Jean-François Huchet, ambasadori i ri i Francës në Kosovë – merr detyrën në fillim të shtatorit
Jean-François Huchet do të jetë ambasadori i ri i Francës në Kosovë, ndërsa drejtimin e misionit diplomatik francez pritet ta marrë në fillim të muajit shtator.
Huchet deri më tani ka mbajtur postin e presidentit të Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Civilizimeve Orientale (Inalco) në Francë, shkruan Telegrafi.
Ai është ekonomist, profesor universitar dhe specialist në ekonominë e Azisë.
Më 30 janar 2025, Huchet u zgjodh edhe nënkryetar i France Universités, organizatë që përfaqëson universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë në Francë.
Foto nga profili personal në LinkedIn
Në postin e ambasadorit në Kosovë, Jean-François Huchet do ta pasojë Olivier Guérot, i cili ka shërbyer si ambasador i Francës në Prishtinë që nga viti 2022, transmeton Telegrafi.
Guérot ka qenë aktiv në komunikimin publik për zhvillimet politike, dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Francës.
Ai ka dhënë disa intervista edhe për Telegrafin, në të cilat ka komentuar zhvillimet politike në vend, raportet Kosovë-Francë dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme, përfshirë artin, kulturën, ekonominë dhe fusha të tjera të bashkëpunimit bilateral.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Guérot kishte folur gjerësisht për qëndrimet e Francës në temat politike, ekonomike, kulturore dhe çështje të tjera që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Në një prej deklarimeve të tij të fundit, gjatë shënimit të Festës Kombëtare të Francës, Guérot u kishte bërë thirrje liderëve politikë të Kosovës që ta gjenin vetë kompromisin për të dalë nga bllokada institucionale.
Ai kishte theksuar se Franca dhe qeveritë e tjera mike të Kosovës kanë nevojë për institucione funksionale dhe partnerë me të cilët mund të punojnë për ta shoqëruar Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian.
“Një thirrje që ta gjejnë vetë rrugën e kompromisit, ta gjejnë vetë daljen nga situata e bllokimit, me të cilën asnjë qytetar nuk është i kënaqur”, kishte deklaruar Guérot.
Guérot e kishte përshkruar Francën si një partner “të angazhuar, të vendosur, të besueshëm dhe solidar” të Kosovës.
Nga shtatori, drejtimin e misionit diplomatik francez në Kosovë pritet ta marrë Jean-François Huchet. /Telegrafi/.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.