Maqedonia

Ish deputeti ukrainas dhe pro-rus, pajiset me nënshtetësi të Maqedonisë së Veriut

Oleksandar Onishçenko, ish deputet ukrainas, biznesmen dhe sportist ka marrë shtetësi të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se vendi i tij e kërkon me fletarrest për korrupsion dhe se Shtetët e Bashkuara të Amerikës e kanë sanksionuar për ndikim rus në zgjedhjet presidenciale.

Në verën e vitit 2016, ndërsa ishte deputet i partisë së ish presidentit prorus Viktor Janukoviq në parlamentin ukrainas, Onishçenko u largua nga Ukraina pasi Prokuroria e Përgjithshme shprehu synimin për ta arrestuar për shkak të akuzave për korrupsion dhe pastrim parash në vlerë prej më shumë se 100 milion eurosh. Ai pas largimit ka jetuar në Gjermani dhe në Spanjë. Në janar të vitit 2021, Onishçenko, si anëtar i rrjetit të ndikimit rus, u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me ndërhyrjen e tij në zgjedhjet amerikane dhe shpërndarjen e regjistrimeve audio të montuara të bisedave midis gjoja ish-zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas me qëllim përhapjen e akuzave të rreme për korrupsion në Ukrainë.

Në vitin 2021, Onishçenko vjen në Shkup për të aplikuar për shtetësi mbi bazën e përfaqësimit të vendit në gara ndërkombëtare të sportit me kuaj. Agjencia për Rini dhe Sport jep vlerësim pozitiv dhe ai kalon filtrat e të gjithë institucioneve të tjera. Gjatë momentit të aplikimit besohet se ka pasur edhe shtetësi ruse. Qeveria ka miratuar marrjen e shtetësisë për të në maj të vitit 2022.

Lajmin fillimisht e bëri të ditur rrjeti hulumtues Prizma.mk kurse kanë reaguar partitë politike opozitare. Sipas Antonio Milloshoskit, Onishçenko nuk do ta promovojë sportin por do ta përdorë shtetësinë për t’i shpëtuar ekstradimit.

“Ky rast vetëm dëshmon se në Maqedoni ka dallim mes asaj që qeveria e thotë për vlera proevropiane dhe proatlantike dhe asaj që nënkupton pagesën në thonjëza “të pullës së shtrenjtë tatimore” të disa funksionarëve të qeverisë që të mund të marrin shtetësi maqedonase dhe t’i ikin përgjegjësisë ose ekstradimit në vendet ku për to ka fletëarrest. Vlerësojmë se Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Agjencia e Zbulimit nuk janë në nivelin e detyrës dhe pasaportat maqedonase shërbejnë për mbrojtjen e mafiozëve botëror”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Aleanca për Shqiptarët kërkon që qeveria të tërheqë shtetësinë për ukrainasin dhe të dorëhiqen drejtuesit e institucioneve që kanë qenë të përfshirë në marrjen e vendimit.

“Ky është një skandal i madh me pasoja ndërkombëtare, që minon drejtpërdrejt regjimin e sanksioneve të SHBA-së dhe politikën e jashtme të BE-së. Ky vendim dëmton gjithashtu rrugën tonë për anëtarësim në BE pasi që mesazhi është se Maqedonia e Veriut përdoret nga kriminelët e kërkuar nga shtetet tjera për të anashkaluar përpjekjet e aleatëve tanë për të izoluar oligarkët e Putinit në mes të agresionit rus ndaj Ukrainës. Veç kësaj, përafrimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së nuk do të thotë asgjë nëse qeveria merr vendime të tillë që dëmtojnë drejtpërdrejt sanksionet e aleatëve tanë”, deklaroi Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët.

Të pyetur për sqarime, nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk u përgjigjën në pyetjet e Alsat.
Një kërkim i thjeshtë në internet, nxjerr dhjetëra lajme të mediave botërore të cilat informojnë për afërsinë e Onishçenkos me Rusinë si dhe për akuzat e vendit të tij Ukrainës, për keqpërdorime të mëdha të parave publike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button