Izraeli dënon hetimin e OKB-së për luftën në Rripin e Gazës
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dënoi hetimin e OKB-së për luftën në Rripin e Gazës gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, theksoi sot Ministria izraelite e Punëve të Jashtme.
”Këshilli për të Drejtat e Njeriut në OKB, që duhej të kryente këtë hetim, nuk është përqendruar mbi Hamasin, që ka përdorur pajisjet e OKB-së për të qëlluar ndaj Izraelit”, i konfirmoi Netanyahu sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, me të cilin zhvilloi sot një takim në Nju Jork.
Izraeli, që akuzoi lëvizjen palestineze që kontrollon Rripin e Gazës për lëshimin e raketave prej shkollave të OKB-së në enklavën palestineze, bombardoi disa prej këtyre ndërtesave ku qëndronin të strehuar dhjetëra mijëra civilë gjatë 50 ditëve luftë. OKB-ja dhe komuniteti ndërkombëtar kanë dënuar këto bombardime izraelite.
”Akuza të pabarabarta”, ka replikuar Netanyahu duke theksuar se Izraeli nuk kishte shënjestruar në mënyrë të drejtpërdrejtë civilët, ndërkohë që dhjetëra civilë palestinezë u vranë gjatë sulmeve kundër shkollave të OKB-së.
Komisioni i hetimit mbi ofensivën izraelite në Rripin e Gazës, i treti në gjashtë vite, theksoi se do të shqyrtonte gjithashtu krimet e mundshme të kryera nga Hamasi gjatë kësaj lufte, që ka shkaktuar rreth 2 200 të vdekur nga pala palestineze, pjesa më e madhe civilë dhe më shumë se 70 nga pala izraelite, pothuajse të gjithë ushtarë. Komisioni i hetimit do të publikojë raportin në muajin mars 2015.
Ban Ki Moon theksoi në një komunikatë se i kishte bërë të ditur Netanyahut nevojën urgjente për të trajtuar shkaqet indirekte të krizës, veçanërisht për heqjen e bllokimit në Rripin e Gazës vendosur që prej vitit 2006 nga Izraeli për 1,8 milionë banorë të enklavës palestineze.
Ban u shpreh gjithashtu shumë i shqetësuar për vazhdimin e kolonizimit izraelit në Territoret Palestineze, konsideruar si të paligjshme nga komuniteti ndërkombëtar