Nga Stavros Tzimas
Krerët e shteteve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen më 6 dhjetor në Tiranë për të diskutuar mbi të ardhmen e rajonit. Samiti mbahet në një kohë kur zhvillimet dramatike në Ukrainë po kërcënojnë të riaktivizojnë “çarjen” ballkanike, ndër shumë nga pasojat e tjera të luftës.
Për herë të parë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, udhëheqësit evropianë do ta gjejnë veten në “fushën” e brishtë ballkanike, dhe do të përpiqen të zbulojnë një mënyrë për gjetjen e një ekuilibri delikat midis zgjerimit të BE-së dhe rritjes së ndjenjës pro-evropiane tek qytetarët në këto vende.
Pushtimi barbar i Rusisë në Ukrainë dhe revizionizmi totalitar gjithnjë e më agresiv i Moskës, i ka treguar njerëzve në Ballkan dhe disa prej udhëheqësve të tyre, se çfarë kanë për t’iu ofruar rusët. Po ashtu ata po bëhen më të vetëdijshëm në lidhje me qëllimet e vërteta të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, teksa ky i fundit po synon të pozicionohet si një lojtar i fuqishëm në oborrin e tyre, por edhe për atë që mund të ofrojë në këtë tryezë Bashkimi Evropian.
Tani është momenti i favorshëm, dhe lidershipi politik i BE-së duhet të përfitojë prej tij në mënyrë që të ripohojë synimin e tij të fortë për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit për vendet kandidate. “Ky është momenti i së vërtetës për Ballkanin Perëndimor!”- deklaroi zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Margaritis Shinas javën e kaluar, duke u kërkuar me mirësjellje liderëve të BE-së që të marrin pjesë në samitin e Tiranës, për t’i dërgua një mesazh të fuqishëm popujve të Ballkanit se Evropa është në krah të tyre edhe në këto kohë të trazuara.
Shinas ka të drejtë. Mungesa në këtë takim e lojtarëve kryesorë si kancelari gjerman Olaf Sholc apo presidentit francez Emanuel Makron – apo e të dyve – do të dërgonte një mesazh krejtësisht të gabuar. Në lojë janë shumë gjëra, sidomos në aspektin gjeopolitik, ndaj nuk ka më vend për tradhti dhe paragjykime.
Dy zjarre po vlojnë tashmë në rajon, në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, dhe ato kërcënojnë që të përshkallëzojnë sërish tensionet. Popujt e Ballkanit Perëndimor duhet ta ndiejnë se “ombrella” evropiane po zgjerohet për t’i mbrojtur edhe ata, si në nivelin më të lartë me përshpejtimin e procedurave, por edhe në nivelin praktik, me një ndihme të dukshme në sektorin energjitik për t’i ndihmuar ata që të përballojnë dimrin që po vjen.
Në këtë aspekt, evropianët duhet të veprojnë si në shtëpinë e tyre, duke pasur parasysh varësinë pothuajse të plotë të Ballkanit nga gazi rus. Në kushtet aktuale, nuk mund të përsëriten me gabimet e së shkuarës siç ishin vonesave skandaloze në dërgimin e vaksinave kundër Covid-19, apo lejimi që turqit, rusët dhe kinezët të ndërhyjnë në rajon dhe të veprojnë si “samaritanë të mirë” me një kosto gjeopolitike të madhe. / “Kathimerini”/