Opinion

Klasë politike që të gajas!

Nga: MIMOZA KOÇIU

Sbasha_koncertihqipëria, me 2.8 milionë banorë sipas Censusit të fundit, në bisht të procesit të integrimit europian në raport me fqinjët, merr statusin
e fitoi statusin e vendit kandidat 5 vjet pasi ka aplikuar për të dhe organizon plot tri ceremoni festive të rastit: një nga qeveria, një nga bashkia e një nga Presidenti. Më qesharakë se kaq, nuk do kemi shans të bëhemi dot, e këtë po arrijmë ta bëjmë të gjithën vetë, me forcat tona. Ka dy arsye përse festa nuk është e drejtë e klasës sonë politike. Së pari, sepse kjo klasë politike ka më shumë arsye të turpërohet, sesa të mburret për marrjen e statusit të vendit kandidat, pasi aktorët politikë nuk kanë ndryshuar që prej vitit 1992, kur Shqipëria vendosi zyrtarisht marrëdhënien me BE-në. Të njëjtët aktorë, me rotacion kanë qeverisur e vendosur për të ardhmen e këtij vendi në këto dy dekada. 

Maqedonia e ka marrë statusin e vendit kandidat që në vitin 2005 e duket se përpara emrit të vet, nuk e vendos integrimin në strukturat euroatlantike; Mali i Zi, që u shpall shtet i pavarur vetëm në 2006-ën, i ka hapur negociatat e anëtarësimit që në qershor të 2012-ës; ndërsa Serbia me gjithë problemet e njohura të brendshme e të jashtme, i ka hapur negociatat e anëtarësimit në janar 2014. Të tria këto vende fqinje janë shumë përpara nesh në procesin e anëtarësimit drejt BEsë. Cilat janë vallë arsyet që Shqipëria, ende nuk ka një afat në mendjen e saj së pari, se kur do realizojë hapjen e negociatave, që të arrijë së paku fqinjët? Statusi u dha me shumë vonesë, e hapja e negociatave po paralajmërohet nga vetë “heronjtë politikë” si një rrugë e gjatë, një ngjitje mali, ku “sa më lart të ngjitesh, aq më larg të duket maja”. Shqipëria e vogël është i vetmi vend ku konfliktet politike kanë dominuar e ndikuar në të përditshmen e vendit, duke u bërë jo pak herë problem i jashtëm. Miqtë ndërkombëtarë janë lodhur jo pak me klasën tonë politike, njësoj konfliktuale si në pozitë a opozitë; mjafton të kujtojmë ecejaket e tyre në Shqipëri për të “pajtuar” palët pas betejës politike të radhës, që aktivizonte menjëherë bojkotin, bllokimin, pa e çarë kokën se kjo sjellje kishte ndikimin e vet në proceset integruese të vendit. A ishte statusi një arritje e klasës politike? 

Po të ishte kështu, duhet të pranojmë se Shqipëria ka një shtet të së drejtës, një shtet të sigurt e social për qytetarët e vet, një vend ku korrupsioni është përjashtim rregulli e jo normë. E të gjithë e dimë se ky nuk është aspak profili i Shqipërisë. Në fakt, përveç lobimeve intensive qeveritare se shqiptarët kanë pritshmëri të larta, e se për shkak të zvarritjes, entuziazmi i tyre për hyrjen në BE po ulet vit pas viti, mosdhënia e statusit do kishte qenë një zhgënjim i pariparueshëm edhe për vetë BE-në e filozofinë e saj të shpallur, se “zgjerimi është zgjidhja e jo problemi” për klubin 28 anëtarësh. Prandaj kjo klasë politike nuk ka arsye për të festuar. Nëse duhej patjetër një festë, ajo duhej të ishte një event ku politika të vinte modeste dhe kokulur, falënderuese për durimin e pacak të qytetarëve, që kanë qenë më europianë se liderët e tyre, duke u dhënë vazhdimisht shansin e radhës të njëjtëve aktorë, të paaftë për ta çuar Shqipërinë, të paktën në nivelin ku kanë arritur fqinjët tanë. 

Falënderuese për qytetarët që i kanë mbajtur peng e tërhequr zvarrë, me politikën e tyre agresive, me akuza e kundërakuza të të gjitha llojeve, e për çdo nivel të shtetit e institucioneve, me bllokime e bojkote deri në zgjedhjet e radhës. Vënia e axhendave partiake mbi ato të së ardhmes së vendit, mungesa e kulturës së dialogut politik, mungesa e tolerancës bazike qytetare dhe betejat e ditës, sa shterpë, aq edhe pa kuptim, janë të gjitha arsye për të cilat kjo klasë politike duhet t’u kërkonte ndjesë qytetarëve të vet. Në vend të përunjësisë, kjo klasë politike, nis garën e mburrjeve qesharake për një status të stërvonuar, që prapë e lë në bisht Shqipërinë, për nga progresi drejt BE-së në raport me fqinjët e vet. Kjo klasë politike që ka harxhuar kohë e energji për betejat e veta partiake, si beteja e certifikatave në vitin 2007, kur tryeza e partive tek Presidenti Moisiu u zhbllokua vetëm kur i dërguari i shefit të OSBE-së në Vjenë, mbërriti për pak orë në Tiranë; apo në vitin 2010, kur as ecejaket gati njëvjeçare të Fyles e Lajcakut nuk bindën pozitën e opozitën të gjenin gjuhën për të ardhmen e vendit në tryezën e Presidentit Topi. E njëjta klasë politike, as u skuq e as u zverdh, as kur u mor përdore e u ul në tryezën e pajtimit në restorant “Krokodili” në Strasburg. E po aq pa skuqje e kaloi edhe braktisjen demonstrative të një eurodeputeteje proshqiptare si Doris Pack, të mbledhjes së Komitetit të Stabilizim-Asociimit. Pack u indinjua, sepse në një tryezë ku diskutohej e ardhmja e vendit, shqiptarët ndezën zjarrin e akuzave reciproke. Arsyeja e dytë se përse kjo klasë politike nuk ka jo arsye, por as të drejtë të festojë, është se statusi i vendit kandidat, jo vetëm që nuk po u frymëzon vizionin europian, por po u nxjerr më në pah tiparet e mendësisë mesjetare, të ndarjes edhe për gëzime. 

Kjo klasë politike, as nuk arrin të bashkohet mes vetes qoftë edhe formalisht, e as të bashkojë gjithë qytetarët në këtë moment gëzimi të vonuar. Një mungesë reflektimi për një klasë politike që vijon të përkujtojë ndarazi Ditën e Dëshmorëve, të Flamurit, të Çlirimit, e madje edhe një festë pagane si Festa e Verës. Në fund të listës së BE-së, Shqipëria është ‘de facto’ vendi ku klasa politike nuk merret vesh as për simbolikat e veta kombëtare, por gjen energjinë, t’i qajë hallin rajonit, e të vrasë mendjen si të kontribuojë në të ardhmen së tij, pa një plan a ide se si mund të merret vesh më parë në shtëpinë e vet. Akoma më keq, kjo klasë politike po përpiqet të “na mësojë” përdhunshëm me këtë ndasi, duke na e kthyer në normë standarde, edhe pse as që u avitet atyre standardeve që mburret se synon të përmbushë. Sepse festimet e ndara, i japin kësaj klase politike emocionin e së përditshmes. Kjo, pasi edhe në këtë lloj eventi, zgjedhin që të jenë më miqtë e shokët, ata që “u lartësojnë” ditë pas dite këtë mendësi arkaike, që u bëjnë fresk, më shumë nga interesi i momentit sesa nga logjika e detyrës. Me ata njerëz që vazhdojnë t’u ushqejnë rrezikshëm “unin”, si reminishencë e pashqitshme e komunizmit, që na shpaloset përditë me “qeveria ime”, “skuadra ime”, “fitorja ime”, “merita ime” e në çdo rast “faji i atij tjetrit”. Prandaj, marrja e statusit të vonuar kandidat i BE-së, bëhet me festë, edhe pasi i ke anatemuar festimet e paraardhësit. 

Qeveria quan anadollake festimet me fishekzjarrë e Çiljetën (që anatemohet për shkak se siguron jetesën me një muzikë të caktuar; kur në këtë vend nderohet çdokush që nuk arrin të justifikojë stilin e jetesës me të ardhurat e deklaruara), e modern konsideron një event me monologë vetëlavdërues përpara një plateje me shokë e miq. Kurth në të cilin bie edhe pala tjetër, opozita, kur para një plateje me qytetarë, ofron muzikë klasike, edhe pse ajo nuk është aspak preferenca dominuese e qytetarëve. Si qytetarë kemi të drejtë të gajasemi me këtë klasë politike, që, edhe pse Shqipëria është në fund të listës së vendeve të rajonit për integrimin, gjen kurajën të festojë, e ndarë, e madje edhe të mburret për këtë arritje të stërzgjatur nga ajo vetë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button