Krifca: 500 mijë euro për ndërtimin e fermave të reja dhe bimët mjekësore
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në takimin sot në agroturizëm “Hysaj”, Gruemirë vuri theksin te mbështetja që i ka bërë Ministria e Bujqësisë sipërmarrësve që merren me bimë medicinale.
Në fjalën e saj gjatë këtij takimi ku i pranishëm është dhe kryeministri Edi Rama, Krifca tha se në Malësinë e Madhe ka njerëz që punojnë në bujqësi, bimët medicinale ku mbi 75 e bimëve mjekësore aromatike vijnë pikërisht nga Malësia e Madhe.
“Përmes vëmendjes që ka patur Ministria e Bujqësisë, së fundmi ju i keni shtuar këto sipërfaqe të kultivuara. Keni pasur mundësinë të orientonim prodhim të certifikuar dhe ajo që ka bërë tërësisht shtimin e vlerës së këtij produkti në Malësi te Madhe ka qenë mbështetja financiare që ne kemi ofruar për ndërtimin e pikave të grumbullimit të bimëve medicinale por dhe linjave të përpunimit të cilat kanë sjellë jo vetëm përmirësim të kapaciteteve ruajtëse, seleksionuese, distiluese në mënyrë që ne të mos eksportojmë dot më vetëm bimë medicinale po të eksportojmë vajin, produkte finale në mënyrë që vlera e shtuar të qëndrojë në ekonominë e Malësisë së Madhe”, tha ajo.
Krifca tha se,”e kemi hequr masën e mbjelljeve së bimëve medicinale nga skema kombëtarë. E kemi hequr se pse e kemi futur të IPARD, sikundër nuk e kishim në IPARD II, në IPARD III jemi munduar me shumë negociata me Bashkimin Evropian që jo vetëm të vendosim të mbështesim deri në 500 mijë euro për ndërtimin e fermave të reja dhe kultivimin e bimëve mjekësore aromatike, por dhe të adresojmë një çështje e përpunimit të bimëve mjekësore aromatike dhe fabrikave të mëdha ku mund të marrin pjesë kompanitë e mëdha me xhiro deri në 12 milionë euro”.
“Shoh këtu përfitues të mekanikës bujqësore që ka bërë të mundur transformimin e produktiviteti në ferma jo vetëm të bimëve mjekësore aromatike. Ne 10% të eksporteve bujqësore janë nga bimët mjekësore mediciinale”, tha Krifca.
Krifca tha se vjet mbyllëm një vit të suksesshëm për bujqësinë, i cili ishte një vit sfidues që pati një ndërprerje të zinxhirëve prodhues, transportues në të gjithë botën. Ne ia dolëm falë punës së fermerëve tanë, përpunuesve të cilët ata vazhduan të punojnë dhe ne vazhduam ti mbështesim.
“I mbështetëm me 2.5 herë më shumë nga buxheti i shtetit në mbështetje të këtyre prodhuese në mbështetje të uljen së kostove të prodhimit. Të njëjtë gjë bëjmë edhe këtë vit. Ndërkohë që lëvrojmë skemë kombëtare të mbështetjes dhe javën tjetër fillon shpërndarja e kartës së naftës. Në Malësinë e madhe ne kemi 100% të aplikantëve të naftës, dhe 900 që kanë aplikuat 900 do e marrin atë. 19 subjekte vetëm nga programi IPARD nga 2019 kur filloi dhe deri më tani janë përfitues të këtij programi, bëhet fjalë për 7 milionë euro që kanë ndodhur në mekanika bujqësore, fabrikë përpunimi. Vetëm në Malësi të Madhe janë 6 subjekte turistike”, tha ajo.
Krifca shtoi se agroturizmi është një pikë e fortë kthese e strategjisë që ne kemi për të sjellë mirëqenie në zonat më të thella të vendit.
“Agroturizmi me shembujt e vet të suksesit ka sjellë vizitorë nga Tirana dhe turistë nga e gjithë bota në bujtina me standarde të mirëqenies”, tha ajo.