KLD dhe MD i përgjigjen Prokurorisë: Janë marrë në shqyrtim të gjitha ankesat
Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë reaguan lidhur me ankesat e shprehura nga Prokuroria për vendimet e marra nga disa gjyqtarë.
Ministria e Drejtësisë në reagimin e saj zyrtar inkurajon Prokurorinë e Përgjithshme në evidentimin e rasteve që përbëjnë shqetësim për sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik, ndërsa garanton se do të ndjeki me vëmendje dinamikën e këtyre rasteve, me qëllim rritjen e transparencës në vendimmarrjen e gjykatave, në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës.
Nga mbledhja e KLD-se FoNga mbledhja e KLD-se Foto ATSH (ARKIVE)to ATSH (ARKIVE)
KLD nga krahu tjetër sqaron në detaje qendrimin e saj lidhur me ankesat e organit të akuzës. Fillimisht bëhet e ditur se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është njohur zyrtarisht me kërkesat e ardhura nga Prokuroria e Përgjithshme, në datat 30.07.2014 dhe 31.07.2014, për verifikimin procedurave të vendimmarrjes për disa gjyqtarë. Si kurdoherë, Inspektorati i KLD-së, sapo është vënë në dijeni të shkresave zyrtare ka nisur shqyrtimin paraprak në përputhje me aktet ligjore në fuqi.
Në përputhje me procedurat ligjore, nga shqyrtimi paraprak, Inspektorati i KLD-së, ka konkluduar se gjyqtarët I.H, dhe L.F, do verifikohen për mosrespektim formal të ligjit. Ndërsa për gjyqtarët A.L, Gj.G dhe S.D, në Gjykatën e Apelit Vlorë, nga Inspektorati i KLD-së është konstatuar se ky rast është inspektuar nga Ministria e Drejtësisë në mars 2014, fakt i cili është bërë publik edhe në media. Për pasojë, është konkluduar se ankesa duhet t’i përcillet për trajtim Ministrisë së Drejtësisë me qëllim shmangien e dublimit të verifikimit.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë siguron Institucionin e Prokurorisë dhe çdo Institucion tjetër se çdo kërkesë e përcjell zyrtarisht në protokollin e Këshillit do shqyrtohet me përparësi në përputhje me aktet ligjore në fuqi, si dhe kurdoherë brenda një afati sa më të shkurtër kohor.
Konkretisht KLD sqaron:
1. Prokurori i Përgjithshëm ka paraqitur në KLD ankesën nr. 2645 prot., datë 30.07.2014, me anë të së cilës ngre pretendime për mosrespektim formal të ligjit nga gjyqtarja I.H në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier në dhënien e një vendimi në procedurën e ekstradimit të shtetasit shqiptar A.I. drejt Republikës së Italisë. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të “pjesëmarrjes në organizatën kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Sipas ankesës së Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak të vendimeve gjyqësore të dhëna, ky shtetas është liruar nga arresti në burg.
Pas shqyrtimit paraprak të kësaj ankese nga Inspektorati i KLD-së është konkluduar se ankesa duhet të verifikohet për mosrespektim formal të ligjit nga gjyqtarja I.H. Gjithashtu, është vlerësuar të njoftohet Ministria e Drejtësisë për këtë verifikim, me qëllim shmangien e dublimit të verifikimit.
2. Prokurori i Përgjithshëm ka paraqitur në KLD ankesën me nr. 2646 prot., datë 30.07.2014, me anë të së cilës ngre pretendime për mosrespektim formal të ligjit nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë në dhënien e dy vendimeve të ndryshme gjyqësore, një prej të cilëve i përket gjyqtarit L.F. Konkretisht pretendohet se vendimet lidhen me shtetasin shqiptar E.S, i arrestuar më 30.04.2012 nga policia e shtetit, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për veprat penale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale” dhe të “trafikimit të lëndëve narkotike”. Gjithashtu, ndaj këtij shtetasi në vitin 2014 ka filluar edhe procedimi penal në Republikën e Shqipërisë për veprat penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike të parashikuar nga neni 283/1 i K.Penal dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” të parashikuar nga neni 278/2 i K.Penal. Sipas ankesës së Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak të vendimeve gjyqësore të dhëna, ky shtetas është liruar.
Pas shqyrtimit paraprak të kësaj ankese nga Inspektorati i KLD-së është konkluduar se ankesa duhet të verifikohet për mosrespektim formal të ligjit lidhur me procedimin penal ndaj tij për veprat penale të kryera në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, është vlerësuar të njoftohet Ministria e Drejtësisë për këtë verifikim, me qëllim shmangien e dublimit të verifikimit.
3. Prokurori i Përgjithshëm ka paraqitur në KLD ankesën nr. 2659 prot., datë 31.07.2014, me anë të së cilës ngre pretendime për mosrespektim formal të ligjit nga gjyqtarët A.L, Gj.G dhe S.D në Gjykatën e Apelit Vlorë në dhënien e një vendimi në procedurën e ekstradimit të shtetasit shqiptar V.Z (alias A.G.) drejt Republikës së Italisë. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprat penale të “prostitucionit dhe të pjesëmarrjes në organizatën kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Sipas ankesës së Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak të vendimeve gjyqësore të dhëna, ky shtetas është liruar nga arresti në burg.
Gjatë shqyrtimit paraprak të kësaj ankese nga Inspektorati i KLD-së është konstatuar se ky rast është inspektuar nga Ministria e Drejtësisë në mars 2014, fakt i cili është bërë publik edhe në media. Për pasojë, është konkluduar se ankesa duhet t’i përcillet për trajtim Ministrisë së Drejtësisë me qëllim shmangien e dublimit të verifikimit.