Kronika

Ish-drejtori Çollaku mbetet në burg, sërish refuzon të flasë

Gjashtë nga të arrestuarit, të pajisur me certifikatë sigurie të nivelit më të lartë

DREJTORI-THESARIT06 (1)Gjykata e Tiranës vendosi masën arrest me burg për ish-drejtorin e Thesarit, Dorian Çollaku, i cili sërish nuk ka pranuar të flasë për prokurorët, madje të mos japë as shpjegime për lidhjet me Fullanin, ndërkohë që është thënë publikisht se ai është i martuar me mbesën e Guvernatorit.

Sipas vendimit të djeshëm të gjyqtares Fida Osmani, ish-drejtori i Degës së Thesarit, Dorian Çollaku, do të qëndrojë në paraburgim, së bashku me 9 të arrestuarit e tjerë. Çollaku ka pohuar sërish se nuk ka asgjë për të thënë për momentin dhe se e rezervon këtë të drejtë për në një çast tjetër. Madje, edhe kur është pyetur për lidhjet me Guvernatorin, ai nuk ka pranuar të japë asnjë sqarim, duke u shprehur se do të flasë avokati i tij në një kohë tjetër. Ai dyshohet nga prokurori i çështjes, Ramadan Troçi, se me veprimet e mosveprimet e tij ka shkaktuar vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë. Sipas prokurorisë, ai ishte njeriu që duhet të sugjeronte një rregullore, për sektorin ku ndodhi vjedhja, i cili rezulton të ketë funksionuar pa një të tillë për mbi një vit. “Ai është i dyshuar vetëm për shkak të pozicionit që ka në Bankën e Shtetit. Ne do të këmbëngulim në të gjitha shkallët e gjyqësorit, që ai të marrë pafajësinë dhe këtë e bazojmë te provat që do t’i vëmë në dispozicion të drejtësisë. Sa u përket provave deri tani, momentalisht nuk mund të japim prononcim”, shprehet Ramiz Billa, avokat.

Gjatë hetimeve paraprake, prokuroria hedh dritë me të dhëna të tjera, që me sa duket do të vënë në pikëpyetje edhe punën e disa institucioneve të tjera gjatë këtyre viteve, përfshi Shërbimin Informativ dhe Policinë e Shtetit. Gjashtë nga të arrestuarit, tre prej tyre punonjës në Arkën Stok dhe tre në Arkën në Veprim, janë të pajisur me certifikatë sigurie të nivelit më të lartë për sekretin shtetëror, që është certifikata e kategorisë “C”, e që lëshohet nga DSIK, pas verifikimeve që bëhen në bazë të dokumentacionit për kandidatin, që përpara se të marrë certifikatën e sigurisë duhet t’i konfirmohet pastërtia e tij penale, pasuria e tij dhe gjendja shëndetësore. Mes punonjësve që kanë marrë certifikatën e sigurisë së kategorisë “C” është edhe Ardian Bitraj, i pajisur me të që në vitin 2011, ndërkohë që nëse do të merret i mirëqenë rrëfimi i tij, atëherë del që nga viti 2010, kur dhe ka nisur supervjedhjen, ai po ashtu ka filluar të humbasë edhe shuma të konsiderueshme në lojërat e fatit. E ndërsa vijonte veprimtarinë e tij fare i qetë, gjatë kësaj kohe me sa duket, askush nuk e ka verifikuar atë, përderisa ai kishte në dispozicion jo vetëm të tre çelësat e sektorit të Transitit, por edhe një certifikatë që është ende në fuqi edhe për pak muaj. Të arrestuarit e tjerë që kanë të njëjtin dokument sigurie, thotë prokuroria, janë edhe personat e tjerë nën hetim për skandalin e vjedhjes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button