Ekonomia

Klosi: HEC mbi kanione nuk do të ndërtohet, ndjekje penale përgjegjësve

”Mbi ujëvarën e Osumit nuk do të ndërtohet asnjë HEC”, deklaroi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, duke paralajmëruar se ata që kanë abuzuar duke dhënë leje për ndërtime abuzive, duke dëmtuar mjedisin do të ndiqen penalisht, ashtu si edhe kompanitë që manipulojnë dokumentet.

Nga kanionet e Osumit në zonën e Skraparit, Klosi tha se “ujëvara e madhe është vetëm 200 metra prej kësaj zone ku jemi tani dhe ndërhyrja në këtë zonë të ndalon dhe redukton në mënyrë dramatike ujin e kanionit, duke e shëmtuar zonën dhe duke sjell problematika të mëdha. Kjo është një shfaqje e shëmtuar”.

“Po të shikosh letrat këtu duket sikur je jashtë zonës së mbrojtur, por në fakt është vetëm 200 metra larg nga zona e mbrojtur dhe ujëvara e mrekullueshme. Ndërhyrjet këtu me HEC do të shkatërronte bukurinë e zonës dhe ujëvarën dhe uji nuk do të ridhte më natyrshëm, duke i shkaktuar zonës problematika të mëdha”, shtoi ministri.

Sipas tij, nuk është hera e parë që ka pasur tentativa për të dhënë këtë leje apo leje të tjera të kësaj natyre, ku është mashtruar dhe me koordinatat, ku deklarohet se uji nuk do derdhet në kanion dhe se nuk do ndikojë tek kanioni, pra duke manipuluar të vërtetën.

“Ne nuk duam të ndërtohet mbi këtë kanion, ne do të çojmë për ndjekje penale çdo zyrtarë që ka ndërtuar dhe ka lejuar që përmes lejeve të falsifikuara të ndërtojnë këto objekte që dëmtojnë mjedisin. Po ashtu dhe kompaninë që ka manipuluar me koordinatat. Nuk duhet të funksionojë kështu, që taksapaguesit dhe qytetarët të paguajnë dëmet e shkaktuara nga kompanitë apo zyrtarët, secili do paguajë pjesën e tij. Ne duam të ndërtojmë një shkollë profesionale për guidat turistike, ne duam të fokusojmë të ardhmen tek turizmi dhe vlerat e mjedisit. Nuk do lejojmë ndërtimin e një HEC-i në këtë kanion të mrekullueshëm”, tha ministri Klosi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button