Kosova kremton 16 vjetorin e pavarësisë
Monumenti Newborn që u vendos në Prishtinë 16 vjet më parë, sivjet duket ndryshe.
Mesazhi “shtatë qiejt”, sipas autorit, simbolizon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosvës, të fundit në rajonin e Ballkanit që mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.
Përgjatë ditës udhëheqësit e institucioneve ngritën flamurin shtetëror, vunë kurora lulesh tek shtatoret e ish udhëheqësve politik e ushtarak të vendit dhe nderuan të rënët e të zhdukurit gjatë luftës së fundit.
Parlamenti u mblodh në seancë solemne për të shënuar 16 vjet të pavarësisë së vendit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në zemrën e rrugëtimit të vendit qëndron aleanca e Kosovës me vendet perëndimore.
“Prandaj sot në mënyrë të veçantë dua t’u falënderohem miqve tanë, miqve të lirisë. Kur neve na mohohej çdo e drejtë, kur shtypeshim mizorisht e kur luftonim për liri. Kur u çliruam dhe ndërtuam shtetin tonë, institucionet tona demokratike dhe ju kemi pranë pa asnjë dyshim në mbrojtje të sovranitetit, të kufijve tanë dhe të demokracisë tonë. Ndër këto aleanca, aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë sonë”, tha ajo.
“I kemi gjithmonë në mendje dhe nuk i harrojmë t’i falënderojmë gjithë miqtë tanë pa të cilët rruga e shtetit tonë do të ishte e pamundshme, para se gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj shtetet e Bashkimit Evropian të cilat e përkrahen hapur lirinë e Kosovës. E falënderojmë edhe NATO-n që e ndali gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë por i falënderojmë edhe të gjitha shtetet dhe vendet që e njohën pavarësinë e Kosovës”, tha kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se është për keqardhje rruga që ka zgjedhur Serbia kundruall Kosovës.
“Të gjithë ne e kemi të qartë se në rast se Serbia shtetërore do të ishte ndjerë sadopak përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, nëse në politikën e saj do të kishte mbizotëruar arsyeja dhe jo revanshizmi shovinist, ajo do të duhej ta kishte njohur Kosovën qysh në vitin 2008. Republika e Kosovës garanton të drejtat më të gjera për pakicat në rajonin tonë, posaçërisht për serbët, që përfitojnë e kontribuojnë në shtetin tonë të përbashkët”, tha ai.
Edhe përvjetori i 16 i pavarësisë së Kosovës po përshkohet me thirrjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, në urimin e tij me rastin e përvjetorit të pavarësisë , i bëri thirrje Kosovës të përmbushë zotimet e saj dhe të punojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes së ndërsjellë.
Në urimin e tij ai shkruan se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e shprehura në deklaratën e pavarësisë dhe në kushtetutë për të “kontribuuar në qëndrueshmërinë e rajonit dhe të gjithë Evropës duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit”.
Përvjetori i 16-të i pavarësisë e gjen Kosovën në një periudhë mospajtimesh me aleatët perëndimorë. Qeveria amerikane kritikoi qeverinë e Kosovës për shkak të vendimit për të ndaluar përdorimin e dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe.
Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftës gati dyvjeçare që la pas vetes mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.
Pavarësia e saj është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në këmbim të afrimit më strukturat evropiane, ndërsa ruan lidhje të ngushta me Rusinë.