Bota

Ish-zyrtari i CIA-s: Trump, një agjent i pavullnetshëm i Putinit

Një prej ish-zyrtarëve të lartë të CIA-s ka sulmuar këtë të premte Donald Trumpin, duke e cilësuar atë si një rrezik për sigurinë kombëtare, duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin e ka kthyer kandidatin republikan për Shtëpinë e Bardhë në një “agjent të pavullnetshëm” të Rusisë.

Putin është ndier i kënaqur nga Trump për shkak se ai mbështet disa pozicione favorizuese ndaj Rusisë, tha Michael Morell, një ish-oficer i CIA-s dhe ish-zv.drejtor i agjencisë, gjatë një opinioni të publikuar në “New York Times”.

“Në fushën e kundërzbulimit, ne do të thonim pa frikë se Putin e ka rekrutuar Trumpin si një agjent të pavullnetshëm të Federatës Ruse”, tha Morell në artikullin që më së shumti lavdëronte rivalen e Trumpit në zgjedhjet e 8 nëntorit, demokraten Hillary Clinton.

Morell nuk dha prova se ku e bazonte këtë vlerësim të tijin, por tha se Putin ka përdorur aftësitë e tij si një ish-oficer kundërzbulimi, për të evidentuar dhe shfrytëzuar dobësitë e një individi.

“Kjo është qartësisht ajo çfarë bëri ai gjatë primareve. Putin luajti me dobësitë e Trumpit duke e komplimentuar atë. Ndërsa Trump iu kundërpërgjigj ekzaktësisht ashtu siç e kishte përllogaritur Putini”, shkruan Morell.

Drejtues të fushatës së Trumpit kanë hedhur poshtë kritikat e Morell, duke e lidhur ish-oficerin e CIA-s me përgjigjen publike të administratës “Obama”, pas sulmeve të 12 shtatorit në Bengazi të Libisë.

“Vëreni sesa reporterë do të publikojnë sot në Twitter, faktin që Michael Morell gënjeu për Hillarynë e kërrusur, për të mbuluar ngjarjet e Bengazit”, shkroi dikush nga fushata e Trumpit në një postim në “Twitter”.

Incidenti libian, në të cilin mbetën të vdekur ambasadori dhe 3 shtetas të tjerë amerikanë, ndodhi gjatë kohës kur Clinton ishte Sekretare e Shtetit, ndërsa republikanët e kanë kritikuar prej kohësh mënyrën sesi ajo u përball me sulmet e asaj kohe dhe periudhën pas tyre.

Kritikët thonë se zyrtarë të administratës u përpoqën të hedhin poshtë rolin e militantëve islamikë në atë sulm. Morell miratoi disa prej temave kyçe të atij incidenti. Zyrtarët amerikanë thanë se, çdo referencë për pjesëmarrjen e militantëve u la mënjanë fillimisht për shkak të informacioneve të klasifikuara.

Morell punon aktualisht për “Beacon Global Strategies”, një firmë konsultimi që ka lidhje me demokratë të rëndësishëm të ekspertizës së sigurisë kombëtare, përfshi këtu edhe ish-Sekretarin e Mbrojtjes dhe drejtorin e CIA-s, Leon Panetta, si dhe ish-ndihmësin e Clintonit, Philippe Reines.

Ndërkohë, kandidati për zv.president nga radhët e republikanëve, guvernatori i Indianës Mike Pence, hodhi poshtë gjithashtu komentet e Morell gjatë kësaj të premteje, duke thënë se “qëndrimi ndaj agresionit rus do të jetë tepër i ndryshëm nën administratën Trump-Pence”.

“Këta njerëz po bëjnë thjesht lojëra politike”, tha Pence referuar deklaratave të Morell.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button