Komisioni i Ekonomisë miraton pr/ligjin për rritjen e pagave si dhe koeficientët sipas hierakisë
Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka miratuar sot projektligjin për rritjen e pagave për punonjësit e administratës.
Gjatë diskutimeve të këtij projektligji pati debate mes deputetëve dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj lidhur me rritjen e pagave për deputetët.
Deputeti i PD-së, Agron Shehaj e konsideroi absurd faktin që këshilltarët dhe drejtorët në Ministri të kenë rrogë më të lartë se vetë titullari i institucionit, që është ministri.
Ibrahimaj tha se “propozimi që ne kemi sjellë për shqyrtim në Kuvend nuk parashikon një rritje të pagave për anëtarët e kabinetit qeveritar dhe deputetët. Ndërkohë që arsyeja pse kemi vendosur të veprojmë në këtë formë është sepse donim si fillim të siguroheshim që të gjithë kategoritë e tjera do përfitonin nga rritja e pagave dhe në përfundim të rritjes dhe reformës së pagave do të sillnim një nismë për rishikimin e koeficientëve dhe për anëtarët e kabinetit dhe deputetët”.
Ajo ritheksoi se reforma do të implementohet me dy hapa. “Hapi i parë ka filluar ndërkohë që hapi i dytë është gjatë vitit të ardhshëm. Me përfundimin e gjithë reformës atëherë ne do të sjellim një propozim ku do të përcaktohen dhe rritja e pagave për deputetët dhe ministrat që padyshim kanë të gjitha detyrat e tyre kushtetuese. Është çështje prioriteti dhe prioriteti i jepet reformës tërësore të pagave”, iu përgjigj Ibrahimaj deputetit Shehaj.
“Ju vini këtu në këtë komision dhe u kërkoni deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që të aprovojnë rritjen e rrogës për të gjithë përveç vetes së tyre. Ju po thoni që rrogat tona dhe të gjithë deputetëve janë të parëndësishme, mund të marrin më pak se një drejtor në Ministrinë tuaj, më pak se një këshilltar i juaji”, replikoi deputeti Shehaj.
Ndërsa deputeti i PS-së, Erion Braçe tha se “kemi diferencë të madhe nga rrogat e drejtuesve të shoqërive tregtare me rrogat e punëtorëve. Ndërmarrjet e sektorit të energjisë elektrike, diferenca mes rrogës së titullarit dhe punonjësve shkon me disa herë”.
Gjithashtu, Braçe tha se “nëse punonjësve të shërbimeve publike të shtetit u indeksojmë pagat, punëtorëve të këtyre ndërmarrjeve nuk u është indeksuar paga. Patjetër që ne do përcaktojmë pagën e nivelit të lartë, drejtues administrativ të këtyre shoqërive tregtare, por duhet bërë një rregullim, sepse fushat e këtyre ndërmarrjeve nuk kanë ndonjë konkurrencë të madhe, operojnë në kushtet e monopolit sot që flasim”.
Në përfundim të debateve, deputetët Komisionit parlamentar të Ekonomisë propozuan dhe miratuan koeficientët për rritjen e pagave sipas hiearkisë nga Presidenti deri te anëtarët e Bordeve.
Propozimet e deputetëve të Komisionit të Ekonomisë për koeficientët e pagave:
Presidenti – 0.925
Kryetari i Kuvendit – 0.925
Kryeministri – 0.925
Zv/kryeministri – 0.775
Ministri – 0.75
Deputeti – 0.73
Anëtarët e Komisionit të Konkurrencës – 0.5
Anëtarët e Bordeve – 0.45