Bota

Koment: Republikanët në SHBA – një parti drejt vetëshkatërrimit

Partia Republikane nuk po gjen asnjë mjet për të frenuar kandidatin e saj për president Donald Trump në deklaratat e tij.

Sa më të trazuara kohët, aq më shumë është e këshillueshme të hedhësh për një moment vështrimin mbrapa. Për shembull, në fillim të këtij viti zgjedhor. Asokohe ishte ende e hapur se kush do t’i fitonte nominimet për kandidatët presidencialë të dy partive të mëdha – por shumëkush mendonte se në garën për në Shtëpinë e Bardhë do të hynte për republikanët Jeb Bushi dhe për demokratët Hillary Clintoni.

Nuk kishte thuajse asnjë emision televiziv ku të mos dëgjohej ankesa se kjo ishte tejet jodemokratike, sepse me Bushin dhe Clintonin kishin shans për një nga postet më të rëndësishme politike vetëm anëtarët e këtyre dy dinastive.

Më pak se 100 ditë deri në zgjedhje

Tani çdo gjë doli krejt ndryshe. Vërtet Hillary Clinton është kandidatja presidenciale e demokratëve, por asaj iu desh të luftonte më shumë se sa pritej. Në fund ajo fitoi ndoshta aq qartë kundër konkurrentit të saj Bernie Sanders, sepse drejtuesit e Partisë Demokrate e luftuan me kohë dhe me të gjitha mjetet konkurrentin.

Kjo taktikë u mor vesh një natë para kongresit dhe drejtuesja e partisë Debbie Wasserman Schultz u detyrua që për këtë shkak të japë dorëheqjen. Dhe me këtë u konfirmua edhe një herë se sa të korruptuar dhe të manipulueshëm janë ndërkohë demokratët.

Republikanët me sa duket ishin më pak të kujdesshëm dhe nuk mundën të gjenin ndonjë strategji për të shmangur Donald Trumpin. Kundër të gjitha parashikimeve Jeb Bushit iu desh ta braktiste fushën dhe t’ia linte vendin Trumpit.

Kartat e Trumpit

Trumpi fitoi me dy karta, që nuk do t’i lëshojë nga dora deri ditën zgjedhjeve më 8 nëntor.

Së pari karta e pak të angazhuarit në sistemin politik. Sepse si sipërmarrës ai vërtet ka lidhje me politikën, por nuk është i lidhur ngushtë as me strukturat e republikanëve dhe as të demokratëve. Në këtë pikë ai gëzon simpatinë e amerikanëve që mendojnë se politikanët i japin postet njëri-tjetrit dhe janë më të fiksuar tek mirëqënia e tyre, se sa e shtresave të gjëra të popullsisë.

Karta tjetër e tij është premtimi për ta bërë Amerikën sërish të madhe. Në këtë mes argumentet e tij janë raciste, ksenofobe dhe seksiste. Por një gjë është e qartë nën drejtimin e një presidenti Trump politika do të jetë sërish e orientuar drejt rezultateve dhe një politikë penguese, si vitet e kaluara.

Sistem politik i korrptuar

Udhëheqja politike e SHBA-së, që e quan veten me dëshirë si demokracia më e madhe, e ka humbur kontaktin me pjesën më të madhe të popullsisë. Votuesit ndihen të padëgjuar dhe të pamarrë serizosht sa u takon frikërave dhe nevojave të tyre. Paaftësia e dy partive të mëdha për të gjetur vitet e fundit zgjidhje politike dhe humbja e besueshmërisë për shkak të gënjeshtrave dhe strukturave të korruptuara kanë bërë punën e tyre dhe i kanë hapur dyert një populisti si Trumpi.

Udhëheqje pa përgjigje

Deri tani udhëheqja Partisë Republikane nuk ka gjetur përgjigje, se si do të reagojë ndaj sulmeve të Trumpit që po drejtohen gjithnjë e më shumë edhe brenda radhëve të partisë. Në rast se ajo do të distancohej e fyer prej kandidatit kryesor që e ka zgjedhur vetë, ka të ngjarë që në fund vetëm ta forcojë Trumpin. Dhe ndonjë mundësi tjetër për të nxjerrë një kandidat të dytë, nuk ka. Sipas statutit të partisë vetëm Trump mund t’i hapë rrugën emërimit të një kandidati tjetër republikan për president në rast se jep dorëheqjen. Por të paktën në këtë moment kjo është e vështirë të imagjinohet.

Trumpi e ka bërë tashmë të qartë se kush do të jetë fajtor, nëse ai do të dështojë: sistemi i korruptuar në të cilën më pas do të përfshihet edhe Partia Republikane.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button