Kadastra: 550 kulla drejt certifikimit të pronësisë
Rreth 550 kulla të identifikuara në zona të ndryshme të vendit do t’i nënshtrohen procesit të formalizimit, duke u pajisur me tituj pronësie për të garantuar siguri juridike për qytetarët dhe për të nxitur ruajtjen e kësaj pasurie të vyer kulturore.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës bëri të ditur se, procesi synon zgjidhjen përfundimtare të problematikave të pronësisë për këto objekte karakteristike, të cilat prej vitesh kanë funksionuar në kushte informaliteti, duke penguar investimet dhe restaurimin e tyre.
Pajisja me dokumentacion të rregullt ligjor pritet të krijojë mundësi të reja për zhvillim, veçanërisht në fushën e turizmit kulturor dhe agroturizmit.
Kullat, të përhapura kryesisht në veri të Shqipërisë, përfaqësojnë një element të rëndësishëm të arkitekturës tradicionale shqiptare dhe mbartin vlera të veçanta historike, kulturore dhe identitare. Formalizimi i tyre shihet si një hap i rëndësishëm për t’i dhënë një jetë të re këtyre objekteve, duke i integruar në zhvillimin ekonomik lokal.
Kadastra vuri në dukje se përmes këtij procesi, synohet jo vetëm garantimi i të drejtave të pronarëve, por edhe nxitja e investimeve për restaurimin dhe mirëmbajtjen e kullave, në përputhje me standardet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
Ky hap do të zhvillohet paralelisht me programin e rijetësimit të kullave, nismë që lidh trashëgiminë, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si pjesë e një strategjie më të gjerë për formalizimin e pasurive dhe për valorizimin e trashëgimisë historike të vendit, duke e kthyer atë në një aset të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovimin e identitetit shqiptar.
e.xh/j.p/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.