“Ish Këneta”, Rama: Do japim 1001 leje legalizimi, zona do bëhet model i zhvillimit urban
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot lejet e legalizimit në zonën e Ish Kënetës në Durrës. Gjatë fjalës së tij Rama theksoi se qeveria aktuale po jep në një vit punë dyfishin e lejeve të legalizimit krahasuar me qeverisjen e PD-së. Ai theksoi se kjo zonë që tashmë meriton të quhet Durrësi i Ri do bëhet model i zhvillimit urban dhe social.
“Jemi këtu për të çuar para një proces legalizimesh që për vite me radhe ka pasur shumë dyshime. Në 8 vjet qeverisja e PD dha 530 leje legalizimesh në këtë zonë. Në më pak se një vit punë konkrete të ALUIZNI-t në arrijmë të japim më shumë se dyfishin. Jemi këtu për të dorëzuar 1001 leje nga një proces ku deri tani janë kryer 60% e matjeve dhe e dokumentacionit të nevojshëm për ta çuar para procesin. Me këtë ritëm në 4 vitet e ardhshme ne do mund ta përmbyllim procesin e legalizimit në zonën e kënetës dhe gjithë ata që kanë ndërtuar do jenë pronar të ligjshëm të shtëpisë së tyre. Do gëzojnë të drejtën e fituar me vite të tëra mundi e sakrificash. Me kursime dhe para të vëna mënjanë për të ndërtuar shtëpinë pas shumë vitesh do bëhen zotërues të një titulli të ligjshëm pronësie”- u shpreh Rama.