Kronika

Kodheli ankohet te Llalla: Arben Imamin e dua të pandehur!

Kallëzimi 

Ministria do të kundërshtojë pushimin e hetimeve në gjykatë

Nga Sokol Çobo

arben imamiPushimi i kallëzimit të Ministrisë së Mbrojtjes ndaj Arben Imamit ka kaluar në heshtje, kjo edhe si pasojë e arrestimit të guvernatorit Ardian Fullani. Prokuroria tha se ish-ministri i Mbrojtjes nuk kishte konsumuar vepër penale, si pasojë edhe të zbatimit të një VKM-je, e cila ishte mburojë e tij. Por, firmëtarët e këtij kallëzimi nuk janë dakord me vendimin e Prokurorisë së Tiranës dhe janë ankuar zyrtarisht. Institucioni i drejtuar nga Mimi Kodheli pretendon se paraardhësi i saj ka shkelur ligjin, madje duke i shkaktuar shtetin një dëm në qindra milionë lekë. Në kallëzim përmendet se Imami ka realizuar në mënyrë fiktive një tender për dhënien e reklamave, me një vlerë 99 milionë lekë (të reja). Madje, në prokurori u depozituan shumë dokumente të komisioneve të prokurimeve, që ishin pikërisht ish-vartësit e Imamit. Megjithatë, të gjitha këto prova nuk kanë bindur organin e akuzës të ngrejë një akuzë për këtë ish-funksionar të lartë të qeverisë “Berisha”. Dosja u end për disa muaj sa në akuzën qendrore, sa në atë të Tiranës. Kjo e fundit vendosi për pushimin e hetimeve, por pas shumë diskutimeve në akuzën qendrore, ku të gjithë zyrtarët u angazhuan. U gjetën disa VKM të viteve 2006, 2007 dhe 2008, që i dhanë pafajësinë Imamit dhe vartësve të tij, pasi vendimet në këto raste ishin kolegjiale.

Ankesa e Kodhelit

Prokuroria e Përgjithshme, por edhe Ministria e Mbrojtjes, pohojnë se mes këtyre institucioneve ka pasur letërkëmbime për këtë çështje. Madje, disa javë më parë, dy titullarët, Llalla dhe Kodheli, zhvilluan një takim, ku biseda u fokusua pikërisht te kjo çështje penale. Në atë kohë, Kodheli do të deklaronte se ministria kishte shumë prova, ndërsa në njësinë Task-Forcë kishte informacione se çështja ishte pushuar. Ishte muaji korrik kur mes ministrisë dhe prokurorisë pati edhe një “luftë të ftohtë”, por asnjëra nuk mori hapin e duhur. Në atë kohë, grupi hetimor kishte vendosur pushimin e hetimeve. Madje, vendimi u mor nga një prokurore, që më pas mori edhe lejen e lindjes. Por, zyrtarizimi i pushimeve vonoi edhe disa javë, ku akuza përdori edhe muajin gusht për të frenuar disi përplasjen me ministrisë apo me qeverinë “Rama”. Në këtë kohë, pra në fund të muajit korrik, në gusht, por edhe në shtator, të gjithë, mediat, opinioni publik, por edhe qeveria, i kishin sytë nga vjedhja e Thesarit të Shtetit. Dhe, në ditët e para të shtatorit, akuza qendrore njoftoi zyrtarisht se kishte pushuar hetimet për këtë procedim penal, ashtu siç u përfol edhe në muajin gusht. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme pohuan se ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i ka dërguar një ankesë zyrtare kryeprokurorit Adriatik Llalla, për pushimin e hetimeve, ndërsa kërkonte që çështja të merrej nga një prokuror tjetër. Përfaqësuesja e akuzës, Daniela Sulaj, ishte me leje lindjeje, por gjatë kësaj kohe, firmosi edhe pushimin e hetimeve, gjë e cila nuk i ka pëlqyer Ministrisë së Mbrojtjes. Por, në atë kohë ishte shumë vonë, pasi ishte marrë një vendim përfundimtar dhe e vetmja rrugë e Kodhelit është ankimi në gjykatë.

Gazeta “Shqip” pyeti në ministri se çfarë hapash do të bëhet me këtë çështje dhe a do ta shfrytëzojë këtë të drejtë ligjore ministria. Përgjigjja ishte se vendimi i pushimit po shqyrtohet, ndërsa me shumë gjasa do të depozitohet në Gjykatën e Tiranës një ankimim, ku do të kërkohet rihetimi i çështjes. Në këtë rast, juristët e ministrisë duhet të formulojnë edhe të metat e vendimit të pushimit të prokurorisë. Duke shkuar në këtë pikë, kjo çështje do të zgjasë dhe do të qëndrojë në dyert e drejtësisë, të cilat mund të zhvillojnë edhe një “pingpong” me njëra-tjetrën, pasi askush nuk dëshiron të marrë një vendim për Arben Imamin, i cili deri më tani rezulton si “i paprekshëm”.

Kallëzimi i ministrisë

Disa javë më parë, Prokuroria e Tiranës vendosi pushimin e procedimit penal për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, në ngarkim të Arben Imamit dhe disa vartësve të tij. Procedimi penal është regjistruar në datë 19 dhjetor 2013, bazuar në materialin kallëzues të dorëzuar nga Ministria e Mbrojtjes. Objekti i kallëzimit ka të bëjë me realizimin në vitin 2013 të procedurës me objekt “prodhimin e tri spoteve televizive dhe tri dokumenteve, si edhe transmetimin e tyre në dy media kombëtare”, me vlerë 99 943 488 lekë (me TVSH). Sipas materialit kallëzues, pretendohet se gjatë procesit të auditimit janë konstatuar veprime në kundërshtim me ligjin.

“Procedura e prokurimit nuk ka qenë e parashikuar në regjistrin e parashikimeve të prokurimeve të autoritetit kontraktor për vitin 2013. Për zhvillimin e procedurës janë përdorur fonde të destinuara dhe akorduara për qëllime të tjera. Përllogaritja e vlerës së kontratës është bazuar në çmimet e ofruara nga agjenci, të cilat nuk janë transmetues. Në procedurën për negocim janë ftuar subjekte që nuk kanë pasur eksperiencën e duhur. Procedura ka qenë fiktive dhe e paracaktuar”, pretendon ministria. Akuza thotë se, në mënyrë të përmbledhur, Ministria e Mbrojtjes ka referuar disa shkelje, një pjesë e të cilave u referohet parashikimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1195, dt. 05.08.2008 dhe një pjesë u referohet parashikimeve të ligjit nr. 9643, dt 20.11.2006 “Për prokurimet publike”, si edhe VKM nr. 1, dt. 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, nxjerrë në bazë dhe për zbatim të ligjit për prokurimin publik.

Pushimi i hetimeve

Sipas akuzës, në përfundim të veprimeve procedurale, hetuesit vendosën pushimin e procedimit penal, për arsyet se, në mënyrë të përmbledhur, procedura është zhvilluar, duke zbatuar kërkesat e parashikuara në vendimin e Këshillit të Ministrave. Fokusi kryesor i kallëzimit është shkelja e ligjit për “Prokurimin publik”. “Ka rezultuar se procedura e prokurimit, objekt shqyrtimi, është e përjashtuar nga përcaktimi i ligjit për ‘Prokurimin publik’. Ky përjashtim është bërë nga vetë ligji. Më konkretisht, procedura për realizimin dhe publikimin e spoteve është një prej rasteve përjashtimore të ligjit nr. 9643, dt. 20.11.2006 ‘Për prokurimin publik’, i cili, në nenin 4 ‘fusha e zbatimit’, përcakton se ‘ky ligj zbatohet për të gjitha procedurat e prokurimit publik, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenin 5, 6, 7, 8 e 9 të këtij ligji dhe ato që rregullohen me ligj tjetër’”, thotë akuza.

Ligji, thuhet në vendimin e pushimit, parashikon se “nuk zbatohet në kontratat e shërbimit publik për blerjen, zhvillimin, prodhimin, bashkëprodhimin e programeve ose të reklamave për transmetimin nga operatorët radiotelevizivë ose botimin në median e shkruar dhe për kontratat për kohë transmetimi”. Në fund, akuza konkludon se vendimmarrja përfundimtare për shpalljen e firmës fituese lidhur me procedurën objekt kallëzimi është realizuar duke respektuar në tërësi dispozitat e një vendimi të Këshillit të Ministrave me numër 1195 të datës 5 gusht 2008.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button