Rajoni

Kahraman në Beograd: Serbia ka një rol të madh në Ballkan

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë Ismail Kahraman, sot në Beograd tha se Serbia ka një rol të madh në Ballkan dhe me Turqinë ndan një pjesë të madhe nga e kaluara, por edhe ajo që vjen në të ardhmen.

“Serbia dhe Turqia nuk janë fqinj, por jemi miq të mirë, fqinj të afërt. Serbia ka rol të madh në Ballkan. Është e rëndësishme për ne dhe për Ballkanin. Kemi shumë gjëra të përbashkëta – kulturën, historinë, ne kemi shumë të përbashkëta për të ardhmen”, tha Kahraman pas takimit me Kryetarin e Parlamentit të Serbisë, Maja Gojkoviç.

Ai në konferencë për media në Kuvendin e Serbisë, tha se gjatë vizitës të fundit, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ishte pritur në mënyrë “madhështore, të ngrohtë dhe miqësore”, dhe se edhe ai me kolegët e tij nga Parlamenti i Turqisë në Beograd sot janë pritur ngrohtësisht.

Kahraman falënderoi Serbinë për mbështetjen që i ka dhënë Turqisë gjatë tentativës së grusht shtetit të 15 korrikut 2016 dhe për ekspozitën që ishte përgatitur këtë vit për të shënuar përvjetorin e grusht shtetit.

“Faleminderit për mbështetjen që na dhatë më 15 korrik 2016. Ju ishit pranë nesh në momentet më të vështira”, tha Kahraman.

Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Maja Gojkoviç shprehu kënaqësinë që Kryetari i Parlamentit turk e pranoi ftesën në një afat të shkurtër që të jetë mysafir i Serbisë.

Ajo vlerësoi se takimi i sotëm ishte përmbajtësor dhe se diskutuan nevojën e përmirësimit të bashkëpunimit mes dy parlamenteve, bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare, terrorizmin, por edhe miqësinë e dy vendeve.

Gojkoviç tha se dy parlamentet në vitin 2015 nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi dhe se tani kur ekziston një marrëveshje strategjike për bashkëpunimin mes dy vendeve, duan të nënshkruajnë memorandum mbi themelimin e një komisioni të përbashkët për monitorimin e bashkëpunimit në nivel të qeverive të Serbisë dhe Turqisë.

Ajo shtoi se edhe personalisht ishte siguruar në Ankara se parlamenti u bombardua gjatë seancës.

“Nënshkrova deklaratë të përbashkët me të cilën dënuam këtë akt dhe kjo ishte një shenjë e miqësisë së madhe midis popujve të Serbisë dhe Turqisë, e cila sot reflekton me bashkëpunim të madh dhe të thellë midis presidentëve tanë dhe qeverive”, tha Gojkoviç.

Ajo shtoi se Kahraman do të takohet me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, kryeministren Ana Brnabiç dhe përfaqësuesit e Vojvodinës.

“Dëshira jonë është që Turqia me investimet e saj të jetë e pranishme në të gjithë vendin tonë, si në jug ashtu edhe në Vojvodinë”, tha Gojkoviç.

Kahraman ka filluar dje një vizitë treditore në Serbi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button