Te ndryshme

Jerusalemi, qyteti i lotëve

Reportazh

Ai është qyteti më i njohur në mbarë historinë e njerëzimit. Një e treta e popullsisë së botës e konsideron të shenjtë. Nëse e shkel qoftë edhe për një herë në jetë, nuk do jesh më i njëjtë. Por kur sheh se recepsionisti i hotelit mban një pistoletë në brez, emocione të përziera të përshkojnë mendjen

Nga Bledar Kurti

Ai është qyteti më i njohur në mbarë historinë e njerëzimit. Një e treta e popullsisë së botës e konsideron të shenjtë. Nëse e shkel qoftë edhe për një herë në jetë, nuk do jesh më i njëjtë. Jeruzalemi: Qendra e botës; qyteti i lotëve.

Në dalje të Aeroportit Ben Gurion të Tel Avivit, mahnitesh nga një menuka e artë e krijuar nga gjeniu i artit, Salvador Dali, i cili ia dedikoi këtë vepër popullit hebre me këtë shënim: “Ju, o popull hebre, populli i zgjedhur i Perëndisë, bijtë e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, ju që keni treguar një përkushtim të pashoq për të ruajtur traditën, për gëzimin që tregoni në festat dhe festivalet tuaja, unë krijova këtë Menorah.

Teksa ju luteni me besimin tuaj të patundur për lavdinë e prejardhësve tuaj dhe për triumfin e së vërtetës, unë dua të shoh qartazi dritën e pastër dhe të gjallë, përmes një tributi ndaj popullit tuaj”.

Sigurisht, të vjen natyrshëm të bësh një fotografi përpara këtij simboli dhe si kujtesë e impresionit të hapave të para në tokën izraelite. Por sapo u dëgjua kliku i shkrepjes së aparatit fotografik, një roje i armatosur u afrua, duke kërkuar që të mos bëheshin më foto me aeroportin në sfond për çështje sigurie. Dhe janë këto momente që të kujtojnë se nuk ke shkelur në një vend të zakonshëm, por në një vend ku çdo hap dhe gjest që bën aty, ka një domethënie.

Dhe kjo ndjesi e vizitës në një vend të pazakontë, vazhdon edhe rritet kur kupton se shumica e popullatës në rrugë dhe në shërbime pune, janë të rinj dhe të reja. Dhe kur sheh që recepsionisti i hotelit mban një pistoletë në brez, emocione të përziera të përshkojnë mendjen.

Rrugës për në Jerusalem mahnitesh me pemët e portokajve buzë rrugës, të cilat rrëzonin kokrrat krejt shkujdesshëm. Në një vend me klimë të thatë mesdhetare, sistemi i ujitjes dukej gjenial. Sa më shumë t’i afrohesh Qytetit të Shenjtë, aq më shumë rrëmbehesh nga emocionet.

Shoferi i përgjigjet pyetjes sime të lindur nga frika e sulmeve me raketa që shfaqeshin në televizor, me një shpjegim të bollshëm dhe krenar të mbrojtjes izraelite. I pozicionuar midis vendeve arabe, të cilat e kanë halë në sy, për t’u mbrojtur, Izraeli ka ngritur jo vetëm një ndër ushtritë më të fuqishme të botës, por ka edhe armatimet më moderne që i përkasin gjeneratës së re.

Për t’u rezistuar sulmeve të vazhdueshme me raketa, Izraeli ka ngritur një sistem mbrojtjeje kundërraketë të quajtur “Kupola e Hekurt”. Ky sistem nuk lejon raketat të bien në tokën izraelite. “Tri javë përpara, zotëri”, tha shoferi “u lëshuan mbi 300 raketa drejt Tel-Avivit, dhe vetëm njëra prej tyre arriti të shpërthejë në tokë, por pa krijuar dëme. Jemi të sigurt me sistemin tonë të mbrojtjes”.

Kur hyn në Jerusalem ndien një forcë të madhe magnetike brenda vetes. Menjëherë shpirti rëndohet dhe të duket sikur një barrë e madhe të vihet mbi supe. Edhe qepallat e syve rëndohen prej depozitës të zmadhuar të lotëve që njeriu, për respekt ndaj vetes, mundohet të mos i lëshojë. Ky magnetizëm rritet gjithnjë e më shumë kur hyn brenda mureve të Jerusalemit të vjetër.

Me një sipërfaqe me më pak se një milje katror, ai është ndarë në katër pjesë: pjesa e hebrenjve, pjesa e të krishterëve, pjesa e armenëve dhe pjesa e myslimanëve. Brenda një rrezeje me pak metra distancë, besimet më të mëdha të botës kanë vendet e tyre më të shenjta, të cilat përbëjnë ekzistencën e tyre.

Hebrenjtë kanë Murin Perëndimor, i njohur si Muri i Lotëve, i cili është fragmenti i vetëm i mbetur nga muri i Tempullit; Të krishterët kanë Kishën e Varrit të Shenjtë, brenda të cilës është shkëmbi i Golgotës ku u kryqëzua Krishti, dhe diku aty pranë varri ku u shtri Krishti përpara se të ringjallej dhe myslimanët kanë Kupolën e Shkëmbit, për të cilën myslimanët besojnë se Muhamedi udhëtoi për në parajsë. Ja përse Jerusalemi është konsideruar që prej kohëve të hershme, si qyteti ku banon Perëndia.

Kur shkel në rrugët e Jerusalemit të Vjetër, të vjen për të qeshur, por edhe ndien trishtim, kur mendon për të ashtuquajturën harmonia fetare në Shqipëri. A është faji i regjimit komunist që e përjashtoi Zotin me Kushtetutë, a është zemra e njerëzve e ftohtë ndaj besimit?

Ky do mbetet mister, por një gjë mund të thuhet për fenë në Shqipëri: ajo kurrë nuk ka qenë parësore në jetën e shqiptarëve, dhe si e tillë nuk është konsideruar kurrë aq e rëndësishme, sa për të mos bërë kompromis, apo për të krijuar harmoni midis besimeve, për të bërë të krishterin të hajë hallvë dhe myslimanin, vezë të kuqe.

Në Shqipëri nuk ka magnetizëm besimi, por vetëm festa, urime politikanësh në televizione, darka me verë dhe raki, dhurata të fundvitit që e kanë zëvendësuar Krishtin me Santa Klausin, ndaj këtë lloj hareje, kush mund ta refuzojë!?

Le ta quajmë harmoni fetare, mosndjesi fetare, apo edhe mungesë fetare; sido që të jetë, le ta shpallim si vlerë. Kështu është rënë dakord, kështu le të vazhdojmë të besojmë, sa për sy e faqe, sepse fundja askujt nuk i intereson.

Kur përballesh me Murin e Lotëve, trupi të rrëqethet i tëri. Sheshi përballë murit është i mbushur me rabinë, besimtarë të thjeshtë, hebrenj ortodoksë, ushtarë, turistë etj., të cilët prekin me dëshpërim gurët e murit, recitojnë Torën, luten me gojë, por edhe me letra të cilat vendosen midis gurëve të murit. Në fund të ditës, letrat e lutjeve mblidhen dhe digjen në një nga shpellat e malit të ullinjve jashtë mureve të Jerusalemit të vjetër.

Në një atmosferë të tillë, kupton se besimi është substanca e gjërave që shpresohen dhe evidenca e gjërave që nuk shihen. Muri i Lotëve është simboli i besimit, prejardhjes dhe rezistencës së hebrenjve. Ajo tokë e Tempullit u ble nga Mbreti David, pasi ishte vendi ku Abrahami ishte gati të sakrifikonte Isakun.

Aty, djali i Davidit, Mbreti Solomon, ndërtoi Tempullin rreth vitit 957 para Krishtit, por që u shkatërrua nga babilonasit dy shekuj më vonë. Tempulli u ndërtua për herë të dytë dhe u shkatërrua nga romakët në vitin 70 pas Krishtit. Hebrenjtë besojnë se Tempulli do ndërtohet për herë të tretë, dhe sipas tyre, kjo do të jetë shenja profetike e shpëtimit të Izraelit nga të gjithë armiqtë.

Pra, ai mur me pak metra simbolizon rezistencën e hebrenjve ndaj babilonasve, sirianëve, filistejve, romakëve, otomanëve, jordanezëve, dhe simbol i mbijetesës së përndjekjes, shfarosjes, dhe holokaustit nazist me 6 milionë jetë hebrenjsh dhe me dhjetëra milionë të tjerë të vrarë nga Stalini.

Jerusalemi është pa asnjë dyshim, qendra e botës. E gjithë historia e njerëzimit përmblidhet gjeografikisht brenda pak qindra metrash katrorë. Të gjitha besimet në një pikë. A mund të përkthehet pra që Zoti është një? A mund ta krahasojmë me harmoninë fetare “alla shqiptare”? Jo, do ishte gabim historik.

Ajo qendër e botës është edhe qyteti i lotëve. Paqja është e brishtë dhe luks, dhe nuk mund të quhet paqe fetare, por thjesht balancë koordinimi gjeografik dhe skemë e përkohshme në pritje të shpëtimit përfundimtar.

Jerusalemi u pushtua nga myslimanët për 1300 vjet. Duke hequr periudhën e kryqëzatave, kjo periudhë kaq e gjatë në historinë e popullit hebre është e paharrueshme dhe me vragat më të rënda sesa edhe djegia e Tempullit nga romakët, pasi për 1300 vite, hebrenjtë u endën nëpër botë të persekutuar dhe përbuzur, pa atdhe, deri në krijimin e shtetit të Izraelit në vitin 1949.

Sapo hyra në zonën myslimane një sms erdhi në celular: “Mirë se erdhët në zonën myslimane. Shijoni ushqimet e mrekullueshme dhe aromën e jasminës”. Në dukje, këto detaje të ëmbla të joshnin momentalisht për një turizëm ekzotik, por, kur diku, syri të kapte ushtarët izraelitë të armatosur gjer në dhëmbë me gishtin e gatshëm në këmbëzën e automatikut M16, vigjilentë për ndonjë trazirë të mundshme, e kuptoje se ajo pamje shumëngjyrëshe kulturore dhe fetare, mund të shndërrohej në apokalips brenda një sekonde.

Jerusalemi është Qyteti i Lotëve. Përtej Murit Perëndimor, pasi çdo qenie njerëzore do përlotej me apo pa vullnet, madje edhe një gur do shkrihej vetiu, këmbët të çonin te Via Dolorosa, Rruga e Mundimit. Kjo rrugë kishte marrë këtë emër, pasi ishte rruga që kishte përshkruar Krishti me kryqin mbi shpinë për në Golgotë, vendin ku do të kryqëzohej.

Në fillim, u ndjeva i privilegjuar që këmbët e mia po ecnin mbi të njëjtët gurë që kishin prekur Krishtin, por arrita ta mund krenarinë dhe krahasimin tim, pasi nëse Krishti po shkonte drejt vetëflijimit për të larë mëkatet e të gjithë atyre që do besonin në të, duke bërë sakrificën më të madhe në historinë e botës, sakrifica më e madhe që unë kam bërë në jetë, ndoshta ka qenë jo në interes të të tjerëve, por në interesin tim.

Rruga e Mundimeve përfundonte me shkëmbin e Golgotës, ku Jezu Krishti u kryqëzua, mbi të cilin Helena, e ëma e Kostandinit të Madh, ndërtoi Kishën e Varrit të Shenjtë rreth vitit 326 pas Krishtit. Besohet se gjatë ndërtimit të kishës, Helena zbuloi kryqin e vërtetë dhe një varr, ku besohet se u vendos Krishti për tri ditë përpara se të ringjallej.

Brenda kishës, ajri ishte i mbushur plot pikëllim dhe me rëndesën e mëkatarëve të penduar apo në kërkim të pendimit që kishin ardhur për pelegrinazh që nga koha e Kostandinit, e deri në ditën që kisha shkelur unë.

Në muret e brendshme kishte kryqe të gdhendura nga pelegrinë të shekujve të parë, varre kryqtarësh, gozhda romake, një shkëmb i krisur – siç përshkruhet në Bibël, pasi Jezusi dha shpirt – pllakë prej guri mbi të cilin ishte vendosur trupi i Krishtit për t’u larë përpara se të varrosej, si dhe vendi që shërbeu si varr për Krishtin përpara se të ringjallej, poshtë të cilit mendohej të ishte një tjetër varr, ai i Adamit, njeriut të parë që Perëndia e krijoi nga dheu.

Teksa hyje brenda kishës, çdo vizitor ndihej i rënduar, por në dalje gjithsecili habitej me ndjesinë e një pastrimi brenda vetes. Psikologët modernë besojnë te forca e auto-sugjestionit, pra, mendja dikton ato që ndien trupi, por ajo eksperiencë nuk ishte auto-sugjestion, ai vend kishte përjetuar momentin më të rëndësishëm historik dhe shpirtëror të njerëzimit.

Ai vend ishte i mbuluar me gjak për më shumë se dy mijë vjet. Ai vend ishte Kalvari. Ai vend ishte sulmuar nga persë, arabë, kryqtarë, otomanë etj., që prej dhjetëra shekujve, ndërsa tani qëndronte një fije peri larg një konflikti pa kthim që mund ta ndajë botën në dy pjesë dhe madje t’i japë fund asaj përgjithmonë.

Në dalje të Qytetit të Vjetër u ngjita në Malin e Ullinjve, ku hyra në Kopshtin e Gjetsemanisë. Nga ky kopsht, Jerusalemi shihej në pëllëmbë të dorës, dhe nga ajo pamje çdo gjë merrte kuptimin historik dhe përputhej me përshkrimet biblike. Kopshti kishte plot ullinj të rinj, disa të tjerë qindravjeçarë, por për habi edhe disa që e kalonin moshën dymijëvjeçare.

Këto ishin ato pemët që e kishin parë dhe dëgjuar Krishtin, kishin qarë me djegien e Jerusalemit dhe kanë vuajtur dhe duruar me memecërinë e tyre për dymijë vjet, teksa kanë parë pushtues njëri pas tjetrit që kanë dhunuar gurët dhe kanë shfarosur njerëzit.

Shtrydha mendjen duke u munduar të shoh Shqipërinë time në atë panoramë që përmblidhte të gjithë historinë e njerëzimit. Ishte Shqipëria jashtë saj? Ky vend kishte kaluar eksperiencat më të paimagjinueshme të luftës, gjakderdhjes, sakrificës, shfarosjes, rezistencës dhe qëndresës, vetëm për besimin, ndërsa shqiptarët e sotëm nuk e besoj se do e vinin ujin në zjarr, përveçse parasë dhe politikës.

Por shqiptarët nuk janë të ndarë në ato të sotëm dhe të djeshëm, dhe memoria ime historike më solli në vëmendje se lidhja e Shqipërisë me atë panoramë të Jerusalemit është më e ngushtë sesa vendet e tjera të Europës kanë me Tokën e Shenjtë.

Shqipëria e njohu Jerusalemin dhe Krishterimin përpara shumë vendeve të tjera të Europës. Që në shekullin e parë, Apostulli Pal shkeli tokën shqiptare dhe ngriti kisha. Dhe emri Iliri gjendet në Bibël ku vetë Pali shkruan: “Me fuqi shenjash dhe çudirash, në fuqi të Frymës së Perëndisë: kështu, prej Jerusalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit”. (Bibla. Romakëve 15:19)

Shqiptarët kanë edhe një lidhje tjetër me popullin hebre. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar i fshehu dhe i mbrojti të gjithë hebrenjtë nga nazistët dhe plani i tyre i shfarosjes. Dhe nga ky heroizëm i shqiptarëve asnjë hebre, as edhe një i vetëm, nuk ra në duart e nazistëve.

Janë këto momente të cilat nuk tregohen me mendjemadhësi se çfarë bëmë ne ndaj popullit hebre, por se çfarë i treguam ne vetes tonë, se çfarë do të thotë të qëndrosh fort dhe i patundur në anën e së mirës, kur e keqja nis të të sundojë.

E lashë Jerusalemin dhe u nisa drejt atdheut, me shpresën që Zotin do e gjeja edhe këtu.

Kur hyn në Jerusalem ndien një forcë të madhe magnetike brenda vetes. Menjëherë shpirti rëndohet dhe të duket sikur një barrë e madhe të vihet mbi supe. Ky magnetizëm rritet gjithnjë e më shumë kur hyn brenda mureve të Jerusalemit të Vjetër

Përtej Murit Perëndimor, çdo qenie njerëzore do përlotej me apo pa vullnet, këmbët të çonin te Via Dolorosa, Rruga e Mundimit. Kjo rrugë kishte marrë këtë emër, pasi ishte rruga që kishte përshkruar Krishti me kryqin mbi shpinë për në Golgotë, vendin ku do të kryqëzohej

Sapo hyra në zonën myslimane një sms erdhi në celular: “Mirë se erdhët në zonën myslimane. Shijoni aromën e jasminës”. Këto detaje të ëmbla të joshnin momentalisht, por, ushtarët izraelitë të armatosur, mund ta shndërronin atë në një apokalips brenda një sekonde

Shqiptarët kanë edhe një lidhje tjetër me popullin hebre. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar i fshehu dhe i mbrojti të gjithë hebrenjtë nga nazistët. Nga ky heroizëm i tyre asnjë hebre, as edhe një i vetëm, nuk ra në duart e nazistëve

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button