Kronika

Java antitrafikim/ Krijohen kënde sensibilizuese, promovohet numri jeshil 116 006

Ka nisur me aktivitete të shumta sensibilizuese java kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Janë ngritur tenda informuese, të cilat u vendosën në zonën e Kinostudios, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, si edhe në sheshin para Teatrit të Kulturës në Kamëz, gjithashtu edhe në Dibër dhe Shkodër, për të apeluar me forcë se duke raportuar falas në numrin 116 006, mund të shpëtohen viktima të trafikimit. Po ashtu nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u nis një autobus me logon e linjës kombëtare 116 006. Në kënde të veçanta janë shpërndarë materiale sensibilizuese, pranë shkollave të mesme, për indikatorët e trafikimit të personave. Në Durrës janë shpërndarë materiale sensibilizuese nën moton “Ndal Trafikimit të fëmijëve! Heshtja cënon dinjitetin tonë”.

Lufta ndaj trafikimit te qenieve njerezore 2

 

Zv/Ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea më herët gjatë takimit me nxënës të shkollës së mesme “Qemal Stafa” në Tiranë i kujtoi atyre rëndësinë e bashkëpunimit me policinë, në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ndërsa të shtunën në një deklaratë për mediat ajo foli dhe me shifra konkrete lidhur me këtë problematikë. “Në një vit është arritur që jo vetëm të rigjallërohet dhe vihet në funksionim të plotë i gjithë mekanizmi kombëtar antitrafik, por edhe të shënohen rezultate domethënëse në drejtim të goditjes së veprimtarisë kriminale si dhe të mbrojtjes dhe rehabilitimit të viktimave të trafikut”, tha Gjebrea.
Sipas saj, që nga shtatori i vitit 2013 janë dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 60 referime, për veprat penale “Trafikim i personave të rritur”, Neni 110/a i Kodit Penal dhe “Trafikimi i të miturve”, Neni 128/b i Kodit Penal. 58 referime janë kryer në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore për veprën penale “Shfrytëzim i prostitucionit”, Neni 114 i Kodit Penal. Po ashtu, shtoi Gjebrea, gjatë këtij viti janë dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda 7 vendime për veprat penale “Trafikimi i Personave të rritur”, “Trafikim i femrave”, “Trafikim i të miturve” dhe janë dënuar gjithsej 10 persona.

Lufta ndaj trafikimit te qenieve njerezore 3

 

“Dua të kujtoj se një vit më parë vetëm 1 dënim ishte dhënë për këto vepra kriminale që lidhen me trafikimin. Ndaj Ministria e Punëve të Brendshme dhe zyra e Koordinatorit Kombëtar Antitrafik inkurajojnë edhe më shumë Prokurorinë dhe Gjykatën që të vijojnë të jenë pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët për të vënë përpara drejtësisë të gjithë personat e inkriminuar”, garantoi zv/Ministrja e Punëve të Brendshme.
Gjebra gjithashtu tha se gjatë një viti janë identifikuar 88 viktima të mundshme trafikimi. “Prej tyre, pas identifikimit fillestar 12 kanë marrë statusin viktimë e trafikimit, status që jepet nga Policia dhe Shërbimi Social Shtetëror sipas procedurave standarde të veprimit”, sqaroi Gjebrea, duke shtuar se statistikat e personave të proceduar penalisht dhe të dënuar nga drejtësia janë vetëm një pjesë e zinxhirit të gjatë të arritjeve të Mekanizmit Shtetëror Antitrafik.

Gjatë kësaj jave të dedikuar kryesisht sensibilizimit të opinionit publik do të zhvillohen 14 aktivitete ndërgjegjësuese, 11 forume diskutimi në nivel lokal, 9 ekspozita të ndryshme, 12 kënde informative me materiale sensibilizuese dhe një konferencë kombëtare në qytetin e Vlorës./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button