FilmIntervista

Jo kopjime, le të tregojmë historitë tona

Me regjisorin Luan Kryeziu, në një bisedë për filmin “Heroi” dhe si e sheh sot kinematografinë në hapësirën shqiptare

Vullneti për sukses dhe lakmia për përfitime shpesh na bën servilë, kopjues dhe shumë të dëmshëm për shoqërinë. Artistët janë detyruar të krijojnë tema për t’ua përshtatur shijeve dhe kërkesave të produksioneve të vogla ndërkombëtare, madje edhe atyre fiktive, vetëm sa për të ardhur te mundësia e krijimit të filmit. Kjo vërtet ka shkaktuar një çoroditje të kinematografisë sonë.

Historia e Shkëmbit, një ish-ushtari të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë nuk është vetëm historia e tij. Ajo është historia e vërtetë e mijëra djemve nga Kosova që iu bashkuan luftës për pavarësinë e vendit, një histori që tashmë ka mbetur skutave të tyre të kujtesës, për t’u përballur me një realitet që nuk di si të sillet me heronjtë. Filmi “Heroi” me regji të Luan Kryeziut është një metaforë e dhembshme e moralit me të cilën përballet sot shoqëria kosovare. Fati i një heroi, në një vend që vazhdon të frymëzohet prej tyre të bën të mendosh mbi gjërat që ia vlejnë në jetë. Për Shkëmbin, atdheu është mbi gjithçka, aq sa nuk ka rëndësi nëse atdheu ia kthen atij dashurinë. Pas përfundimit të luftës, lavdia e tij është vetëm shpirtërore, pasi ana sociale ekonomike dhe politike janë tepër të ashpra për të. Filmi u vlerësua me çmim si filmi më i mirë nga juria e Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë që u mbajt në qytetin e Pogradecit. Më poshtë, regjisori Kryeziu na vjen në një rrëfim për heroin e tij, dhe atë çfarë ndodh sot me kinematografinë në hapësirat shqiptare.

Filmi juaj provokon një dramë. Historia e Shkëmbit, sa i ngjason jetës së mijëra djemve kosovarë që iu bashkuan luftës?

Historia e personazhit tim bazohet nga përditshmëria jonë. Filloi dhe përfundoi nga frymëzimi i ndodhive reale. Ngjarja në të vërtetë nuk u kushtohet vetëm ish-luftëtarëve, por të gjithë atyre të cilët kontribuuan për të mirën tonë dhe u përjashtuan apo u përzunë duke ua mbyllur çdo derë për sukses apo mirëqenie.

Çfarë është lavdia sot në Ballkan?

Në disa vende të Ballkanit, të kërkosh lavdi do të thotë të kesh më shumë kundërshtarë dhe armiq. Sot lavdia me të padrejtë konsiderohet demode. Sikurse njerëzit e ditur janë të përqeshur dhe turpërohen nga ajo që dinë, sepse të jesh i ditur rrezikon pozitën e atyre që kanë thithur afër vetes nivele të ulëta vetëm për t’i servuar vetes pozitën dhe shërbimet pa kundërshtime.

A duhet kinematografia të provokojë?

Njëra ndër synimet e artit, sikurse të motivojë, të nxisë, promovojë të bukurën në të gjitha kuptimet e saj, është edhe të provokojë publikun me situatat që trajton. Të provokosh me një temë të duhur është sikur të iniciosh një proces. Ne jemi dëshmitarë që shpeshherë kanë qenë veprat artistike të cilat ishin motiv për iniciativa dhe ndryshime kulturore dhe thelbësore në shoqëritë e ndryshme.

Ka pasur një kritikë e cila ka të bëjë me mungesën e skenave të dashurisë… ka qenë e qëllimshme?

Gjatë shikimit të filmit, shikuesit shprehin emocione, mendime, dëshira dhe zgjidhje për personazhin. Në këtë rast dikush paska ndier nevojën për më shumë skena dashurie. Jo në të gjithë filmat mund të fusësh skena dashurie sikurse jo në të gjitha temat duhet të futen skenat e vrasjeve vulgare apo pornografi. Në të dy festivalet e mëdha botërore “Heroi” është vlerësuar pikërisht edhe për këto elemente. Pra, gjuhën filmike dhe trajtimin me masë të skenave në mënyrë shumë të veçantë. Filmi “Heroi” si i tillë nuk lejon futjen e skenave të tepruara erotike, horrorit, vrasjeve vulgare apo diçka tjetër të cilat do ta largonin nga vija dramaturgjike dhe fryma e stilit apo e zhanrit. Një kritik profesionist nuk kritikon filmin në atë çka mund të ishte, por atë çka sheh dhe si është bërë. Skenat krijohen, aranzhohen, balancohen jo nga dëshirat, komplekset apo vullnetet e ndonjë individi, por nga nevoja që ka tema për trajtim. Ato balancohen në sensin emocional, ritmik dhe dramaturgjik. Atë që bëjnë fillestarët është pikërisht dëshira për të futur gjithçka në film duke çorientuar. Çdo skenë e tepërt dhe e panevojshme do ta dëmtonte strukturën dhe largonte temën nga qëllimi, nga zhanri dhe mënyra e trajtimit. Filmi ynë trajton temë sociale dhe si e tillë u kushtohet të gjitha moshave dhe popujve.

A mund ta gjejmë “Heroin” tënd në Kosovë?

Heroi im gjendet kudo në Kosovë, Shqipëri, në Ballkan dhe thuajse në të gjithë botën. Secili vend në një mënyrë apo një tjetër ka kaluar ose po kalon nëpër momentet që kalon personazhi im. Sikurse tranzicionet në ish-shtetet socialiste, luftërat në vendet e ndryshme dhe pasojat e çdo lufte, madje edhe të asaj botërore i ndiejmë edhe sot e kësaj dite.

Ju keni qenë shpesh kritikë ndaj mënyrës sesi bëhet kinematografia sot në hapësirat shqiptare. Në fakt, çfarë ka që nuk shkon në këtë hapësirën tonë?

Sikurse të gjitha ish-shtetet socialiste, të cilat mbetën mbrapa në zhvillim edhe ne shqiptarët përqafuam atë fatkeqësi. Shpeshherë nga dëshira dhe vullneti për sukses, përfitime dhe lavdi, ne harrojmë kush jemi dhe cilën detyrë kemi. Vullneti për sukses dhe lakmia për përfitime shpesh na bën servilë, kopjues dhe shumë të dëmshëm për shoqërinë. Artistët janë detyruar të krijojnë tema për t’ua përshtatur shijeve dhe kërkesave të produksioneve të vogla ndërkombëtare, madje edhe atyre fiktive, vetëm sa për të ardhur te mundësia e krijimit të filmit. Kjo vërtet ka shkaktuar një çoroditje të kinematografisë sonë. Servilizmi na bën që të harrojmë kush jemi dhe si duhet ne t’i servojmë botës tregimet tona. Sot dëgjojmë kritika se kemi qeveri të korruptuara, popull të paemancipuar sa duhet, apo në pozita udhëheqëse kemi njerëzit të cilët nuk meritojnë pozitën. Kritika shpesh shkon te populli pse ata japin votën gjithnjë duke harruar të kritikohen artistët. Artistët janë të parët të cilët kanë detyrën të kulturojnë shoqërinë nga e cila buron gjithçka. Për këtë arsye artistët shkollohen, krijojnë dhe paguhen. Ne si artistë të emancipuar duhet të marrim përgjegjësitë tona të vërteta dhe jo të kërkojmë fajtorin diku tjetër. Prandaj konsideroj që duhet të jemi kritikë e autokritikë të marrim përgjegjësitë tona dhe të nisemi nga ajo se çka bëjmë ne për të tjerët.

Sa larg jemi të bërit filma që mund të jenë për “Oskar”?

Ne kemi të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për të krijuar kinematografi, madje për të qenë model në Ballkan. Ne kemi artistë të mrekullueshëm, kulturë të lashtë dhe histori të begatë si askush tjetër, tradita të veçanta dhe ambiente xhirimi që gjithkush në botë mund të na ketë lakmi. Nga male të larta me borë dhe plazhe përrallore, nga fusha me lule deri në vise shkëmbore dhe nga antikiteti në modernen. Ajo që na duhet dhe duhet të luftojmë me këmbëngultësi është autorësia dhe identiteti kulturor në kinematografi. Autorësia dhe identiteti është ajo që do të na bëjë të jemi NE në të vërtetë, tregimet tona t’i tregojmë si dëshirojmë ne dhe jo si dëshirojnë të na shohin të tjerët apo kërkojnë të tjerët. Të qenët vetvetja do të jemi atraktivë edhe për botën, tërheqës dhe interesantë për shikuesit ndërkombëtarë dhe motivojmë shikuesin kombëtar.

Filmi, kinematografia ka qenë një zgjedhje në jetën tuaj? Si hytë në këtë botë?

Në arte, së pari kam përfunduar aktrimin dhe pata fatin që nga viti i dytë të jem i angazhuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pandërprerë deri në diplomim. Pastaj u punësova dhe shumë shpejt dhashë dorëheqje nga të gjitha shfaqjet në Teatrit Kombëtar. Mendova se unë mund dhe duhet të beja më shumë. Si aktor, gjithnjë interpreton dhe shpreh mendimet e autorëve të tjerë, nuk ke mundësi të zgjedhësh temën për ta trajtuar dhe të thuash atë që ndien apo mendon. Mendova se filmi është mënyra më e mirë për të kontribuar për njerëzit. Sot filmi vërtet nuk ka kufi. Sot filmi ynë “Heroi” është shfaqur që nga Indonezia, Afrika dhe Europë, SHBA e deri në Meksikën e largët. Me filmin jo vetëm që mund të kontribuojmë në përmirësimin e vendit tonë, por mesazhet tona mund t’i dërgojmë deri në skajin më të largët të botës.

Si është të jesh një regjisor nga Kosova?

Të jesh regjisor në Kosovë dhe Shqipëri është e vështirë, por të jesh shqiptar është pasuri. Kjo do të thotë të kesh aq tema të veçanta dhe pasuri historike, besëtytni e legjenda, luftëra e histori individuale dhe të mos kesh mundësinë t’ua dhurosh botës këtë margaritar.

A ka ardhur koha për një film të bukur, në Kosovë?

Koha për filmin e bukur është gjithmonë dhe kudo në botë. Kosova dhe Shqipëria ka nevojë shumë për kultivim të shikuesit dhe sensibilizim të opinionit për rëndësinë e zhvillimit të kinematografisë. E them këtë bazuar në përfitimet që mund të sjellë filmi nëse i krijojmë infrastrukturë për distribucion kombëtar dhe ndërkombëtar. Qeveritarët tanë duhet të informohen se suksesi i pesë filmave i shpërndarë në nivel botëror mund të arrijë buxhetin e shtetit. Prandaj zhvillimi i kinematografisë është një poliedër përfitimesh.

Cilat sipas jush do të ishin politikat ndihmuese për kinematografinë?

Është i rëndësishëm rregullimi i infrastrukturës së shpërndarjes, ndërtimi i rrjetit të kinemave dhe mbrojtja e veprave autoriale jo vetëm vendore, por edhe ndërkombëtare. Ndalimi i piraterisë dhe shitja e ligjshme e veprave filmike tona dhe të huaja mundëson interesimin e shikuesit për të blerë film dhe për të shkuar në kinema. Kjo do të na bënte vende me interesim dhe kapacitet edhe për produksionet e huaja. Gjithashtu do të nxiste konkurrencën e mirëfilltë dhe konkurrenca ngre kualitetin. Sot në Kosovë ekzistojnë kinema vetëm në Prizren dhe Prishtinë, ndërsa në Shqipëri vetëm në Tiranë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button