Bota

Këto mund të jenë “fotot e fundit” nga Hong Kongu (Foto)

hong-kongPjesa më e madhe e popullit kinez nuk mund të shfrytëzoj rrjetin social Instagram, që besohet se është bllokuar nga autoritetet kineze, të cilët nuk dëshirojnë të rrjedhin fotot e protestave masive që kanë shpërthyer në këtë vend aziatik.

Pasi protestat u intensifikuan në Hong Kong, mediat lokale raportojnë se në pjesën më të madhe të Kinës nuk mund të shfrytëzohet Instagrami, transmeton Telegrafi.

Supozohet se me bllokim të faqeve të internetit, Kina dëshiron të parandaloj publikimin e fotografive të përleshjeve mes policisë dhe protestuesve. Protestuesit pohojnë se ka pasur një proces jodemokratik zgjedhor në Hong Kong, ku në vend të zgjedhurve me direktivë nga Kina, dëshirojnë ti zgjedhin përfaqësuesit e tyre me anë të votës së lirë.

Ndërsa, policia gjatë ditës së sotme ka njoftuar se deri më tani janë arrestuar 78 persona, ndërsa 26 janë të plagosur.

Mijëra protestues pro-demokracisë kanë bllokuar rrugët e Hong Kongut, duke injoruar thirrjet e autoriteteve për t’u larguar.

Turmat e njerëzve kanë qëndruar gjatë gjithë natës në rrugët e qytetit, pas përleshjeve të një dite më parë me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë demonstruesit.

Rreth 3000 persona kanë bllokuar rrugën më të madhe në Mongkok, ndërsa një turmë prej rreth 1000 personash u përball me policinë në lindje të Hong Kongut.

Të hënën, qeveria e Hong Kongut tha se policia speciale kishte arritur të shpërndante turmat dhe se situata ishte e qetë, por në fakt disa shkolla dhe banka u mbyllën si pasojë e kaosit dhe trafikut të krijuar.

Protestat nisën për shkak të zgjedhjeve të vitit 2017, ku protestuesit kërkojnë një proces demokratik dhe reforma politike.

Kreu ekzekutiv i Hong Kongut, CY Leung, ka siguruar publikun se zërat për një ndërhyrje të ushtrisë kineze janë të pavërteta.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën, protestuesit i bënë thirrje Leungut të japë dorëheqjen, duke thënë se “vetëm kjo do të bëjë të mundur nisjen e procesit të reformave politike dhe të shënojë përfundimin e krizës”.

Ndërkohë analistët thanë se udhëheqësit e Partisë Komuniste në Pekin janë të shqetësuar se thirrjet për demokraci mund të përhapen edhe në qytetet e tjera.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button