Politika

Kandidatura për OKB-në në çastin e fundit, Shqipëria mbështet komisioneren europiane Kristalina Georgieva

Aktiviteti që shkaktoi tronditje në politikën e brendshme të Bullgarisë këtë javë ishte shpallja e kandidaturës së re bullgare për postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Kjo është Kristalina Georgieva, komisare evropiane për buxhetin dhe resurset njerëzore dhe zëvendëskryetare e Komisionit Evropian. Kandidati i deritashëm zyrtar, i përkrahur nga qeveria, ishte drejtoresha e përgjithshme e UNESKO-s Irina Bokova. Mirëpo, kjo përkrahje ishte me kushtin e shpallur nga Kryeministri Bojko Borisov që në votimin e fundit paraprak të Këshillit të Sigurimit të OKB-së Bokova të jetë e parë, ose  e dytë. Ajo mbeti në vendin e gjashtë, pasi në votimet më parë ajo ishte klasifikuar në vend të tretë dhe në vend të pestë.

Shpallja e kandidaturës së Kristalina Georgievës ishte shoqëruar me një stuhi të vërtetë politike dhe me kualifikime si “tradhti”, “humbje sovraniteti” etj. Kjo e fundit ishte aluzion se nominimi është bërë nën presion nga jashtë. Dhe me të vërtetë ka pasur sinjale se Gjermania dhe më konkretisht kancelarja Merkel nuk e pranon Irina Bokovën si gruaja e parë në histori dhe përfaqësuese e Evropës Lindore – kandidate për postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Sinjalet nga Brukseli, nga ana tjetër, janë pozitive sa i përket kandidaturës së Kristalina Georgievës. Imazhi i saj në institucionet evropiane është i shkëlqyeshëm. Ajo ka famën e një profesionisti të vërtetë, i cili punon në një mënyrë të ndershme dhe transparente. Tashmë erdhën letra nga Hungaria, Letonia dhe Kroacia, Rumania, Polonia, Shqipëria, Armenia, të cilat e përshëndesin vendimin e Bullgarisë dhe të cilat deklarojnë përkrahje ndaj kandidaturës së re. Që para dy javësh u bë e qartë se Kristalina Georgieva e ka përkrahjen e plotë të Gjermanisë. Sipas personave kompetentë, Britania e Madhe gjithashtu e përkrah bullgaren. Pritet përkrahje edhe nga ana e SHBA-së.

Paradoksi është se Irina Bokova mbetet në listën e kandidatëve për postin, megjithë vendimin e qeverisë bullgare për të propozuar kandidat të ri. Kjo u ripohua nga diplomati i Zelandës së Re Xherard Van Bohemen, i cili është në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë shtatorit. Situata e krijuar u shqyrtua në një mbledhje të mbyllur. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë kërkuar qëndrimin e Bullgarisë, në se ajo do të ketë një ose dy kandidatë. Në fakt Bullgaria do të ketë një kandidat të përkrahur zyrtarisht nga qeveria bullgare. Asambleja e përgjithshme e OKB-së do të dëgjojë kandidatin e ri bullgar ditën e hënë. Mirëpo, Rusia dhe akoma tri shtete nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së tashmë kanë vërejtje sa i përket nominimit të Geogievës, gjë që praktikisht mund ta bllokojë dëgjimin e saj. Ky është një kazus shumë interesant, sepse vetë Kristalina Georgieva vuri në dukje se e ka pranuar nominimin me dy kushte: të jetë përkrahur nga më shumë vende evropiane dhe të mos vendoset veto. Njëri kusht tashmë është zbatuar, por kushti i dytë varet kryesisht nga Moska. Do të ketë qartësi më 5 tetor, kur do të jetë votimi tjetër në Këshillin e Sigurimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button