Bota

Koreja e Veriut, interneti dhe siguria kibernetike

Provat janë të vështira në botën kibernetike. Pavarësisht se kush ka sulmuar kë, ajo që është dëshmuar është cënueshmëria e shoqërisë së lidhur në rrjet.

USA New York The Interview Filmplakat 18.12.2014

Popullsia e gjerë vështirë se ka vënë re gjë. Kompjuteri dhe aksesi në internet janë në Korenë e Veriut diçka vetëmpër elitën e vogël. Dhe: në një vend tejet të izoluar lidhja e internetit ndërpritet rregullisht. Por dy gjëra e dallojnë ndërprerjen e fundit të internetit në vendin e “udhëheqësit suprem” Kim Yong-un nga ndërprerjet e shpeshta. Së pari ndërprerja zgjati nëntë orë dhe pra dukshëm më gjatë se zakonisht. Por para së gjithash ajo ndodhi në mes të zënkës për piraterinë në rrjet mes Uashingtonit dhe Penjanit. Të premten e kaluar Presidenti i SHBA Barack Obama njoftoi se SHBA do të reagojnë me një “përgjigje të përshtatshme”, ndaj asaj që ai e quajti një akt “vandalizmi kibernetik” kundër Sony-t. Pasi të hënën (22.12.) zëdhënësja e Ministrisë së jashtme Mary Half pati deklaruar se “disa reagime do të jenë të dukshme dhe të tjera të padukshme”, tani spekulohet nëse ndërprerja e internetit në Korenë e Veriut është pjesë e kësaj përgjigjeje. Zëdhënësja Harf nuk u prononcua për pyetjen nëse SHBA ishte përgjegjëse për ndërprerjen e internetit.

Skenari: ngritja e një ushtrie kibernetike për Penjanin

Kjo është e vështirë të dëshmohet. Dhe kjo është në natyrën e sulmeve kibernetike. Kjo vlen edhe për pretendimin e policisë federale amerikane FBI, se Koreja e Veriut qëndron prapa sulmeve kibernetike kundër Sony-t. Kjo pati çuar në tërheqjen e përkohshme (Sony do ta shfaqë në disa kinema nga e enjtja filmin, 25.12) të komedisë së Hollivudit “The Interview”, për një komplot vrasjeje të CIA-s kundër diktatorit të Koresë së Veriut Kim Yong-un.

“Fajësimet janë shumë të vështira”, thotë lidhur me këtë mjeshtri i piraterisë në rrjet në SHBA Charlie Miller për Deutsche Welle. “Sulmet nga një kompjuter në një vend të caktuar nuk do të thonë se sulmuesi ndodhet atje vërtet. Rruga e vetme për të përcaktuar origjinën e një sulmi është ta kapësh sulmuesin me duart në tastierë.” Matematicieni Miller ka një nam legjendar në qarqet e sigurisë. Shumë shpesh ai ka konstatuar pika të dobëta të rrezikshme në sistemet e sigurisë të produkteve të Apple.

Interneti në Korenë e Veriut është vetëm për elitën

Në vitin 2010 Miller tërhoqi vëmendje në një kongres për sigurinë kibernetike të Nato-s në Talin të Estonisë. Titulli i prezantimit të tij:”Kim Jong-Il dhe unë: si të ndërtosh një ushtri kibernetike për të sulmuar SHBA.” Teza qendrore: një buxhet prej 100 milionë dollarësh dhe dy vjet kohë do të mjaftonin për të rekrutuar njerëz me aftësitë e nevojshme dhe për të pregatitur sulme të dhimbshme kundër SHBA. Miller pati thënë në atë kohë për DW: “Definitivisht ka shumë asimetri. Mjaftojnë një grusht njerëz për të shkaktuar shumë dëme. Dhe më e rënda është: është e vështirë t’ua hedhësh fajin këtyre njerëzve.”

Dyshimet për fajësinë e Koresë së Veriut

Në të vërtetë ka shumë ekspertë të sigurisë që nuk janë aspak të bindur për fajin e Koresë së Veriut në sulmin e Sony-t. Dyshimet nisin që në kronologjinë e ngjarjeve: premiera në kinema e “The Interview” u bë vetëm më vonë temë në një deklaratë për pranimin e autorësisë së sulmit pasi mediet sollën në kujtesë fushatën e Koresë së Veriut kundër satirës në verë. Në emailet e para të sulmuesve bëhej fjalë për para, për kompensim.

Charlie Miller

Charlie Miller është një nga ata që nuk përkrah zhurmën në sulmin ndaj Sony-t: “Kam përshtypjen se ai nuk ishte më i madh se sulmet e tjera. Ishte reagimi ekstrem i Sony-t që tërhoqi aq shumë vëmendje”. Edhe James Lewis, ish-këshilltar për sigurinë kibernetike pranë Presidentit Obama nuk pranon t’i mbivlerësojë aftësitë kibernetike të Koresë së Veriut edhe pse e konsideron plauzibël që pas sulmit ndaj Sony-t të jetë vërtet Koreja e Veriut. Për DW Lewis thotë: “Aftësitë kibernetike të Penjanit janë të dorës së dytë. Por ato janë megjithatë më të mira se të shumë vendeve të tjera të botës, përfshirë pjesën më të madhe të shteteve evropiane. Koreja e Veriut është e gatshme të japë para për piratë kibernetikë dhe do të bëjë përparime të tjera.” Lewis, ndërkohë drejtor i programit për Teknologjitë Strategjike në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), paralajmëroi njëkohësisht ndaj kundërsulmeve të SHBA kundër Koresë së Veriut: ato janë të rrezikshme dhe joefektive. “SHBA nuk do të rrezikojnë një luftë të dytë të Koresë për shkak të Sony-t”, thotë Lewis. “Nuk ia vlen që të të shuhen dritat në Korenë e Veriut, ato fiken vetë çdo ditë.”

Nuk ka siguri absolute

Nëse vërtet një diktator vanitoz donte të pengonte një satirë për të apo nëse pas sulmit qendron një ish-punonjës i inatosur i Sony-t: incidenti na sjell edhe një herë para sysh rreziqet e një shoqërie gjithnjë e më të lidhur në rrjet. Hackeri amerikan Miller përballë pasojave të sulmit kibernetik të Sony-t pret sulme të ngjashme nga skena e terrorit ose kriminalitetit. Para së gjithash sepse nuk mund të ketë një siguri 100 për qind: “Në rastin e një grupi shumë të organizuar, të përgatitur mirë dhe para së gjithash të vendosur nuk ngrihet pyetja nëse mund të kenë sukses, por vetëm kur”, thotë Miller.

Pengoi Kim Jong-un shfaqjen e filmit satirë?

Ky gjykim pesimist forcohet nga një incident kibernetik, i cili për pak do të kishte kaluar pa u vënë re për shkak të sulmit kibernetik ndaj Sony-t: javën e kaluar Zyra Federale për Siguri në Teknikën Informatike (BSI) bëri publik në një raport sulmin ndaj një fabrike gjermane çeliku. Atje sulmuesit nëpërmjet përgjimit të një punonjësi të vetëm kishin depërtuar deri në rrjetet e prodhimit. Prej atje ata mundën të sabotonin gjithë fabrikën, një furrë u dëmtua në masë të madhe. BSI i përshkroi aftësitë teknike të sulmuesve si “shumë të avancuara”. Sulmuesit nuk kishin vetëm njohuri për teknikën e informacionit ,por edhe “njohuri të detajuara specifike për proceset e prodhimit dhe sistemin e drejtimit industrial”. Përballë tendencës aktuale për një lidhje edhe më të ngushtë në rrjet – Industria 4.0 – ky është një konstatim shumë shqetësues.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button