Krijimi i Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, Kumbaro: Sistem i modernizuar që i përgjigjet standardeve ndërkombëtare dhe epokës digjitale
Është nënshkruar një marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me qëllim modernizimin e sistemeve të vlerësimit në Agjencinë e re Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, duke u përafruar me standardet ndërkombëtare dhe ritmet e epokës digjitale në arsim, përmes ekspertizës së Universitetit të Kembrixhit.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, theksoi se përdoruesit e shërbimeve që ofrohen aktualisht nga Qendra e Shërbimeve Arsimore kanë nevojë për zgjerim, jo vetëm në kapacitete, por edhe për një qasje të re që reformon shërbimet dhe modernizon sistemet në përputhje me zhvillimet teknologjike në arsim. Ajo shtoi se ky transformim po realizohet përmes modelit të Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, me fokus rritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe krijimin e një sektori që synon ta pozicionojë Shqipërinë si një pol rajonal në këtë fushë.
“Përdoruesit e shërbimeve që aktualisht ofrohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore kanë nevojë për zgjerim, jo vetëm i kapaciteteve, por flasim për një qasje të re që përtej infrastrukturës reformon shërbimet dhe modernizon sistemet duke iu përgjigjur ritmeve që dikton teknologjia në arsim.
Nga vëllimi i aktiviteteve që kryhen sot, ofrojmë mbi 158 mijë shërbime në vit nga qendra e shërbimeve arsimore. Nevoja për standardizim, transparencë dhe integritet dhe zgjerimin e portofolit të shërbimeve kërkon një sistem më të modernizuar që i përgjigjet standardeve ndërkombëtare.
Kjo kërkon një model më të avancuar dhe këtë e kemi projektuar me modelin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore. Në fokus është rritja e cilësisë në arsimin e lartë dhe krijimi i një sektori që projekton Shqipërinë si një pol rajonal në këto fusha”, tha Kumbaro.
Ministrja theksoi se rritja e cilësisë, besueshmërisë dhe modernizimi i sistemit të shërbimeve arsimore janë në fokus të këtij bashkëpunimi. Sipas saj, kapitujt me Bashkimin Europian për arsimin janë ndër të parët që pritet të mbyllen në procesin e negociatave, falë edhe këtij bashkëpunimi.
“Kembrixh do të skanojë të gjitha problematikat e sistemit dhe administrimin e sallave të provimeve sipas standardeve të tij për sigurinë, survejimin me kamera dhe do të jenë pjesë e godinës së re të Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore. Rritja e cilësisë, besueshmërisë dhe modernizimi i sistemit të shërbimeve arsimore në vendin tonë është në fokus të këtij bashkëpunimi.
Kapitujt me BE për arsimin janë dy kapitujt e parë që do të mbyllen në procesin e negociatave falë edhe këtij bashkëpunimi”, tha Kumbaro.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.