistencial imediat që Irani paraqet për Izraelin. Irani nuk ka as armët bërthamore, as forcën ushtarake, as aleancat rajonale dhe as ekonominë e nevojshme, për tu përballur me një fuqi bërthamore dhe ushtarake siç është Izraeli. Pa llogaritur distancën gjeografike që ndan dy vendet.
Vendet e tjera të fuqishme në rajon si Arabia Saudite, Egjipti apo Emiratet Arabe janë shtete kliente të SHBA-ve dhe për pasojë nuk përbëjnë asnjë rrezik për Izraelin. Përkundrazi, ato ose janë armiq të betuar të Iranit, siç është rasti i Arabisë Saudite, ose janë aleat ekonomik apo strategjik të Izraelit, siç është rasti i Egjiptit apo i Emirateve të Bashkuara Arabe. Pra nuk ekziston përralla e Izraelit të rrethuar nga një det armiqësor arab apo islamik.
Natyrisht që Irani financon dhe mbështet grupe anti-izraelite si grupet shia në Irak, Hamasi në Gaza, Hezbollah në Liban apo Huti në Jemen. Janë grupe paramilitare apo guerrilase shpesh produkte të pushtimeve dhe ndërhyrjeve të SHBA-ve dhe Izraelit në këto vende.
Ama asnjë nga këto grupe nuk përbën rrezik ekzistencial për shtetin e Izraelit. Ato thjesht prodhojnë dhimbje koke për planet ekspansioniste të tij. Për të kuptuar këtë mjafton fakti që Hamasi u financua dhe u fuqizua në Gaza me nxitjen e vetë qeverisë Izraelite dhe Netanjahut, për të nxjerrë jashtë loje Autoritetin Palestinez. Ndaj idea se Hamas përbën një rrezik ekzistencial për Izraelin është absurde.
Natyrisht jo aq absurde sa idea se Irani përbën një rrezik ekzistencial për SHBA-të që justifikon një luftë frontale me të. Irani nuk ka as kapacitetin dhe as vullnetin për të sulmuar SHBA-të me armët bërthamore që nuk i ka. Ka plot marshime në Tehran ku protestuesit mallkojnë SHBA-të dhe bërtasin “Vdekje Amerikës!”. Ama deri më sot asnjë superfuqi nuk është rrëzuar me mallkime.
Ndaj ndërhyrja kundër Iranit nuk mund të kuptohet si pasojë e rrezikut ekzistencial që ai përbënte për SHBA-të apo Izraelin. Sidomos sot kur Irani ishte tejet i dobësuar ekonomikisht dhe politikisht pas sulmeve të qershorit 2025 nga Izraeli dhe SHBA-të dhe pas protestave masive në rrugë. Ndërkohë që grupet e armatosura në rajon që e mbështesin atë, si Hamasi apo Hezbollah, ishin goditur rëndë nga Izraeli.
Në fakt ishte pikërisht dobësia e Iranit ajo që e shtyu Izraelin të tërhiqte prej hunde SHBA-të për të filluar një luftë kundër tij. Në fjalët e diplomatëve amerikanë dhe izraelitë ata panë një dritare mundësie (a window of opportunity) dhe vepruan.
E thënë troç, e sulmuan Iranin sepse mund ta sulmonin Iranin. Kjo është në fakt edhe llogjika bazë e rendit të ri global që po promovon doktrina Trump. Ligji i më të fortit e ka zëvendësuar tërësisht ligjin ndërkombëtar. Lufta kundër Iranit është e para luftë e shekullit 21 që bëhet tërësisht sipas kësaj logjike force.
Pikërisht për këtë arsye as Trump dhe as Izraeli nuk janë lodhur të ndërtojnë ndonjë shpjegim apo justifikim koherent për këtë luftë. Idea se Irani përbënte një kërcënim bërthamor u braktis sapo u hodh në media, sepse vetë Trump pak muaj më parë kish deklaruar se kapaciteti nuklear i Iranit ish shkatërruar nga bombardimet e luftës 12 ditore në qershor të 2025.
Ndërkohë idea se ndërhyrja synonte demokratizimin e Iranit apo se justifikohej me brutalitetin e regjimit ndaj protestuesve të pafajëshëm iranianë as nuk u artikulua. Dhe me arësye sepse genocidi i Izraelit dhe Netanjahut në Gaza, që sot po vdes urie, e bën të skuqet edhe regjimin e Iranit. Ndaj idea se lufta u bë për të rrëzuar tiraninë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut as nuk u hodh në treg.
Të gjitha justifikimet e mësipërme, në fakt, janë krejt të panevojëshme në një rend botëror ku ligji dhe instituconet ndërkombëtare kanë vdekur dhe ku për pasojë ligjin e bën forca dhe jo parimet, normat apo institucionet ndërkombëtare. Këto të fundit rrallë kanë arritur ti ndalojnë luftërat, por shpesh kanë arritur të ngadalësojnë shpërthimin e tyre.
Mjafton të kujtojmë se përpara se të fillonte një luftë në Irak në vitin 2003 SHBA-të ndërmorrën një fushatë dy vjeçare për të bindur opnionin publik vendas dhe të huaj në lidhje me arsyet dhe legjitimitetin e luftës. Ata së pari bindën aleatët e tyre të ngushtë në Evropë duke krijuar një koalicion të gjerë anti-terror dhe më pas u paraqitën edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të argumentuar kërcënimin (e rremë) që Iraku përbënte për SHBA-të. Pra pati një përpjekje për ta legjitimuar luftën kundër Irakut brenda normave dhe institucioneve ndërkombëtare, edhe pse lufta në fund u bë pa miratimin e tyre.
Në këtë pikë kontrasti me luftën e Iranit është tronditës. SHBA-të jo vetëm nuk konsultuan por as nuk njoftuan aletatët e tyre më të afërt në BE dhe NATO. Jo vetëm që nuk u bë asnjë përpjekje për të bindur Këshillin e Sigurimit të OKB-së por nuk u ndërtua asnjë justifikim as për popullin amerikan që ende nuk e ka të qartë se përse po luftojnë në Iran. Administrata Trump nuk pati as skrupullin minimal që ta gënjente popullin e vet, siç bëri administrata Bush dje.
Në rendin e ri botëror që po ndërton administrata Trump legjitimimi vjen thjesht dhe vetëm nga forca dhe jo nga parimet, normat apo institucionet ndërkombëtare. Forca legjitimohet vetëm nëpërmej forcës dhe suksesit. Ndaj SHBA-të e Trump nuk ndjenë asnjë nevojë që të justifikojnë një agression të hapur ndaj një shteti sovran si Irani, apo vrasjen ose rrëmbimin e udhëheqësit të një shteti sovran.
Efektet e një rendi botëror që bazohet thjesht tek forca janë shkatërruese jo vetëm për paqen në botë, por mbi të gjitha për vetë demokracitë. Rënia e normave dhe parimeve demokratike në nivel ndërkombëtar i dobëson ato edhe në nivel lokal.
Demokracia në parim bazohet tek forca e arësyes dhe jo tek arsyeja e forcës. Në momentin që politika e jashtme e një vendi legjitimohet thjesht dhe vetëm me arësyen e forcës ajo degradon në shërbim të interesave të ngushta dhe jo të interest publik. Kjo për faktin e thjeshtë se interesi publik në demokraci ndërtohet nëpërmjet arësyes, normave dhe parimeve dhe jo nëpërmjet forcës.
Ndaj lufta në Iran shënon nënshtrimin përfundimtar të politikës së jashtëme të SHBA-ve në Lindjen e Mesme në funksion të interesave të ngushta të një shtetit të huaj, siç është Izraeli, dhe në dëm të interesit të kombit amerikan. Lufta në Iran nuk prodhon asnjë fitim ushtrak, ekonomik apo politik për SHBA-të, ashtu sikurse lufta në Irak dje.
I vetmi shtet që mund të dalë i fituar nga kjo luftë është Izraeli që si synim përfundimtar ka krijimin e hegjemonisë izraelite në Lindjen e Mesme, çka do i lejojë atij zgjerimin e kufinjëve për të krijuar eventualisht Izraelin e Madh. Për të arritur këtë qëllim Izraeli duhet të eleminojë Iranin, një nga fuqitë hegjemonike historike në rajon.
Natyrisht që Izraeli nuk mund ta arrijë këtë qëllim vetëm. Për këtë arësye prej dekadash ka përdorur SHBA-të. Duhet të kujtojmë që Iraku i Sadam Hyseinit dhe Siria e Asadit ishin armiq të përbetuar të Izraelit. Rrëzimi i tyre me ndihmën e SHBA-ve forcoi pozicionin e Izraelit në Lindjen e Mesme. Sot i ka ardhur rradha Iranit.
Në këtë pikë lexuesi mund të pyes i cuditur: si ka mundësi që një shtet i vogël prej rreth 10 milion banorësh të kontrollojë kaq fort politikën e jashtme të një gjigandi si SHBA-të? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje do duhej të shkruanim një tjetër artikull shumë më të gjatë se ky që fillon me teologjinë e krishtërimit evangjelik Zionist në SHBA, vazhdon me filozofinë neokonservadore që dominon politikën e jashtme amerikane dhe interesat e kompleksit industrial-militar në SHBA.
Për t’i rënë shkurt mjafton të themi që lobi Izraelit në Washington, AIPAC (American Israeli Public Affairs Committee) është një nga lobet më të fuqishme në SHBA që financon shumicën dërrmuese të kongresistëve dhe fushatat presidenciale, gjithnjë e më të kushtueshme. Ndërkohë që shumë prej mediave kryesore në SHBA, majtas dhe djathtas, si dhe platforma si TikTok janë në pronësi të bilionerëve sionistë. Jefry Epstein ishte një prej tyre.
Donald Trump nuk është as i pari dhe as i fundit president Amerikan nën kontrollin e këtyre interesave të fuqishme ekonomike, politike, mediatike dhe ushtarake. Ndryshe nga presidentët e tjerë para tij Trump vepron në një rend të ri botëror ku është bërë gjithnjë e më e panevojshme ta justifikosh përdorimin e forcës, si brenda edhe jashtë vendit. Ndaj ajo sot përdoret në mënyrë gjithnjë e më brutale, agresive dhe abuzive, siç po na tregon lufta në Iran.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment