KARDIF – Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut kërkojnë shkëputje nga BM-ja dhe rikthim në BE
– Liderët e partive nacionaliste të Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët në Kardif, duke konfirmuar të drejtën e popujve të tyre për vetëvendosje dhe duke i bërë thirrje qeverisë britanike të përgatitet për ndryshime kushtetuese, sipas “The Guardian”.
Marrëveshja u nënshkrua nga John Swinney, lider i Partisë Kombëtare Skoceze (SNP), Rhun ap Iorwerth, lider i Plaid Cymru në Uells, dhe Michelle O’Neill, zëvendëspresidente e Sinn Féin dhe kryeministre e Irlandës së Veriut.
Në takim mori pjesë edhe Mary Lou McDonald, presidente e Sinn Féin dhe liderja e opozitës në Republikën e Irlandës.
Në deklaratën e përbashkët, liderët theksuan se asnjë qeveri në Westminster, parlamenti britanik në Londër, nuk ka të drejtë të pengojë demokracinë apo të cenojë parimin, që popujt duhet të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.
Partitë kërkuan që qeveria e Britanisë së Madhe të përgatitet, të planifikojë dhe të lehtësojë ndryshimet kushtetuese në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut.
Megjithatë, secila prej këtyre vendeve ndjek një rrugë të ndryshme politike: SNP dhe Plaid Cymru mbështesin pavarësinë e Skocisë dhe Uellsit, ndërsa Sinn Féin kërkon bashkimin e Irlandës së Veriut me Republikën e Irlandës.
Marrëveshja shpreh gjithashtu një orientim të përbashkët drejt Evropës.
Liderët argumentojnë se dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, ka dëmtuar ekonomitë e tyre dhe ka kufizuar mundësitë e qytetarëve.
Ata shprehin besimin se e ardhmja e vendeve të tyre duhet të jetë brenda Bashkimit Evropian.
Takimi shënon një përpjekje për bashkëpunim më të madh mes forcave nacionaliste, por nuk përbën një vendim për shkëputje të menjëhershme nga Britania e Madhe.
Çështja e referendumeve dhe e ndryshimeve kushtetuese mbetet objekt debati politik dhe kërkon procedura të mëtejshme.
Qeveria britanike ka kundërshtuar vazhdimisht referendumet për pavarësinë e Skocisë dhe Uellsit, ndërsa në Irlandën e Veriut çështja e bashkimit me Republikën e Irlandës, lidhet me parashikimet e Marrëveshjes së së Premtes së Mirë të vitit 1998. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.