Kronika

Këshilli Mbikëqyrës i BSH mbron Fullanin, rrëzohet kërkesa e Ermelinda Meksit

Vjedhja e thesarit

Ish-deputetja e PS kërkoi hetimin për gjithë zinxhirin komandues

Nga Bledi Gilaj

Banka e ShqiperiseKëshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka dalë në mbrojtje të guvernatorit Fullani, duke hedhur poshtë propozimin e bërë në mbledhje për nxjerrjen e përgjegjësive dhe marrjen e masave përkatëse për të gjithë zinxhirin komandues. Ky propozim mësohet se është bërë nga ish-deputetja socialiste, Ermelinda Meksi, por i gjithë Këshilli Mbikëqyrës ka votuar kundër, duke pranuar vetëm disa sugjerime të tjera për rritjen e sigurisë në Bankën e Shqipërisë. Fillimisht, në mediet vizive u publikua informacioni se Meksi kishte kërkuar direkt shkarkimin e guvernatorit, por kjo u përgënjeshtrua më vonë nga Këshilli Mbikëqyrës, ndërkohë që vetë ish-deputetja nuk ka dhënë një përgjigje konkrete mbi këtë çështje, duke shpjeguar se në respekt të ligjit, ajo mund të flasë vetëm në Kuvendin e Shqipërisë.

Shkarkimi i Fullanit?

Pas përfundimit të mbledhjes, fillimisht u deklarua se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë rrëzoi propozimin e hedhur nga ish-deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, aktualisht anëtare e këtij këshilli, për dorëheqjen e guvernatorit Ardian Fullani. Sipas raportimeve, në mbledhjen e jashtëzakonshme të zhvilluar ditën e mërkurë, shtatë anëtarë të këshillit votuan për propozimin, i cili u hodh poshtë me gjashtë vota kundër dhe vetëm një pro. Guvernatori Fullani mban postin e kryetarit të këtij këshilli, ndërkohë që anëtarë të tjerë të tij janë: Petraq Milo, Ela Golemi, Elisabeta Gjoni, Dhori Kule, Ermelinda Meksi dhe Adrian Civici. Por, edhe nëse do të miratohej nga ky këshill që guvernatori Ardian Fullani të shkarkohej, propozimi duhet të merrte edhe votën në Kuvendin e Shqipërisë. Në orët e pasdites, ky informacion është hedhur poshtë nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së. “Në vijim të lajmit të publikuar në televizione, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë informon publikun se ky lajm nuk është i vërtetë. Në diskutimet e zhvilluara gjatë mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, ju bëjmë me dije se nuk ka pasur asnjë propozim nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Në lidhje me përmbajtjen e mbledhjes së djeshme, referojuni njoftimit për shtyp të Këshillit Mbikëqyrës të publikuar për këtë qëllim”, thuhet në reagimin e këshillit.

Ermelinda Meksi

Kurse ish-deputetja socialiste, duke dhënë një sqarim mbi këtë çështje, nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, ka deklaruar se kishte kërkuar masa për përgjegjësit, pa përjashtuar asnjë punonjës, që nga administratorët e deri te specialisti i fundit, megjithëse nuk flet drejtpërdrejt për Fullanin. “Në respekt të informimit publik për qëndrimin tim në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës, me përgjegjësinë e anëtares së Këshillit Mbikëqyrës, kam kërkuar që krahas detyrës për rishikimin e kuadrit rregullator që nxori ngjarja e rëndë në BSH, Këshilli Mbikëqyrës duhet të përdorë të gjitha instrumentet ligjore të disponueshme për adresimin e plotë të përgjegjësive në të gjithë strukturën e Bankës: nga administratorët, Këshilli Mbikëqyrës, e deri te specialisti më i fundit. Vetëm kështu mund t’i rikthehet besimi publikut se ngjarje të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen. Pavarësia e një banke qendrore ecën paralel me përgjegjshmërinë e të zgjedhurve për drejtimin e saj. Kjo situatë ka vënë të gjithë strukturën e BSH-së para një sprove të vështirë që duhet përballur me maturi e pjekuri. Për më shumë, në respekt të etikës dhe ligjit mund të shprehem vetëm para Kuvendit, si organi më i lartë i sovranit që më ka zgjedhur”, thotë Meksi. Po ashtu, ajo ka lënë në pikëpyetje përgënjeshtrimin e bërë nga Këshilli Mbikëqyrës për çështjen e shkarkimit të Fullanit, duke u shprehur se “deklaratat dhe vendimet e Këshillit Mbikëqyrës bëhen me aprovimin e shumicës” dhe duke mos shpjeguar nëse ajo ka qenë pjesë e aprovimit të deklaratës së fundit.

Vendimet e djeshme

Këshilli Mbikëqyrës, në deklaratën e vet, ka sqaruar dje edhe vendimet e marra me shumicë votash, ku është miratuar edhe një nga propozimet e Meksit. “Këshilli Mbikëqyrës i kushtoi një vëmendje të veçantë përcaktimit të një strategjie më afatgjatë për të garantuar administrimin sa më efektiv të rrezikut operacional në të gjitha hallkat e përpunimit dhe ruajtjes së parasë cash. Më konkretisht, për të rritur shkallën e sigurisë, Këshilli Mbikëqyrës, ndër të tjera, la si detyrë që përpjekjet në këtë drejtim të përqendrohen në rivlerësimin e të gjithë bazës rregullatore, procedurave dhe praktikave që lidhen me përpunimin dhe ruajtjen fizike të parasë cash nën asistencën e institucioneve dhe agjencive të specializuara ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin zyrtar. Po ashtu, u vendos që të forcohet bashkëpunimi me organet e zbatimit të ligjit për monitorimin e pastërtisë dhe figurës morale të punonjësve që mbajnë pozicione kyçe, si dhe të të ngarkuarve me vlera monetare.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës

Guvernatori Ardian Fullani, kryetar

Elisabeta Gjoni, zëvendëskryetare

Adrian Civici, anëtar

Dhori Kule, anëtar

Ela Golemi, anëtare

Ish këshilltari i Berishës, Petraq Milo, anëtar

Ish deputetja e PS, Ermelinda Meksi, anëtare

Reagimi

“Mirëpresim nismat në funksion të një sistemi të padepërtueshëm”

Qeveria: Masa për të garantuar sigurinë dhe pavarësinë e BSH-së

Pas më shumë se dy javësh nga publikimi i skandalit të vjedhjes së Thesarit, qeveria shqiptare, nëpërmjet një qëndrimi zyrtar, e dënon ashpër këtë akt dhe garanton në ndëshkimin e fajtorëve dhe pavarësinë e këtij institucioni. Një hetim i gjithanshëm dhe i shpejtë nga prokuroria do të sillte, sipas qeverisë, edhe zbardhjen e së vërtetës dhe vënien përpara drejtësisë të përgjegjësve të këtij krimi të rëndë ekonomik. “Qeveria e konsideron këtë akt të rëndë kriminal, një sfidë të madhe për drejtësinë në radhë të parë, duke nisur nga prokuroria që duhet të bëjë një hetim të gjithanshëm, të shpejtë dhe shterues për të ndëshkuar çdo person të përfshirë në krimin tronditës. Ky akt është po ashtu një sfidë e madhe për autoritetin dhe sigurinë e Bankës së Shqipërisë, e cila brenda kuadrit të pavarësisë së vet duhet të garantojë, përmes rishikimit të gjithanshëm të rregullave e mekanizmave të funksionimit të brendshëm, mospërsëritjen e asgjëje të ngjashme në të ardhmen. Duke mirëkuptuar shqetësimin publik për ngjarjen e rëndë në Bankën e Shqipërisë dhe duke u bashkuar me këtë shqetësim legjitim, qeveria e Shqipërisë e çmon me rëndësi po aq të madhe qoftë nevojën e një ndëshkimi shembullor nga drejtësia për fajtorët, qoftë nevojën e një qëndrimi shembullor të saj në respekt të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë”, thotë qeveria në reagimin e saj të parë.

Qëndrimi i saj u bë publik gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, mbledhje e fundit për këtë sesion. Ekzekutivi, duke e konsideruar aktin e vjedhjes sfidë të institucionit ligjvënës në vend, si dhe një sfidë të saj, thekson se tashmë e rëndësishme është marrja e masave të duhura ligjore për të garantuar pavarësinë e bankës, që në të njëjtën kohë do të sillte mirëfunksionimin e shtetit ligjor. “Por ky akt është edhe një sfidë e madhe për pushtetet e tjera vendimmarrëse, Kuvendin dhe qeverinë, që të analizojnë e të konkludojnë në mënyrë konstruktive e në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, mbi nevojat e masat e duhura ligjore për të garantuar, në respekt të plotë të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, një sistem solid kontrolli e transparence të veprimtarisë së këtij institucioni kyç për mirëfunksionimin e shtetit shqiptar”, thuhet në reagimin e qeverisë.

Deklarata, e cila thjesht u publikua në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, në asnjë rresht të saj nuk përmendte emrin e guvernatorit të përgjithshëm të bankës, i cili së fundmi ka qenë pre e akuzave të qytetarëve të ndryshëm, referuar këtu edhe shtimit të pasurisë së tij ndër vite. Teksa premton ndjekjen në çdo hap të veprimeve të organeve të drejtësisë në lidhje me hetimet e kësaj vjedhjeje, Këshilli i Ministrave është shprehur i gatshëm që me kompetencat që i jep ligji të luajë rolin e vet në çdo nismë që do të ndërmerret për sigurinë dhe funksionimin bankës qendrore.

“Qeveria i siguron të gjithë shqiptarët se po e ndjek me shumë vëmendje ecurinë e veprimit të organeve të drejtësisë për zbardhjen e plotë të krimit tronditës në Bankën e Shqipërisë dhe është e vendosur të luajë rolin e vet për çdo nismë që do të mund të nevojitet në funksion të një sistemi të padepërtueshëm sigurie në funksionimin e Bankës Qendrore të shtetit shqiptar”, garanton qeveria. Anëtarë e kabinetit qeveritar njëzëri në këtë deklaratë, duke e cilësuar Bankën e Shqipërisë si një prej institucioneve të pavarura në vend, thonë se lufta ndaj korrupsionit dhe krimit, detyra që iu lanë Shqipërisë para marrjes së statusit të vendit kandidat, do të vijojnë të jenë prioritetet kryesore të tyre. “Viti 2014 shënoi për shqiptarët dhe Shqipërinë suksesin e madh të marrjes së statusit të vendit kandidat për Bashkimin Europian. Marrja e statusit erdhi pas kaq vitesh si pasojë e drejtpërdrejtë e vullnetit të kësaj qeverie të Aleancës për Shqipërinë Europiane, për të luftuar korrupsionin e krimin, por edhe për të respektuar dhe nxitur forcimin e pavarësisë së institucioneve që njihen nga Kushtetuta e Republikës si të tilla. Banka e Shqipërisë është njëra prej tyre”, sqarohet në deklaratën zyrtare të qeverisë. A. Hoxha

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button