Maqedonia
Kontrata për Korridorin 8/ Maqedonia e Veriut do e ndërtojë nga Tetova deri në Qafë Thanë
March 9, 2023
0 1 minute read
Qeveria e Maqedonisë së veriut ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10D, një konsorcium në bashkëpunim me kompaninë amerikane që ka kryer vepra të mëdha infrastrukturore në rajon “Behtel & Enka”.
Në prezantimin e projektit zv/kryeministri Artan Grubi u shpreh se do të kushtojë 1.3 miliardë euro ose 12 milionë euro për kilometër dhe shtrihet nga Tetova deri në Qafë-Thanë.
Zëvendëskryeministri Artan Grubi tha se çmimi është nën mesataren e autostradave të ndërtuara në rajon, ku çmimi për kilometër autostradë shkon deri në 19 milionë euro.
“Bëhet fjalë për ndërtimin e 110 km autostradë. Nga korridori Tetovë deri në Gostivar do të kemi tri korsi në anën e majtë dhe të djathtë. Në pjesën nga Gostivari në Kërçovë do të lidhet me autostradën që po ndërtojnë kinezët. Pas Trebenishtës do të ndërtohet një autostradë tjetër. Nga ana e Shqipërisë tashmë po ndërtohet, ndaj ky projekt do të na lidhë me Tiranën, Durrësin dhe portin e thatë në Durrës”, tha Artan Grubi.
Korridori 8 shtrihet në gjatësi prej 68 km, me autostradë me 6 korsi, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, përmes Strugës deri në Qafë Thanë, ndërsa Korridori 10-D nga Prilepi në Manastir shtrihet në gjatësi prej 40 km dhe realizohet me 6 korsi, në një periudhë prej 3 viteve nga fillimi i punimeve. Paratë për këtë projekt infrastrukturor do të ndahen nga buxheti i shtetit, nga 250 milionë euro në vit.