ParlamentarePolitika

Kreu i ri i KQZ, Zguri: Sfida e 30 ditëve

Tranzicioni ka qenë i shpejtë dhe Klement Zguri ka marrë prej kësaj të marte zyrën e kreut të KQZ.

Detyrën e re dhe besimin e të dyja palëve e ka marrë me kënaqësi, por edhe përgjegjësi përpara sfidës së 25 qershorit.

“Është kënaqësi, është nderim padyshim. Është përgjegjësi, është edhe sfidë. Por këtë sfidë unë parapëlqej të mos jetë individuale. Unë jam partizan i të punuarit në ekip”, tha Klement Zguri, kryetar i KQZ-së.

Por propozimi i tij nuk ka qenë aspak surprizë.

“Kam 20 vjet që jam anëtar i KQZ. Fati ma ka sjellë që të jem i miratuar nga i gjithë spektri i politikës. Fillon që nga maji i vitit 1997 me dekretin e presidentit të asaj kohe, Sali Berisha. Vazhdoj me zotin Mejdani. Vazhdon më tej me ish-presidentin Moisiu. Kam dy mandate të tjera nga parlamenti i Shqipërisë në mazhorancë të djathtë. Kam edhe dy vendime po nga Kuvendi, por me mazhorancë të majtë. Pra, e parë në një kompleks të këtillë, unë besoj se ata vlerësuan aftësitë e mia profesionale, ndershmërinë time, përkushtimin tim në gjithë këto vite në punën time të përditshme”, shprehet Zguri.

Edhe pse e ka provuar më parë të drejtojë KQZ vetëm për 4 muaj në përfundim të mandatit të ish-kryetarit Celibashi, sot Klement Zguri nuk dëshiron ta shohë veten si kryetar partiak i institucionit zgjedhor. Veten kërkon ta shohë ashtu si është përkufizuar ndër vite.

“Realisht një profesionist në krye të KQZ. Kjo është ajo çka më ka dalluar më tepër në gjithë këto vite. Pastaj fakti që jam propozuar nga e djathta gjatë të gjithë kohës sigurisht që është një element tjetër që unë nuk mundem ta fsheh sepse do të tregohesha njeri cinik në qoftë se do e bëja këtë gjë, por gjithësesi përtej kësaj, unë jam munduar dhe besoj se kam bindur jo vetëm veten, por edhe opinionin që përgjithësisht vendimmarrjet e mia kanë qenë të arsyetuara dhe referuar ligjit. Ishte vërtetë një propozim nga e djathta, por që ka marrë një mbështetje maksimale nga të majtët”, tha kreu i KQZ.

Ditët e punës në zyrën e re do të jenë intensive.

“Menaxhimi i gjithë këtij procesi për këto 30 ditë besoj se do të jetë sfidë më vete. Administrimi i tyre duke nisur nga komisioni, verifikimi I tyre duke nisur nga problematikat që kanë lidhje me transparencën”, thotë Zguri.

Mesazhet e urimit kanë qenë të shumta, mes tyre edhe porositë nga paraardhësi Denar Biba.

“E bëmë njerëzishëm. Zhvilluam që dje një bisedë përpara se të bëhej votimi në parlament. Më tha aq sa ai mendoi se duhet të më thotë, për mënyrën sesi ishin gjërat pastaj tjetër gjë është të jesh anëtar dhe tjetër gjë të jesh titullar i një institucioni. Për aq sa ai e vlerësoi, më vuri në dijeni për gjërat. Sigurisht që unë nuk vij nga jashtë dhe i kuptoj gjërat, nuk kam vështirësi. Ndërsa sot mblodha stafin, fillimisht administratën zgjedhore. Porosia e parë ishte që ne kemi një sfidë përpara dhe një punë që duhet ta bëjmë bashkërisht”, shprehet Klement Zguri.

Klement Zguri e ka të qartë sesi do ta drejtojë Komision Zgjedhor.

“Është kodi zgjedhor dhe kushtetuta, dy referencat pa të cilat një institucion nuk bën dot”, shprehet kryetari i KQZ.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button