Izraeli: Jemi gati të vazhdojmë bombardimet kundër Hezbollahut
Qeveria izraelite tha sot se është gati të vazhdojë bombardimet ndaj Hezbollahut, pasi dje shkatërroi një kompleks të madh nëntokësor të përdorur nga organizata e armatosur shiite në Libanin jugor.
“Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë fushatën, të vazhdojmë bombardimin e Hezbollahut dhe vendeve të tjera”, tha Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.
Mbrëmë, ushtria izraelite, duke përdorur 1,100 ton eksploziv, shpërtheu një rrjet tunelesh të ndërtuar nga Hezbollahu nën kodrën strategjikisht të rëndësishme Ali Taher, në rajonin Nabatiya të Libanit.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm saqë Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) regjistroi një dridhje me magnitudë 4.1 ballë, ekuivalente me një tërmet të vogël.
Lartësitë Ali Taher ndodhen në një zonë të Libanit jugor të pushtuar nga ushtria izraelite, e cila thotë se dëshiron të krijojë një “zonë sigurie” për të parandaluar çdo sulm të Hezbollahut ndaj qyteteve në Izraelin verior, përtej kufirit.
Pas shkatërrimit të tuneleve dje, “tani ekziston një zonë e fortë sigurie, më e fortë se kurrë, që mbron komunitetet tona”, tha Katz sot.
Kjo zonë gjithashtu i lejon ushtrisë izraelite të “ruajë kontrollin dhe të kërcënojë Hezbollahun më thellë” në territorin libanez, shtoi Ministri i Mbrojtjes.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.