Kosova mund të jetë një shtet i ri, por ky fakt nuk e ka penguar që të marrë në Japoni medaljen e parë olimpike të artë dhe të dytë në historinë e këtij vendi, pas medaljes së Artë që mori Majlinda Kelmendi në Olimpiadën e Brazilit në Rio 2016.
Edhe këtë herë xhudo për femra është sporti që mban lartë emrin e Kosovës. Distria Krasniqi e cila merr pjesë në kategorinë deri në 48 kg arriti të mund në finale ndaj japonezes Funa Tonaki.
Padyshim që një meritë shumë të madhe në këto suksese të xhudos së femrave të Kosovës ka trajneri Driton.
Kosova vazhdon të thyej rekorde sa i përket këtij sporti dhe lojrave olimpike duke parritur të sigurojë në dy olimpiadat e fundit dy medalje ari.
Presidenti Ilir Meta ka uruar Distria Krasniqin dhe ekipin e Kosovës. “Urime Distria Krasniqi, më të mirës së botës! Përgëzime Dritonit dhe mbarë ekipit, që kurrë nuk zhgënjen”, shprehet Meta.
Kryeministri Edi Rama ka uruar xhudisten Distria Krasniqi duke e cilësuar si luaneshë.
“LUANESHË! Bravo. Bravo. Bravo”, shprehet Rama.
Edhe kryetari i PD, Lulzim Basha përshëndeti medaljen olimpike të Kosovës.
Me një foto të sportistes nga Kosova që rrëmbeu medaljen, Basha shprehet “krenari”.
Distria e nisi garën në disiplinën 48 kg, kundër Gabriela Chibana nga Brazili dhe iu deshën vetëm disa minuta për ta mundur lehtësisht kundërshtaren me Ippon. Me Ippon e mposhti për 19 sekonda edhe xhudisten Lin Chen Hao nga Tajpei Kinez. Ajo në gjysmëfinale e mposhti mongolezen Urantsetseg Munkhbat.
Ndaj saj fitoi me “Waza-Ari” të cilin e realizoi në mes të luftës. Kjo është medalja e dytë e artë për Kosovën në Lojëra Olimpike, pasi ishte Majlinda Kemlendi që nderoi vendin me të artën në Rio 2016.