Jezidja 16-vjeçare: Kaq brutalisht abuzoi kryeterroristi i IS-it me mua
Intervista që Zeinat ka dhënë për transmetuesin prestigjioz amerikan, CNN, tregon se sa brutal dhe i pështirë është apo ishte kryeekstremisti. Vajza nga Iraku i përket fisit të jezidëve, që lufton siç dihet prej kohësh kundër IS-it. Dikur, ajo u mor zvarrë nga terroristët në Irak e u dërgua në Siri
Fytyra e 16-vjeçares është tërësisht e mbuluar me shami, e vetëm sytë mund të dallohen qartazi. E megjithatë, arsyeja për këtë nuk është religjioze: jeta e Zeinat-it, e cila në realitet quhet ndryshe, është në rrezik.
Ajo duhet të mbrohet nga njerëzit e njeriut që abuzoi me të për dy muaj e gjysmë me radhë: Abu Bakr al-Baghdadi, lideri i organizatës terroriste më të madhe aktualisht në botë, të ashtuquajtur Shteti Islamik (IS). Ajo ka përjetuar rrahje, presion psikologjik e përdhunime.
Intervista që Zeinat ka dhënë për transmetuesin prestigjioz amerikan, CNN, tregon se sa brutal dhe i pështirë është apo ishte kryeekstremisti. Vajza nga Iraku i përket fisit të jezidëve, që lufton siç dihet prej kohësh kundër IS-it. Dikur, në një pikë kohore të panjohur, ajo u mor zvarrë nga terroristët në Irak e u dërgua në Siri.
Nëse ajo nuk do të bëhej myslimane, do të vdiste
Atje, sikurse mijëra jezide, u desh të bëhej skllave e IS-it. Skllavërimi u përket taktikave djallëzore, të cilat organizata radikale islamike i praktikon gjerësisht në Irak e Siri, në territoret ku ushtron kontrollin e vet, për të tmerruar e dekurajuar popullsinë civile në ato rajone.
Mirëpo Zeinat në këtë mes duket se kishte një vend të veçantë: Al-Baghdadi e kishte zgjedhur atë personalisht si robinjë. Pas marrjes peng, rrëfen Zeinat, ajo u dërgua në një pallat të bardhë. Atje, për herë të parë, ajo takoi njeriun që do ta traumatizonte për gjithë jetën.
Bashkë me tetë vajza të tjera, ajo u dërgua në kryeqytetin e provincës, praktikisht kryeqendra e terroristëve, Rakka.
Rrahje dhe punë skllavëruese
Atje ajo u desh të shihte më parë një video në laptop, në të cilën shihej një njeri të cilit i pritej koka. Me shumë gjasa, bëhej fjalë për ekzekutimin e gazetarit amerikan, James Foley. Pas saj, ajo thotë se Al-Baghdadi i kishte thënë: “Nëse nuk konvertohesh në islam, kjo gjë do ju ndodhë juve”.
Qysh nga ai çast, Zeinat nuk i përkiste më vetëm islamit, por edhe IS-it. Ajo duhej të gatuante e të pastronte për shefin e terrorit dhe tri gratë e tij. Zeinat tregon se rrihej e dhunohej në mënyrë permanente. Gjithnjë e më shumë njerëzit rreth Al-Baghdadit duhej të ndërronin vendstrehimin.
Një herë, Zeinat së bashku me vajza të tjera, ia doli të arratisej. Mirëpo një grua në vendin ku ajo strehohej, e spiunoi. Skllavet u dënuan me dënimet më të ashpra.
Kryeislamiku i përdhunonte pengjet e tij
Shumë nga burrat rreth Al-Baghdadit i qëllonin shpesh pengjet me kabllo, rripa dhe shkopinj. Shefi i terroristëve vetë i kishte qëlluar shpesh në fytyrë, aq sa u kishte nxjerrë gjak nga hundët. “Ne ishim bërë të mavijosura nga rrahjet e goditjet e dhunshme”, kujton Zeinat gjatë intervistës. Krahu i saj ishte thyer, një bashkëvuajtëse ndërkaq kishte hequr edhe më keq; kishte kocka të thyera në fytyrë.
Skllavet megjithatë mundoheshin ta mbanin veten e të rezistonin. Zeinat njohu atje edhe aktivisten e të drejtave të njeriut, amerikanen Kayla Mueller, e cila sikurse ajo, mbahej atje peng. Mueller i kishte treguar një herë se Al-Baghdadi e kishte përdhunuar katër herë. Veç kësaj, ajo i kishte rrëfyer asaj se ai e kishte shtrënguar atë të pranonte martesën me të.
Nëse do ta kishte refuzuar, ai do ta vriste. Pas martesës, pengu duhej të mbante edhe më tej një shami që ia mbulonte fytyrën. Në shkurt 2015, Mueller mendohet se gjeti vdekjen nga një sulm ajror i amerikanëve mbi Rakka.
Al-Baghdadi nuk përdorte celular
Edhe Zeinat më pas u desh të ndiente tronditje të mëdha. “Ai na thoshte gjithmonë: harrojini baballarët e vëllezërit tuaj. Ne i kemi vrarë ata, të gjithë. Nënat dhe motrat tuaja i kemi martuar.” Edhe asaj vetë ai i kishte njoftuar martesën.
Gjatë kohës që ndodhej në burg, Zeinat nuk e dinte se me cilin kishte të bënte. Ajo kish kuptuar megjithatë se Al-Baghdadi zakonisht zgjohej në orën 10:00 dhe nuk përdorte kurrë celular apo smartfonë. Komandat e urdhrat e tij i jepte gjithnjë me gojë.
Ish-skllavja uron ndëshkimin e terroristit
Nga martirizimi i sigurt, Zeinat më në fund ia doli mbanë të çlirohej vetëm në përpjekjen e saj të dytë. Me një bashkëvuajtëse në krah, ajo u hodh nga një dritare dhe u arratis drejt një fshati. Prej së andejmi, banorët e tij e morën atë në motorë, duke e shpënë jashtë zonave të kontrolluara nga Shteti Islamik. Sot, Zeinat jeton sërish tek e ëma. Babai mendohet se është zhdukur e nuk është bërë më i gjallë nga kaosi i luftës.
Tre nga motrat e saj, me ç’duket janë marrë peng gjithashtu nga terroristët. Ish-skllavja tashmë renditet si njëra ndër kryedëshmitaret për bëmat e paskrupullta në krye të IS-it.
Sipas disa raporteve mediatike të paverifikuara, Al-Baghdadi mund të jetë vrarë në nëntor të vitit 2014. Mirëpo për këtë pretendim, akoma nuk posedohet asnjë provë apo dëshmi konkrete. “Unë shpresoj që ai të vritet”, thotë Zeinat. “Dua që bota ta dijë se sa i keq është ai.”