KLSH kallëzon në Prokurori kryetaren e bashkisë së Patosit
Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori kryetaren e bashkisë së Patosit, pasi nga mospërdorimi i aseteve dhe mosarkëtimi i taksave vendore, kryesisht nga taksa e pastrimit, gjelbërimit, ndriçimit dhe taksa e tokës bujqësore, ka sjellë një dëm ekonomik në vlerën 8,310,700 lekë dhe të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit në vlerën 25,819,000 lekë.
KLSH ka audituar bashkinë Patos për periudhën nga janari 2013 deri më 31 dhjetor 2014. Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe masat për përmirësimin e gjendjes janë miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH nr. 108, datë 03.09.2015 dhe janë përcjellë në subjekt me shkresën nr. 31/11, datë 07.09.2015.
Nga auditimi, sipas KLSH-së, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore në fushën e prokurimeve. Për shkeljet e mësipërme, KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Patos, për R.B, Kryetare e Bashkisë, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, për V.ZH, Kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, L.S, Jurist i Njësisë së Prokurimit dhe D.K, Jurist i Njësisë së Prokurimit, të cilët, në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.