Krifca në Vlorë: Taskforca e AKU-së në 1500 inspektime 3% raste me shkeljes të sigurisë ushqimore
Taskforca për sigurinë ushqimore vijon monitorimin në të gjithë subjektet që ofrojnë produkte ushqimore, për garantimin e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të konsumatorëve vendas e të huaj.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ishte sot në Vlorë, bashkë me ekipin e taskforcës së ngritur nga AKU dhe kryebasjkiakun e Vlorës, Ermal Dredha, për të parë nga afër, ecurinë e punës në garantimin e sigurisë ushqimore përgjatë sezonit veror, ku konsumi është dhe më i lartë.
Në fjalën e saj, Krifca siguroi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vijuar planin e punës i fokusuar aty ku flukset e vizitorëve e turistëve janë më të shtuara.
“Në kushtet e një fluksi të shtuar turistësh dhe pushuesish, nevoja për respektimin e rregullave të sigurisë ushqimore bëhen shumë më e rëndësishme. Në javën e shtatë të aksionit që kemi ndërmarrë me taskforcën e AKU-së, me fokus kryesor të gjitha zonat turistike të Shqipërisë, jemi për të parë dhe monitoruar respektimin e sigurisë ushqimore në të gjithë zinxhirin e ofrimit të ushqimit, qofshin këto, subjekte fast food-e, magazinave apo njësive tregatre”, tha Krifca.
Ministrja vuri në dukje se, inspektorët gjatë këtij procesi kanë parë dhe biseduar nga afër me subjektet tregtare të ushqimit, për këtë nismë të re të AKU-së, të taskforcës, që ka një vëmendje të shtuar veçanërisht tani, gjatë sezonit veror, në kushtet e rritjes së konsumit, me objektiv këshillimin për respektimit e ligjit për ushqimit. Por, njëherazi, vijoi Krifca, me tolerancë zero ndaj atyre që shkelin ligjin e sigurisë ushqimore, madje duke i referuar rastet edhe në prokurori, ashtu sikurse është bërë në disa raste.
Krifca bëri të ditur se në qarkun e Vlorës, janë konstatur problematika në një subjekt fast food-i në zonën e Dhërmiut, ku është evidentuar shkelje me fshirjen e etiketave dhe afateve të skadencës,
“Kjo është shkelje e rëndë e ligjit për ushqimin dhe ne nuk të tolerojmë askënd që cenon sigurinë ushqimore të konsumatorëve. Në totalin e 1500 inspektimeve që ne kemi kryer në territor gjatë sezonit turistik, vetëm 3 % e rasteve kanë rezultuar me shkelje të rregullave dhe standardeve të kërkuara të sigurisë ushqimore”, tha ministrja.
Krifca vuri në dukje se përmes këshillimit që po zhvillohet në të gjithë vendin me subjektet ushqimore, synohet të reduktohen më tej problematikat që cenojnë sigurinë ushqimore.
Kryetari i bashkisë Vlorë, Dredha, tha se fokus i taskfocës ka qenë jo vetëm kontrolli i subjekteve për respektimin e ligjit për ushqimin, por edhe i vlerësimit të cilësisë së ofrimit të shërbimeve, si vlerë e shtuar në standardet e sigurisë ushqimore.
Ai tha se, konstatimi i shklejve në subjektet tregtare për sigurinë ushimore është në nivele shumë të ulta dhe ky është një lajm i mirë për rritjen e sigurisë ushqimore në të gjithë zinzhirin ushqimor për qarkun e Vlorës, veçanërisht në sezonin e verës, ku fluksi i konsumatorëve shumëfishohet.