Rama rrëfehet në “Flasim”: Më kanë rrahur dy herë në jetë, njëra ishte në ’97
Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer dy episode të jetës së tij në të cilat është dhunuar fizikisht. I ftuar në podcastin “Flasim”, këtë herë në rolin e të intervistuarit përballë gazetares Rudina Xhunga, Rama foli për fëmijërinë, periudhën e adoleshencës dhe disa prej momenteve më të vështira që ka përjetuar.
I pyetur nëse ka qenë i bullizuar gjatë fëmijërisë, Rama u shpreh se ka qenë një fëmijë rebel, por mohoi të ketë qenë viktimë e bullizmit.
“Kam qenë rebel, thyeja thuajse çdo kufi, por i bullizuar asnjëherë. Kam në jetën time dy rrahje, ku nuk kam rrahur, por më kanë rrahur”, tha Rama.
Ai rrëfeu se një prej rasteve ka ndodhur pas një ndeshjeje basketbolli në pallatin e sportit “Partizani”, pas përballjes me Apoloninë.
“Njëra në dyshen e pallatit të sportit Partizani pas ndeshjes me Apolloninë. Ishte një ndeshje e tensionuar dhe, duke qenë se unë si lojtar isha nganjëherë dhe provokator, provokimet dhe kundërprovokimet dhe tensionin në fushë e pagova me një rrethim nga ca çuna që, me shpejtësi, pabesisht, mora disa goditje dhe mbeta përtokë në dysheme”, rrëfeu ai.
Rama u ndal edhe te episodi i janarit të vitit 1997, kur, sipas tij, u sulmua pranë banesës së tij.
“Tjetra është rrahja që dihet botërisht e janarit 97 kur më bënë pritë te rruga që futej për të hyrja e shtëpisë dhe më lanë duke menduar se isha i asaj bote. Ky ishte dhe opinioni i mjekut këtu dhe atij në Francë, dhe thënë që më kishte shpëtuar lartësia, sepse goditjet gjithsesi janë disi më pak efektive kur je më lart sesa ai që të agreson. Edhe sporti, fiziku im”, tha Rama.
Në lidhje me deklaratat e Sali Berishës se në momentin kur u dhunua në vitin 1997 Rama ka qenë në shoqërinë e një burri, kryeministri i cilësoi këto pretendime si të pavërteta.
“Riprodhohen nga një gojë e shthurur me të cilën nuk dua të merrem. Merrem vetëm kur ma imponon fushata. Tani është përtej çdo kufiri moshor që mund të thuash neglizhohet dhe është kaq e qartë saqë jo vetëm që s’ka pasur lidhje me krim pasioni dhe s’kam qenë me një burrë, por kam qenë me një vajzë që bashkëjetoja dhe me një shok që jetonte në apartamentin tonë, sepse ishte nga Shkodra”, tha Rama.
Ai foli edhe për dy personat që, sipas tij, e kanë dhunuar, duke thënë se të dy janë të njohur për të.
“Njëri prej tyre është penduar, tani ka ndërruar jetë. Tjetri nuk e ka pranuar dhe as e kam pyetur, por është penduar në një mënyrë tjetër, duke treguar miqësi…”, shtoi kryeministri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.