Kerry: SHBA nuk i frikësohen Shtetit Islamik
Koalicioni ndërkombëtar kryen sulme të reja ajrore dhe kurdët avancojnë në Kobani
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka deklaruar dje se Shtetet e Bashkuara nuk do të frikësohen nga militantët e Shtetit Islamik (IS). Kerry ka thënë se Shteti Islamik mund të rritet në mbarë botën dhe se SHBA duhet të mbetet thellësisht e angazhuar në Lindjen e Mesme. Ai ka thënë se ky grup ka marrë më shumë toka dhe burime sesa Al Kaeda “në ditët e saj më të mira”. Kerry i bëri këto komente në Uashington, pas konfirmimit që Shtëpia e Bardhë bëri rreth vdekjes me ekzekutim makabër të punëtorit amerikan të ndihmave, Peter Kassig. Militantët e Shtetit Islamik dy ditë më parë publikuan një video, në të cilën ata pohonin se ia kishin prerë kokën atij dhe një numri të konsiderueshëm të ushtarëve sirianë pro qeverisë së Damaskut.
Koalicioni dhe kurdët avancojnë në Kobani
Ndërkaq, zhvillimet nga terreni duket se kanë njohur një dinamikë të re, edhe pse relative, pasi luftëtarët kurdë, kanë arritur të shënojnë një përparim të radhës në qytetin ndërkufitar Kobani të Sirisë, duke dëbuar militantët e Shtetit Islamik (IS), prej 6 ndërtesave ku ata po qëndronin prej ditësh. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Londër, ka njoftuar dje se forcat kurde janë zgjeruar me sulmet e tyre, më 18 nëntor, duke vrarë 13 militantë të IS. Përparimet e tyre kanë ardhur disa orë pasi koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA, ka zhvilluar katër sulme ajrore kundër militantëve islamikë të IS-it në Kobani, lokaliteti “i famshëm” i muajve të fundit që gjendet në kufi me Turqinë. Rami Abdulrahman, zyrtar i Observatorit Sirian, ka pohuar megjithatë se militantët e IS, kontrollojnë më shumë se 50% të qytetit kufitar.
SHBA: Rishikim politikave për pengjet!
Po ashtu, dje, si një reagim konkret në lidhje me ngjarjet e ditëve të fundit, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka urdhëruar rishikimin e politikave për lirimin e shtetasve amerikanë, që mbahen peng nga grupet militante jashtë vendit. Njoftimi në fjalë vjen vetëm një ditë pasi Uashingtoni konfirmoi vdekjen e punëtorit të saj të ndihmave, Peter Kassig, i cili është amerikani i tretë që ekzekutohet me prerje koke nga militantët e Shtetit Islamik. “Qëllimi i administratës ka qenë gjithmonë që të përdorë çdo burim të përshtatshëm brenda kufijve ligjorë, që të ndihmojnë familjet për të sjellë të dashurit e tyre në shtëpi”, – thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.