Këshilltarët e PD, takim me biznesin: Jo taksa në këtë nivel
Përfaqësues të Partisë Demokratike, deputetë dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës kanë zhvilluar takime në terren me biznesin e vogël, në lidhje me 10-fishimin e taksave që ka bërë sipas tyre kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.
Anëtarja e Këshillit Bashkiak, Ariana Çela në komunikimin me bizneset e vogla të njësisë 4 në Tiranë, u shpjegoi atyre se çfarë ka ndodhur konkretisht.
“Ne kemi bërë përpjekje shumë të mëdha për të mos miratuar paketën që solli Veliaj për të rrritur taksat e biznesit të vogël, sepse kemi qenë të bindur që taksat kanë qenë të papërballueshme për t’u paguar nga ju. Për fat të keq, bëhet fjalë për një paketë fiskale që ka mundësuar rritjen e taksës së ndërtesës”, tha Çela, e cila u tregoi tregtarëve disa dokumente për t’u shpjeguar sa kanë qenë taksat dhe sa janë bërë.
“Sipërfaqja e dyqanit, nga 280 lekë për metër katror që ka qenë është bërë 440 lekë për metër katror. Tarifa e pastrimit, nga 100 mijë lekë të vjetra është bërë 200 mijë lekë të vjetra. Është shtuar dhe një tarifë e re për infrastrukturën arsimore, 18 mijë lekë si familjarë, ndërsa 40 mijë lekë të reja për biznesin e vogël”, sqaroi Çela.
“Nuk e di a jeni në dijeni të këtyre tarifave, apo rritjes së taksave. Ne jemi shprehur kundër që më datë 30 dhjetor, kur kaloi dhe tani kemi kërkuar rishqyrtim të tyre”, u shpreh këshilltarja demokrate.
Nga ana e tyre, tregtarët e vegjël thanë se janë kundër këtyre masave dhe taksave dhe u shprehën se pavarësisht, askush nuk e bën pastrimin në zonën e tyre.
Ndërsa deputeti i PD, Myqerem Tafaj theksoi se: “Edhe ne si opozitë jemi absolutisht për pagesën e taksave, por jo në këtë nivel. Sepse këtu po e shohim që xhiro ditore është tepër e ulët, pra që nuk justifikon të tilla taksa”, tha ai