Kërkesa e Bashës për Vettingun/ Xhafaj: Gjëja më absurde që kam dëgjuar në jetë
Duke folur për kërkesën e Partisë Demokratike për rinegocim të ligjit të vettingut, ligj që ka ngrirë ecurinë e reformës në drejtësi, kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj tha se nuk do të ketë ridiskutim për ligjet që janë miratuar.
Ai tha se kërkesa e Bashës është absurde dhe se PD po kërkon të kthejë reformën në një pazar politik.
“Gjëja më absurde që kisha dëgjuar ndonjëherë në jetën time parlamentare që kjo mazhorancë dhe kjo opozitë, domethënë partitë politike paskan fuqi të zhbëjnë dhe Gjykatën Kushtetuese.Partitë politike konsiderojnë më të rëndësishme një marrëveshje apo një pazar ndërmjet tyre se kështu duhet konsideruar kjo gjë sesa rëndësinë e veprimit kushtetues.
Nuk arrij dot ta kuptoj fare as kryetarin e PD dhe as vetë PD e cila nuk mori pjesë në debatin për projektligjine e vettingut, nuk u angazhuar fort për gjërat që ajo parashtroi sipas pikëpamjes së saj. E bëri një kauzë në Kushtetuese me të vetmin qëllim për të vonuar procesin, për ta penguar dhe shtyrë në kohë procesin. Sot kërkon atë që nuk mund të kërkojë një forcë politike serioze, që të mblidhen dy partitë politike dhe ti thonë Kushtetueses, ndërprite ti se ne vendosim kur ne biem dakord.
Çështja është në Kushtetuese, pavarësisht se unë kam qenë dhe mbetem aspak i bindur me vendimin e Kushtetueses për ta pezulluar vazhdimin e procesit të ligjit të vettingut. Gjithësesi respektoj institucionet kushtetuese në këtë vend dhe ne po presim me qetësi atë që është konsideruar çelësi i zgjidhjes ose qëndrimit që do të duhet të mbajë Kushtetuesja, opinionin e Venecias që javën e ardhshme do të jetë publik.
Shpresoj që Gjykata Kushtetuese të ketë qenë serioze në pyetjet që i ka dërguar Venecias duke u treguar po aq serioze në respektimin e përgjigjeve që do të marrë nga Venecia. Për ne qëndrimi i Venecias mbetet bazament mbi të cilin është ndërtuar ky proçes, janë ndërtuar dhe miratuar gjithë ky kuadër ligjor. Kjo do të jetë dhe prova e fortë e Kushtetueses për të respektuar atë opinion të këtij institucioni prestigjioz.
Sa na përket ne, pavarësisht se i kuptojmë shumë mirë qëllimet e disave brenda pushtetit gjyqësor edhe të kundërshtarëve politikë kemi respektuar me qetësi dhe do vazhdojmë të respektojmë me qetësi vendimmarrjen Kushtetuese”, tha Xhafaj.