Tiranë 27°C · Pjesërisht vranët 11 September 2026
S&P 500 7,673 ▲1.07%
DOW 52,650 ▲1.13%
NASDAQ 26,394 ▲1.2%
NAFTA 99.46 ▼2.95%
ARI 4,408 ▲0.02%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1618 EUR/GBP 0.8593 EUR/CHF 0.9437 EUR/ALL 92.0465 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.4001 EUR/JPY 179.21 EUR/CAD 1.6061 EUR/USD 1.1618 EUR/GBP 0.8593 EUR/CHF 0.9437 EUR/ALL 92.0465 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.4001 EUR/JPY 179.21 EUR/CAD 1.6061
₿ CRYPTO
BTC $77,638 ▲ +0.38% ETH $2,570 ▲ +4.27% XRP $1.3681 ▲ +0.64% SOL $102.0500 ▲ +2.1%
S&P 500 7,673 ▲1.07 % DOW 52,650 ▲1.13 % NASDAQ 26,394 ▲1.2 % NAFTA 99.46 ▼2.95 % ARI 4,408 ▲0.02 % S&P 500 7,673 ▲1.07 % DOW 52,650 ▲1.13 % NASDAQ 26,394 ▲1.2 % NAFTA 99.46 ▼2.95 % ARI 4,408 ▲0.02 %
EUR/USD 1.1618 EUR/GBP 0.8593 EUR/CHF 0.9437 EUR/ALL 92.0465 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.4001 EUR/JPY 179.21 EUR/CAD 1.6061 EUR/USD 1.1618 EUR/GBP 0.8593 EUR/CHF 0.9437 EUR/ALL 92.0465 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.4001 EUR/JPY 179.21 EUR/CAD 1.6061
11 Sep 2026
Breaking
Opinion

A ka OSBE/ODIHR në Amerikë?

Nga Ylli Manjani

Ka ca lajme që, po të ndodhnin në Shqipëri, nuk do ishin më lajme. Do ishin dosje penale.

Donald Trump del publikisht dhe premton: 5,000 dollarë për çdo amerikan, nëse fiton partia e tij në zgjedhjet e nëntorit.

Imagjinoni tani të njëjtën fjali në shqip.

“Edi Rama premton 5,000 euro për çdo shqiptar nëse fiton PS.”

Nuk do kalonin pesë minuta. Nga SHQUP-i do shpërthente alarmi kombëtar. OSBE/ODIHR do nxirrte deklaratë për “cenimin e barazisë së garës”. SPAK-u do regjistronte procedim penal për korrupsion aktiv zgjedhor në formën e premtimit elektoral. Analistët do flisnin për “blerje masive votash”, ndërsa televizionet do hapnin kronikat me muzikë suspense.

Sepse kështu na mëson ligji ynë penal. Premtimi i një përfitimi material për të ndikuar votën është histori serioze.

Po në Amerikë?

Në Amerikë nuk diskutohet nëse është normale të premtosh para. Diskutohet vetëm nga do t’i gjejë paratë.

Pra problemi nuk është premtimi. Problemi është Excel-i.

Më lind një pyetje krejt naive: A ka OSBE/ODIHR në Amerikë?

Apo OSBE-ja është një organizatë që ekziston vetëm për vendet ku demokracia është ende “në zhvillim”, ndërsa kur bëhet fjalë për superfuqinë, demokracia hyn në kategorinë “vetërregullohet”?

Ndoshta amerikanët kanë një version tjetër të manualit.

Tek ne quhet “premtim elektoral me elemente korrupsioni”. Atje quhet “tax rebate”, “dividend”, “bonus”, “stimulus”, “refund”. Mjafton ta përkthesh në anglisht dhe neni penal humbet në oqean.

Madje nuk është as risi. Amerika e Joe Biden shpërndau miliarda dollarë gjatë pandemisë. Atëherë u quajt stimul ekonomik. Sot Trump premton dollarë në fushatë. Quhet politikë fiskale.

Sa elegante tingëllojnë fjalët kur vijnë me pasaportë amerikane.

Edhe më interesante është heshtja mediatike. Po të ishte Shqipëria, do kishim tre javë studio televizive me titull “A po blihet vota?”. Në SHBA debati është krejt tjetër: “A është e realizueshme financiarisht?”

Askush nuk pyet nëse është e pranueshme demokratikisht t’i thuash zgjedhësit: voto dhe do marrësh para.

Mesa duket, demokracia ka edhe kurs këmbimi.

Një standard për ata që monitorohen dhe një standard për ata që monitorojnë.

Prandaj, kot për muhabet, më duket se ne kemi bërë një gabim të madh mesa duket: kemi tentuar të ndërtojmë një demokraci më demokratike se demokracia. Ose demokracia ka vajtur për shële… Me më shumë OSBE, më shumë ODIHR, më shumë raporte, më shumë standarde, më shumë moral.

Ndërkohë, në vendin që na jep leksione për zgjedhjet, fushata mund të vijë edhe me ofertë promocionale.

“Voto dhe merr 5,000 dollarë.”

Ndoshta sekreti është i thjeshtë.
OSBE/ODIHR nuk mungon në Amerikë.
Thjesht… nuk monitoron amerikanët.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.