Kriza e refugjatëve, ministri Tahiri në Selanik: Të bashkëpunojmë më shumë se më parë
Në Selanik të Greqisë po mbahet Samiti dyditor i ministrave të Brendshëm e të Jashtëm të rajonit (Shqipërisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë) lidhur me çështjen e refugjatëve.
Në takim, ku marrin pjesë edhe zyrtarë të Komisionit Europian dhe ministrisë së Jashtme të Holandës (vendi që mban presidencën e Këshillit të BE-s), qeveria shqiptare përfaqësohet nga ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.
Ne nje prononcim për mediat, ministri Tahiri pas takimit u shpreh se të gjithë bashkë jemi të dënuar për të bashkëpunuar shumë më shumë nga ç’ kemi bërë deri tani. “Çdo motiv që kemi pasur për mos të bashkëpunuar përballë sfidës së refugjatëve kthehet në zero, e na ve përpara detyrimit që në mënyrë intensive të bashkëpunojmë fillimisht për të shkëmbyer informacion; për monitorimin dhe menaxhimin e përbashkët të kufirit ndërmjet vendeve kufitare si dhe për shkëmbimin e elementëve të sigurisë që duhet të ndërmarrim në kuadër të krizës së refugjatëve”, është shprehur Tahiri.
Ministri i Punëve të Brendshme njoftoi edhe një dakordësi të arritur nga palët gjatë takimit. “Ramë dakord që kjo është një krizë që duhet përballur në nivel europian dhe rajonal, për t’ iu përgjigjur me solidaritet e humanizëm domosdoshmërisë në fjalë. E nga ana tjetër, po bashkërisht të përballemi me sfidën e garantimit të sigurisë duke bërë ç’është e mundur që në cilindo prej vendeve europiane apo të rajonit, elementë radikalë e terroristë të mos penetrojnë nëpërmjet krizës së refugjatëve, duke venë në rrezik vlerat, të cilat ne mbrojmë në Shqipëri, rajon dhe më gjerë”, përfundoi ministri Tahiri.