Kosova

Jahjaga: Mohimi i të drejtave të grave nuk ka vend në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, deklaroi të shtunën se “Kosova është shtet demokratik dhe i pavarur fal kontributit të pamohueshëm të grave dhe burrave të këtij vendit. Kjo duhet të na bëjë të përkushtuar për të punuar parreshtuar që këtë vlerë të shoqërisë tonë mbi të cilën janë vendosur bazat e shtetit tonë, ta mbrojmë çdo ditë duke respektuar të drejtat e grave”.

Në Kuvendin vjetor të Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, Jahjga theksoi se “mohimi i të drejtave të tyre nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë, në të ardhmen të cilën jemi duke e ndërtuar me kaq shumë mund e sakrificë”.

“Në një kohë shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë, kur ndërmorëm rrugëtimin drejt rimëkëmbjes pas luftës dhe ndërtimit të paqes, ju besuat se të ardhmen tonë do ta garantonim me pjesëmarrjen e plotë të të gjithë qytetarëve. Besim, i cili gjeti përkrahje çdo ditë e më shumë nga gra të çdo fushe të jetës nga i gjithë vendi, të cilat këmbëngulën që gratë të zënë vendin e tyre të merituar në shoqëri”, tha Jahjaga.

Ju, vijoi ajo, dëshmuat forcën që gruaja ka pasur në shoqërinë tonë përmes vizionit tuaj të qartë se gratë janë shtyllë e shoqërisë dhe kontributi i tyre kyç në çdo fazë të zhvillimit të saj.

Preisdentja Jahjga u shpreh se “gratë e Kosovës kanë qenë ato të cilat kanë mbajtur mbi supet e tyre peshën e rëndë të mbijetesës, të rezistencës paqësore, të luftës dhe pa dyshim që ndërtimi i paqes nuk mund të arrihej pa to. Sot Kosova është shtet demokratik dhe i pavarur falë kontributit të pamohueshëm të grave dhe burrave të këtij vendit”.

“Kjo duhet të na bëjë të ndjehemi krenar dhe të përkushtuar për të punuar parreshtuar që këtë vlerë të shoqërisë tonë mbi të cilën kemi vendosur bazat e shtetit tonë, ta mbrojmë çdo ditë duke respektuar të drejtat e grave. Mohimi i të drejtave të tyre nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë, në të ardhmen të cilën jemi duke e ndërtuar me kaq shumë mund e sakrificë”, tha Jahjaga.

Barazia gjinore, shtoi ajo, respektimi i të drejtave të grave, dhe përfshirja më e madhe e gruas në vendimmarrje jo vetëm në politik por edhe në fusha të tjera, ka qenë dhe vazhdon të mbetet prioritet i imi i zyrës sime dhe i mandatit tim.

“Ne të gjitha, përmes angazhimit tonë dhe kontributit konkret në çdo sferë të jetës, duhet të vazhdojmë të mbetemi shembuj për gjeneratat e reja që ata të mos heqin dorë nga ëndrrat dhe të ndjehen të barabartë me njëri-tjetrin”, përfundoi Jahjaga.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button