Kosova i kërkon BE-së që t’i ndalë destruksionet e Serbisë
Ministrja për dialog, Edita Tahiri bëri me dije se ka zhvilluar mbrëmë vonë një bisedë të gjatë telefonike me drejtoreshën për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në BE, Angelina Eichhorst, të cilën e ka njoftuar hollësisht në lidhje me tentim sulmin kundër zyrave të Qeverisë së Kosovës, ku në afërsi të objektit të Qeverisë së Kosovës të inauguruar dje në Mitrovicën, veriore është hedhur një granatë dore e cila për fat të mire nuk ka shpërthyer.
Ministrja Tahiri ka shprehur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se me këto akte destruktive të përdorimit të bombave dhe mureve, Serbia po pengon zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe cenimin e dialogut për fqinjësi të mirë mes dy shteteve dhe janë kundër një paqe të qëndrueshme në rajon.
Ajo ka theksuar se obstruksionet e Serbisë janë duke u përshkallëzuar dhe rrezikojnë destabilizimin e situatës, por të cilën institucionet e shtetit të Kosovës nuk do ta lejojnë në asnjë mënyrë.
Ministrja Tahiri ka potencuar se inaugurimi i objektit të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën veriore bazohet në Marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar nga dy shtetet dhe Bashkimi Evropian në mars të vitit 2015, në të cilin kanë filluar punën mbi njëzet institucione qendrore të cilat kanë punësuar pjesëtarë të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.
Ministrja Tahiri ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që urgjentisht dhe seriozisht të angazhohen, në mënyrë që Serbia t’i ndalë destruksionet dhe t’i përmbushë obligimet e dialogut të Brukselit.
Ndërkaq, Angelina Eichhorst ka shprehur shqetësimet e BE-së për këto zhvillime negative dhe ka premtuar se BE-ja do të merret seriozisht me këto çështje dhe për zgjidhjen sa më të shpejt të tyre.