Opinion

Krim ose revolucion?

Nga Fadil Lepaja

Krim ose revolucion? Do të pajtoheni se kjo nuk është ndonjë alternativë për të qenë.

Nejse, si e pamë nga mediat tona, të cilat me sadizëm nuk fshehin asgjë, Edi Rama, kreu i politikës shqiptare, prapë, u paraqit aty ku arti dhe politika lidhen me të njëjtën kollare, lara-lara. Pra, te “Vrima”! I ndau çmimin e parë autores, për përmbledhjen me poezi, të shpallur për më të mirën e vitit 2014. Në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, kishte reagime, madje edhe mospranim. Punë e madhe, do të thotë dikush, duke injoruar një shkrim të një kritiku të ri, gjithsesi të talentuar, për kulturën e përbashkët. Pastaj, kush mund ta mësojë Edin … për artin. Kështu, për disa, kjo përmbledhje e shpërblyer ishte paksa iluministe, e për disa veç 18+.

Nuk është se ne shqiptarët nuk dinim gjë për “këto” punë, por disave këndej u “ra kresë” kjo lidhje frojdiane në mes artit dhe politikës, duke pastruar krejtësisht me këtë rast vetë personazhet. Me këtë rast e zbuluam edhe një kompleks të ri shqiptarë: kompleksin e ikjes me çdo kusht nga kompleksi. Të mos e marrë vesh askush se ne jemi… eh, kushedi çka jemi. Ruena Zot…! Nuk jemi unik, jemi europian! Edhe nuk kemi frikë nga striptizmi politik… le të dihet.

Nejse, edhe pse jo krejtësisht të virgjër, duhet pranuar se këto “dialogët rreth vaginës” të fusin në një luftë kulturore me vetveten, me traditën edhe pse jemi populli që shtohet më së shpejti në kontinent. Pastaj i kemi gjithë ato këngë erotike të pambledhura ende… por lëre se kjo nuk shpjegohet, pa politikën tonë.

Pastaj, krejt kjo të vë në konflikt edhe me të ardhmen. Tash emancipim, për dikë do të thotë të mbulohesh krejt, sidomos femra, si dikur, në të zeza, pa ngjyra. Sepse ngjyrat në trupin e femrës, sidomos nudo, janë haram. Veç në parajsë mund të ecet nudo, dhe ne jemi “parajsë” apo jo?

Por, të ecësh nudo, nuk është legjitime vetëm në parajsë. A nuk “ecim të gjithë lakuriq nën rrobat tona”? Popull, që debatin me vetveten e ka sport… lëre fare.

Të dashur miq, sot nuk po rrëfej për çështje …të “Vrimës”. Tema e sotme, është lakuriq, gjithsesi. Është politikë. Nudo. Nudo, sikur vetë Edi në ato fotot e famshme të postuara në rrjet, të shkrepura në plazhet, atëherë ende të virgjëra të kombit. Sikur thoshte, me mua gjithnjë e dini çka fsheh nën rroba. Ndoshta për këtë populli e besoi. Edi pa “gjeth”!

Kur jemi te politika, Kosova është në udhëkryq, krejtësisht lakuriq. Mesazhet, e politikës shqiptare për Kosovën janë vetëkritike: mos e kopjoni modelin tonë nudo, porosisin. E mesazhet e miqve ndërkombëtarë janë të mos fshihemi prapa rrobave tradicionale, fetare, apo edhe uniformave… dhe të harrojmë. Por, nuk harrojmë dot.

Kështu, politika kosovare është zhveshur krejt. Cullak, si thuhet këtej. Në një shtrat flenë shteti, pushteti, krimi, i organizuar (ai i paorganizuar nuk fle se nuk e lënë), mediat, kultura, shoqëria civile, bizneset. Vendorë dhe ndërkombëtarë. Pozitë dhe opozitë. Lojë e kontrolluar në grup, nga e cila opozita po përpiqet me ikë, në revolucion. E populli prej marres i ka mbyllë sytë…!

Natyrisht, për me i ikë keqkuptimit, ju lutem që për krejt ngjarjet në Kosovë, fjala “lakuriq” të kuptohet veç si metaforë, sepse politikanët tanë janë seriozë, pastaj as deputetët nuk po i zhveshin lakuriq, në punktin e kontrollit në hyrje të Parlamentit, ashtu si bëjnë ndonjëherë me krimin nëpër dogana model, edhe pse duhet pranuar se po u fusin duart… deputetëve. Ka disa që refuzojnë, për shembull, t’u futen duart e shtetit në “ambiente private”, por ata i shoqërojnë me detyrim në dhoma përkatëse. Nëse jo imunitet, atëherë nëse insistoni, shteti ofron intimitet.

Siguria, është më e rëndësishme se privatësia, mendon politika, pastaj edhe qytetarët, të cilët krejt këtë po e përcjellin nga ekranet, tashmë po shprehin dyshime se si po kontrabandohet lotsjellësi në Parlament. Përse po qan politika?

Ajo çka shqetëson, gjithsesi nuk është lakuriqësia, sepse e vërteta lakuriq, nuk është opsioni më i keq, por më e keqja është se askush nuk ka ofertë që do të pranohej gjerësisht lidhur me daljen nga kriza. Kështu fajtorët për situatën të gjithë lëvizin lirshëm nëpër kontinent, me pasaporta diplomatike apo viza biznesi, dhe me të cilët BE përqafohet, ndërkohë që populli është mbyllur në karantinë. Populli e ka pranuar fajësinë. Ai ka lejuar…!

Ndërkaq, kur flasim për ofertën, opozita ofron revolucion dhe gijotinën (gjithnjë në kuptimin metaforik). Koalicioni ofron nënshtrim të plotë pa kushte ndaj miqve, ndërkohë që qytetaria, e cila ende ka mbetur këndej, po shikon punët e veta dhe po mbijeton si po mundet.

Suma Sumarum, opozita e cila në mënyrë ultimative po kërkon prishjen e marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE, edhe me kusht të prishjes me BE, nuk po duket aspak që ka përkrahje të gjerë qytetare. Nuk po pëlqehet edhe fakti se po i fryn zjarrit, i cili tani për tani po djeg vetëm vetura me “3Z” dhe ndonjë kontejner… por askush nuk e di se ku do të ndalet.

Pozita, është e bindur se do të fitojë sërish në zgjedhje, pas vetëvrasjes politike të opozitës. Shoqëria civile, prej nga tradicionalisht dalin alternativat në Kosovë, të cilat sipas zakonit dështojnë, sërish po klith prej dhembjeve të lindjes së diçkaje alternative, por prognozat janë krejtësisht të pavolitshme edhe përkundër involvimit të diasporës shqiptare.

Çka pra? Si të dilet nga rrethi vicioz i politikës kosovare, ku mediat e oligarkisë, apo ato publike që pak a shumë i bie njëjtë, pasi që edhe publiken e kanë “kapur”, çdo përpjekje për ndryshime arrijnë ta shpallin antieruopiane? Gjithsesi heqja e imunitetit për zyrtarët ndërkombëtarë jashtë ambasadave, do të shtonte përgjegjësinë e tyre dhe do të parandalonte që koalicioni i krimit të marrë edhe përmasa ndërkombëtare.

Ajo çka nuk po vërehet nga analizat është se në krejt akuzat, për kapjen e shtetit, dhe shoqërisë madje, nga dy partitë e mëdha të koalicionit, të cilat edhe kanë besimin më të madh të qytetarëve, sipas parimit bashkë me ujin e papastër të hidhet edhe fëmija, po mohohet ai potencial i madh, për ndryshime që kanë në vete këto dy parti. Pra, dilema ime, themelore nuk është ajo që po shtrohet me imponim, pra pozitë-opozitë, por a janë të reformueshme dy partitë më të mëdha ku aderojnë pjesa dërmuese e intelektualëve, njerëzve më kreativë dhe më profesionistë e pse jo edhe idealistëve të këtij vendi? Kjo pyetje mund të shtrohet edhe për partitë opozitare, të cilat po ashtu janë të “kapura” nga individë dhe klane autoritare, dhe deputetët e tyre më nuk përfaqësojnë qytetarët, por klanet apo qendrat ideologjike.

Ajo që është e panegociueshme është se sistemi zgjedhor duhet të sigurojë llogaridhënien para zgjedhësve, dhe të thyejë monopolin e klaneve nëpër parti. Në vend që partitë të luftojnë për votën e qytetarit, ato janë shndërruar në vegla të krimit.

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, që ndonjë parti e zhvillon kundër tjetrës, duket tragjikomike, sepse përkundër asaj që duket në sipërfaqe nga kjo janë përfshirë të gjitha partitë e pozitës dhe opozitës.

Kjo luftë po zhvillohet edhe në opozitë edhe në pozitë dhe vijat publike të miqësive dhe armiqësive nuk janë aspak reale. Armiqtë publikë bëjnë biznese dhe konspiracione bashkë, ndërkohë që miqtë shpesh luftojnë nën sipërfaqen e politikës, sikur në ndonjë lojë finale në vaterpolo.

Pra, më parë se të zbulohet një subjekt i ri politik me figura marionete, të cilat prapë do të dështojnë si të gjitha marionetat, mendoj se duhet iluminuar qytetaria për një reformim të sistemit zgjedhor dhe të partive aktuale të cilat, në parim, dhe programe nuk kanë shumë të sharë, sa kanë problem me informalitetin në radhët e tyre, i cili sipas parimit lidhet nyje në kokën e tyre. Elitat dhe klanet po i shfrytëzojnë partitë për pasurim, krim, korrupsion.

Përmes partive, të gjithë janë vënë në shërbim të oligarkisë, në vend se të gjithë të jenë në shërbim të qytetarit. Aktualisht, qytetarët të pakënaqur me krimin që ka kapur shtetin dhe opozitën që po e “djeg” shtetin, po refuzojnë të pranojnë alternativën e ferrit: krim ose revolucion!

Alternativë e vetme duket një qeveri teknike, e cila do të reformonte sistemin zgjedhor, duke e vënë në qendër qytetarin, dhe deputetët në Parlament të përfaqësonin vërtet qytetarin e jo klanet e partive.

Kjo do të nxiste brenda partive luftën e qytetarisë kundër oligarkëve dhe klaneve dhe kjo mbase do të ndërronte modelin e tashëm të qeverisjes përmes krizave dhe konflikteve.

Politika shqiptare padyshim është nudo andej dhe këndej. Derisa andej thuhet se kjo ka të bëjë edhe me art dhe eros, këndej ka mbizotëruar instinkti i vdekjes. Shteti po digjet qeveria po krihet.

“Hiqi brekët dhe shih mes kofshëve…” është thirrja poetike, e shpërblyer, e cila e bashkon artin dhe qeverinë në Tiranë, ndërkohë që arti këndej nuk përzihet në politikë. As seksi. Situata është serioze…!

Më tepër do të shkonte ajo lasgushiane: “Me zjarr ju flas, me zjarr…” edhe pse në kontekst tjetër. Fjalimet e zjarrta të liderëve të opozitës dhe arroganca e klaneve në pushtet, po i vejnë shtetit…zjarrin.

Cila është dilema jote… Europë?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button