Kendi i Kikos

Kiko letër ankesë BERZH-it : Shqiptarët nuk janë më të palumturit!

Nga Lutfi Dervishi

I tronditur nga lajmi i një ankete të BERZH sipas të ëilit shqiptarët nga njerëzit më të lumtur më 2006, rezultojnë njerëzit më pak të kënaqur me jetën më 2023, majmuni Kiko i shkroi një letër të gjatë BERZH dhe për dijeni Bankës Botërore, OKB-së, NATO-s dhe për dijeni edhe BE-së.

I nderuar Drejtor,

Rezultatet e anketës tuaj për lumturinë e njerëzve në rajonin e Europës Juglindore jo vetëm që deformojnë realitetin, por edhe kanë ngjallur indinjatë të thellë te popullata sidomos në Shqipëri.

Numrat mund t’i rregulloni si të doni, por faktet janë fakte. Shqipëria për dijeninë tuaj ka pritur 10 milionë turistë vetëm vitin e fundit. Shqipëria ka rritur rrogat e deputetëve dhe zyrtarëve. E ku ka popull më të lumtur se ai popull që sheh shërbëtoret e tij publik të kënaqur?! Leku, monedha shqiptare ka dërrmuar euron, ka mbytur dollarin dhe ka thërrmuar paundin britanik. Importi i bananeve nga Amerika Latine është 100 fishuar krahasuar me 2006.
Si mund të jenë shqiptarët të pa lumtur kur jetojnë në një vend me 300 ditë diell dhe me një qeveri që zgjohet dhe fle vetëm duke menduar për të mirën publike?!

Mos thellimi në shkaqet që kanë çuar në renditjen që keni bërë publike nuk ju nderon ju si institucion dhe fyen logjikën si të njerëzve ashtu edhe të inteligjencës artificiale.

E para, duhet të kuptoni se shqiptarët nuk janë si popujt e tjerë që zhyten në guackën e vet dhe nuk duan t’ia dinë se çfarë ndodh rrethe e rrotull. Për shkaqe historike, shqiptarët janë të ndjeshëm ndaj padrejtësive dhe nuk i zë gjumi përgjithçka që ndodh në botë.

Eshtë e vërtetë se më 2006 kanë qenë populli më i lumtur në rajon, por gjatë këtyre 17 viteve kanë ndodhur shumë gjëra të pa këndshme. Dhe mos harroni shqiptarët ende nuk e kanë kaluar pikëllimin dhe vuajtjen për luftën në Ukrainë. Ende nuk i janë tharë lotët për konfliktin e përgjakshëm që vijon në Gaza dhe ende nuk po flenë gjumë rehat për rreziqet që i kanosen njerëzimit nga Inteligjenca Artificiale.

Për më tepër gjatë këtyre 10 viteve të fundit, një milionë shqiptarë të lumtur, lanë atdheun vetëm e vetëm që të rrisin indeksin e lumturisë në vende depresive si Gjermania, Anglia, Italia, Greqia. Këtë kontribut kontinental të shqiptarëve nuk mund t’a mohoni me sondazhet tuaja që nuk e kemi të qartë se kush i financon.
Në raport thoni (pa u thelluar) që është dyfishuar lumturia te grekët. Po të investigoni sadopak do të shihini kontributin madhor të shqiptarëve për lumturinë e Greqisë.
Nëse nuk jeni të bindur për lumturinë që po përjetojnë shqiptarët në Shiqpëri, kjo do të thotë se nuk i shikoni lajmet e televizioneve që pasqyrojnë me besnikëri realitetin. Në lajme këtu unë shoh vetëm arritje, suksese dhe mrekulli. Nuk e di ku i kanë parë lajmet ata që kanë bërë anketën, por e sigurtë është që nuk janë informuar në Shqipëri.
Ju mund të mos gjeni njerëz të qeshur në rrugë dhe sheshe, por arsyeja nuk ka lidhje me gjendjen në Shqipëri, por me turbullirën emocionale që po kalon demokracia në vendet euro-atlantike
Aq mbarë ecin punët në këtë vend, sa Kryeministri shumiën e kohës e kalon me hallet e rajonit, të BE-së dhe globit.

Në pritje të korrigjimeve eventuale të indeksit të lumturisë
Pa shumë respekt për punën tuaj
Majmuni Kiko.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button