Ekonomia

Kompania gjermane, që prodhon pjesë për Benz Mercedez, do hapë dhe 1200 vende pune në Shqipëri

Kur Serbia dhe Maqedonia po tregohen agresive me stimujt fiskalë, duke tërhequr investitorët e huaj, një kompani gjermane, që prodhon pajisje kabllore për autobusët e Benz Mercedes, e ka gjetur Shqipërinë si bazë për të ushtruar aktivitetin e saj.

Planet e Forschner për një njësi të re prodhuese prej 30 mijë metrash katrorë në zonën e Spitallës në Durrës, që do të hapë edhe 1200 vende të reja pune. Pse Shqipëria ka avantazh në regjimin e përpunimit aktiv në prodhimin e sistemeve kabllore për automjete. Interes, edhe nga kompani të tjera.

Kutia postare në oborrin e kompanisë Forschner në Vaqarr të Tiranës është përditë e mbushur me CV-të e banorëve të zonës, apo dhe më gjerë. Prej dy vitesh, kompania gjermane, që ka aktivitet në fushën e regjimit të përpunimit aktiv në prodhimin e sistemeve kabllore për automjete, kryesisht autobusët e Benz Mercedes, ka qenë një alternativë e mirë punësimi për banorët e periferisë së Tiranës, sidomos femrat.

Bledar Mankollari, drejtor i Forschner, thotë se nga viti 2015, kur u hap, numri i punonjësve është rritur vazhdimisht për të arritur në rreth 400 aktualisht. 90% e të punësuarve janë femra. Vetëm vitin e fundit janë rekrutuar më shumë se 160 persona. Mbizotërojnë të rinjtë e të rejat dhe kjo është e dukshme në një vizitë në ambientet e fabrikës. Më shumë se 60% e të punësuarve kanë një moshë maksimale deri në 30 vjeç. 70% e të punësuarve janë me arsim të mesëm, sipas të dhënave zyrtare të kompanisë.

Ka punë, por s’ka profesionistë?!

Bledari thotë se nuk e kanë pasur problem gjetjen e punonjësve. Proceset e punës nuk janë të komplikuara. Kompania punon me sistem regjim të përpunimit aktiv, duke e marrë materialin nga Gjermania dhe në Shqipëri bëhet montimi. Avantazhi, që shfrytëzohet, është kosto e lirë e fuqisë punëtore. Shoqëria i trajnon vetë punonjësit, pasi “nuk ka universitet që i bën ato që duam ne”. Teksa kostot më të mëdha janë trajnimet, Bledari thotë se një ndihmë për ta do të ishte që të mos ishin të detyruar të regjistronin punonjësit gjatë periudhës së trajnimit.

Punonjësit shqiptarë janë vlerësuar si shumë të shpejtë, në krahasim me vendet e tjera ku Forschner ka fabrika. Edhe pagat janë më të larta se në industrinë tekstile e të këpucëve, që punon me të njëjtin regjim të përpunimit aktiv. Paga mesatare është 360 euro, ndërsa minimalja fillon nga 26 mijë lekë. Ambientet e kompanisë janë të ndriçuara mirë, nuk ka materiale të dëmshme, proceset e punës janë të mirëpërcaktuara, me një saktësi gjermane. Përdoret sistemi Toyota i menaxhimit të prodhimit. Por, njohuritë (Knoë hoë) janë transferta më e madhe, thotë Bledari.

Projekti i zgjerimit

Suksesi me fabrikën e parë, transfertat brenda grupit dhe kontratat e reja bëri që brenda dy vitesh, menaxherët e Forschner të bënin planet e zgjerimit të aktivitetit në Shqipëri. Kompania ka në plan zgjerimin me ndërtimin e një fabrike të dytë me një sipërfaqe prej 25-30 mijë metrash katrorë (për vetë proceset e punës kërkohen ambiente të mëdha). Investimi pritet të jetë në total rreth 13.5 milionë euro (7.5 milionë euro për ambientet dhe pjesa tjetër për pajisjet), që do të hapë edhe 1200 vende të tjera pune.

Forschner ka aplikuar për skemën 1 euro. Nga qeveria janë dhënë alternativa për zonat e Koplikut, Spitallës, Shëngjinit, Azotikut në Fier, në Korçë e Elbasan, por kompania ka zgjedhur zonën e Spitallës, për shkak të popullsisë më të madhe, që do të mundësojë gjetjen e fuqisë punëtore.
Punimet pritet të fillojnë së shpejti, por ndërkohë Forschner ka marrë me qira një sipërfaqe prej 4500 metrash katrorë po në zonën e Spitallës, ku për 6 muaj do të punësojë 200 persona. Kjo njësi do të shërbejë njëkohësisht dhe për trajnimin e punonjësve deri në momentin që do të hapet fabrika e re, që pritet të përfundojë brenda dy vitesh.
Aktualisht, kapaciteti i kompanisë me fabrikën e Vaqarrit është 50 mijë njësi kabllo në muaj, ndërsa pas investimit në Spitallë, ai do të trefishohet në 150 mijë njësi.

 

Shqipëria në raport me Maqedoninë e Serbinë

Serbia dhe Maqedonia kanë qenë shumë aktive në tërheqjen e investimeve të huaja, përmes incentivave të shumta, si subvencionet për punonjësit dhe përjashtimet nga taksat për një periudhë të caktuar kohe.
Por, Bledari thotë se për segmentin, ku Forschner operon, këto lehtësi nuk janë aq të rëndësishme. Investimi fillestar është minimal, për fabrikën e Vaqarrit ka qenë 3 milionë euro, pasi vlera më e madhe është te puna. Në Serbi, thotë ai, ka pasur raste kur kompanitë kanë qëndruar për 4 vjet, kanë përfituar nga lehtësitë që kanë për punonjësit dhe më pas kanë mbyllur aktivitetin dhe kanë ikur, pasi operonin në sektorë ku zhvendosja e makinerive e pajisjeve është e lehtë dhe pa kosto.

Maqedonia ka shkuar në limitet e saj, nuk po gjen më fuqi punëtore, ndërsa edhe pasiguritë politike i largojnë investitorët. E njëjta gjë edhe në Ukrainë, ku ndonëse pagat janë sa gjysma e atyre në Shqipëri, investitorët duan siguri politike.
Bledari thotë se përparësitë kryesore të vendit janë rrogat ende konkurruese, puna me porosi të shpejta dhe dorëzimi në kohë të shkurtër, pozicioni gjeografik i përshtatshëm. Maqedonia, përmend ai, kur reklamon vendin për investitorët e huaj, thotë se është 200 km larg Portit të Durrësit!

Shqipëria po përfiton dhe nga delokalizimi i brendshëm i kompanisë, ku punët me njohuri të ulët teknologjike po transferohen nga Çekia, pasi rroga atje arriti në 1000 euro në muaj. Në Çeki, Forschner ka kanë lënë punët me ‘knoë hoë’ më të lartë dhe këtu ka transferuar proceset më të thjeshta. Transferimi i aktivitetit në Shqipëri ka ulur kostot, duke i dhënë mundësi kompanisë të ofrojë çmime më të lira për produktet e saj për të njëjtat standarde, duke qenë dhe një nga arsyet kryesore në vendimin për zgjerimin e aktivitetit te ne.
Bledari pohon se kompani të tjera nga Koreja e Jugut apo dhe Japonia kanë shfaqur interes që të hapin aktivitete të ngjashme në Shqipëri, për montimin e sistemeve kabllore për automjete.

Eksportet rriten ndjeshëm

Eksportet e grupit “Tela, kabllo, përcjellës etj.” janë rritur ndjeshëm në vitin 2016 sipas të dhënave zyrtare nga Doganat, ndërsa shifrat për vitin 2017 nuk janë ende të disponueshme. Në fund të 2016-s, eksportet e këtij grupi arritën në një nivel rekord prej 12.5 milionë dollarësh, në trefishim në krahasim me vitin e mëparshëm, duke ndikuar në rritjen e të gjithë eksporteve të grupit të makinave elektrike e pajisjeve.

Forschner zuri rreth 32% të totalit të këtij grupi, sipas të dhënave nga kompania, ndërsa në 2017-n, vlera e materialeve të eksportuara nga Forschner u dyfishua në 7.5 milionë euro. Destinacioni kryesor i eksporteve të këtij grupi është Çekia, me 41% të totalit, e ndjekur nga Gjermania dhe Italia.
Prodhuesi tjetër që bënë pjesë në këtë grup është PSZ Albania, që ka hapur fabrikën në Shqipëri në vitin 2012, me aktivitet në fushën e Montimit të kabllove dhe është pjesë e grupit Gjerman PSZ Electronic GMBH.

Forschner, asnjë punë më në Gjermani

Kompania Forschner është një kompani gjermane me përvojë 60- vjeçare.
Forschner zhvillon dhe prodhon produkte për lëvizshmërinë elektronike, sistemet e kabllove, pjesët që kërkojnë precizion, sistemet elektromekanike. Ajo edhe furnizon makinat elektrike me sistemet e shpërndarjes përmes divizionit E-Mobility.

Në Shqipëri, kompania ka aktivitet në sektorin e fasonerisë, në prodhimin e sistemeve kabllore. Ka 10 fabrika në të gjithë botën, në Europë, Meksikë e Kinë.

Bledari thotë se Forschner e ka transferuar të gjithë sistemin e prodhimit në shtetet jashtë saj, për shkak të kostos së lirë të fuqisë punëtore. Në Gjermani janë vetëm zyrat qendrore të administratës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button