Kosova

Jahjaga: Akademia e Shkencave rol kryesor në ndërtimin e shtetit dhe forcimin e demokracisë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në fjalën e saj në 40 vjetorin e krijimit të Akademisë së Shkencave të Kosovës theksoi sot se “ky jubile prej 40 vjetësh – i punës dhe angazhimit të palodhshëm të secilit prej jush, është më shumë se një simbolikë numrash – është përpjekje e pareshtur për të qenë në shërbim të vendit si forcë shtytëse, posaçërisht në kohë kthesash të mëdha”.

“Përkulem përpara figurave të një brezi të tërë të akademikëve të Kosovës, që i dhanë vulën një numri procesesh në vend dhe mendimit kritik – një trashëgimi e veçantë edhe e shtetbërjes dhe zhvillimit të përgjithshëmtë shoqërisë tonë. Në këtë kohë të sfidave të mëdha e të përcaktimit të vlerave të shkencës në shoqërinë tonë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës duhet të qëndrojë fuqishëm në rolin e saj të zhvillimit të kombit, paralelisht me atë të shkencës dhe të arteve”, tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga u shpreh se “shtetbërja e Kosovës bazohet mbi punën e përbashkët të secilës pjesë të shoqërisë sonë dhe në këtë rrafsh Akademia ka forcë dhe potencial për të dhënë kontributin e vet për zhvillimin e vendit tonë. Rëndësia e inkuadrimit të Akademisë në këto procese është jetike për vendin, sepse ndërton konsensusin në shoqëri dhe sepse strategjia zhvillimore do të bazohej në vlerat e rezultatet shkencore dhe në rrethanat shoqërore”.

Akademia, vijoi ajo, ka rol për të luajtur në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe forcimin e demokracisë tonë të re.

“Ne duhet të ndërtojmë kulturën politike të dialogut dhe ta pasurojmë diskursin në sferën tonë publike për të ardhmen tonë të përbashkët, që tejkalon ndasitë ndërmjet forcave politike. Argumenti i forcës dhe fuqia e numrave nuk mund ta zëvendësojë bashkëbisedimin! Ne nuk guxojmë të vëmë në rrezik partneritetin me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe BE-në, e as t’ua zëmë frymën zhvillimeve demokratike dhe të rëndojmë jetën e qytetarëve të vendit, besimi i të cilëve në secilin prej nesh – qoftë liderë institucionalë ose partiakë – po zbehet çdo ditë e më shumë. Ne duhet të jemi pranë qytetarëve të vendit, sepse vota e tyre na ka zgjedhur për të qenë në shërbim të tyre dhe për t’u garantuar një të ardhme më të mirë”, tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga nënvizoi se “Akademia ka kontribut për të dhënë në procesin historik të pajtimit të popujve, në ndihmë të korrigjimit të padrejtësive të së kaluarës, që hap rrugën e zhvillimit të përgjithshëm në mënyrë të barabartë të të gjithëve në rajonin e Ballkanit, duke siguruar paqen dhe stabilitetin”.

Sipas saj, ky përvjetor dëshmon misionin e akademikëve për të ndërtuar ura bashkëpunimi në fusha të ndryshme e në veçanti në shkencë, me të gjithë jo vetëm në fqinjësi, por edhe më gjerë.

“Mbi supet tuaja qëndron barra për ta bërë shkencën, artin dhe edukimin pjesë të jetës në shoqërinë tonë, duke e shndërruar në vizion të rëndësishëm për të ardhmen e gjeneratave të reja”, përfundoi Jahjaga.

kadri-veseli-ne-ashak_5139Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli theksoi se 40 vitet e krijimit të Akademisë, janë vitet e ringritjes politike, kulturore, arsimore të popullit tonë.

Ai duke kujtuar të gjithë akademikët që nuk jetojnë më tha se “sot duhet të punojmë më shumë për lirinë dhe paqen, gjë për të cilën kanë punuar akademikët gjatë këtyre viteve”.

Veseli shtoi se të gjithë së bashku, si institucione, akademi, universitet duhet të bëjmë më shumë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button