Kinematografia shqiptare vuan nga skenarët e dobët
Edicioni i 66 i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin/ Drejtori i QKK-së, Ilir Butka, tregon për prezantimin e kinematografisë shqiptare në Europian Film Market
Skenari mbetet një nga elementet më problematike të prodhimit tonë kinematografik. Ilir Butka, drejtor i Qendrës Kinematografike, vazhdon ta lidhë krizën e kinematografisë shqiptare me skenarët e dobët mbi të cilët ndërtohen prodhimet kinematografike. Këto ditë ai ndodhet në Berlin, për të kryesuar prezantimin e filmit shqip në Europian Film Market, si pjesë e hapësirës ku po mbahet edicioni i 66 i Festivalit të Filmit në Berlin, njohur ndryshe si Berlinalja. Shqipëria duket ende larg prezantimit me një prodhim të sajin në ekranin e madh të Berlinales, dhe pse vjet produksioni shqiptar mundi të ngjiste në këtë festival një film që fliste shqip “Virgjëreshat e përbetuara” të regjisores italiane Laura Bispuri. Ka qenë filmi kosovar “Babai” ai që u shfaq në ekranin e festivalit, por jo si konkurrent. Sipas drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, filmi u prit me shumë vëmendje nga publiku. Por pavarësisht emocioneve të “Babait”, Shqipëria dhe Kosova duket se janë ende në fazën ku duhet të punojnë fort për të mbërritur në prodhime të tilla, të cilat nuk kërkojnë vetëm përmirësime në skenar, por dhe buxhete të mëdha, përtej atyre që dy qendrat tona kinematografike kanë kapacitet të ofrojnë.
Si do ta vlerësonit edicionin e 66 të Berlinales?
Kur flasim për edicion e një festivali të rëndësishëm si ky i Berlinit nënkuptojmë një numër të madh seksionesh dhe aktivitetesh që i bashkëngjiten dhe e shoqërojnë gjatë zhvillimit të tij. Qendra Kombëtare e Kinematografisë këtë vit, sikundër edhe vitin e kaluar, ishte pjesë e European Film Market (EFM).
Si ishte prezantimi i Qendrës në këtë kënd të Europian Film Market, a pati ndonjë ofertë konkrete nga bisedimet…?
Kishim organizuar shumë takime, por nuk e di sa mund të ketë interes jashtë sferës profesionale. Një pjesë e takimeve janë rutinë për të informuar kolegët me zhvillimet më të fundit në aspektin e projekteve të financuara dhe nevojat që kemi për bashkëprodhim. Kanë ardhur për t’u interesuar selektorë festivalesh nga vende të ndryshme të cilët janë gjithmonë e më shumë të interesuar për filmat shqiptarë. Për shembull, nga Festivali i Venecias, erdhi një përfaqësues i cili u interesua për filmat tanë të shkurtër. Gjithashtu një organizator festivali nga SHBA u interesuan për filma ballkanikë dhe konkretisht nga Shqipëria. Ndërkohë producentët dhe regjisorët të cilët kanë fituar mbështetjen financiare të QKK-së kanë organizuar këto ditë takime intensive për projektet e tyre me bashkëprodhuesit e mundshëm si edhe me institucionet e huaja që mund të mbështesin financiarisht këto projekte.
Si drejtues i Qendrës Kinematografike, e cila në njëfarë mënyre ndan dhe buxhetet për prodhimet kinematografike, çfarë, sipas jush, do të prodhonte një film për të qenë pjesë e eventeve të tilla si Berlinalja?
Skenari, skenari, skenari. Skenari do të mbetet një nga elementet më problematike të prodhimit tonë kinematografik, nga i cili varet ndërtimi i interesit të selektorëve të festivaleve ndaj filmave tanë. Duke e konsideruar këtë mungesë, QKK ka planifikuar të organizojë një sërë workshope-sh që kanë si target pikërisht skenarin. E kemi organizuar një workshop të rëndësishëm me EAWE, që është një nga organizatat më të mira europiane për organizimin e eventeve me karakter formues dhe trajnues. Kishim organizuar këto ditë në Berlin një takim dhe morëm propozimin e një tjetër organizate, MAYA Workshop për organizimin e trajnimeve për kineastët e rinj, ku parashikohet edhe skenari si argument. Gjithashtu u takuam me përfaqësuesit e MFI script me të cilët do të diskutojmë modalitetet për të organizuar së bashku kurse trajnimi për kineastët e rinj shqiptarë. Duke u kthyer tek skenari, ai është elementi thelbësor për një projekt dhe nga ky element varet fati i të gjithë projektit. Një projekt me një skenar të mirë mund të fitojë mbështetje nga forumet e pafund të cilat mirëpresin skenarët përpara se ato të integrohen në një projekt, duke i hapur kështu mundësi të mëdha në konkurueshmërinë dhe mbështetjen e mundshme nga fondet publike institucionale dhe nga kompanitë e ndryshme me profil të lartë profesional. Kjo është rruga e mundshme drejt ndërtimit të projekteve potenciale që do të tërheqin vëmendjen e sensorëve të industrisë së filmit dhe të festivaleve.
Ndoqët ndonjë nga filmat në konkurrim?
Nuk munda të ndjek asnjë nga filmat në konkurrim, sepse edhe pas mbarimit të orarit zyrtar të EFM vazhdojnë takimet informale me miq dhe kolegë, ku konsultohemi dhe diskutojmë rreth mundësive që ekzistojnë për bashkëpunime midis nesh, koordinime aktivitetesh dhe aplikime të përbashkëta në fondet e ndryshme europiane që ekzistojnë. Këtë vit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë u paraqit në stendë së bashku me Media Desk Albania, e cila nxit bashkëpunimet ndërkombëtare me qëllim aplikimin bashkërisht në programin Media, që është një oportunitet i madh për mbështetjen e projekteve tona.