Kryelajmi që nuk u ble nga zyra e komunikimit të kryeministrit

Ka 23 ditë që në Tiranë po ndodh diçka që nuk e kam parë prej shumë kohësh. Nuk flas për protestën. Flas për njerëzit.
Njerëz që buzëqeshin.
Njerëz që flasin me njëri-tjetrin. Njerëz që ndalojnë për të përshëndetur dikë që nuk e kanë parë prej vitesh.
Njerëz që diskutojnë për të ardhmen dhe jo vetëm për ikjen.
Për herë të parë pas shumë kohësh, në këtë qytet po shoh njerëz që duken sikur besojnë se fjala e tyre ka ende peshë.
Dhe pikërisht duke parë këtë energji, kam kuptuar se ajo që shohim çdo mbrëmje në bulevard është vetëm maja e ajsbergut.
Njerëzit nuk po vijnë thjesht në protestë. Po organizojnë jetën e tyre rreth saj.
Një ditë vjen burri, ditën tjetër gruaja. Njëri qëndron disa orë dhe largohet që të kujdeset për fëmijët, pastaj vjen tjetri.
Disa vijnë pas pune. Të tjerë para pune.
Disa qëndrojnë pak dhe kthehen përsëri të nesërmen.
Disa vijnë vetëm në marshim. Të tjerë presin t’u kalojë marshimi pranë pallatit dhe dalin për një copë herë.
Protesta duket sikur funksionon me turne.
Dhe pikërisht kjo më ka bindur se ajo që shohim në rrugë është vetëm një pjesë e vogël e asaj që po ndodh.
Sepse protesta nuk është vetëm turma që shohim. Protesta është edhe turma që nuk e shohim.
Janë njerëzit në administratën publike që bien dakord me shumë nga ato që thuhen aty, por që nuk guxojnë të dalin.
Jo sepse nuk duan, por sepse e dinë që vendi i punës në këtë vend shpesh varet nga bindja dhe jo nga aftësitë e tyre.
Janë punonjësit e kompanive që sot janë sekuestruar, nesër mund të sekuestrohen, ose që prej muajsh jetojnë me pasigurinë se çfarë do të ndodhë me vendin e tyre të punës. Janë familjet e tyre.
Janë bizneset që nuk flasin, sepse kanë frikën e inspektorëve te dera.
Janë profesionistët që nuk flasin, sepse dikush nga drejtuesit e kompanisë ua ka dhënë mesazhin e qartë se fati i kompanisë dhe i tyre varet nga kjo qeveri.
Janë njerëzit që nuk protestojnë sepse kanë frikë të protestojnë.
Pakënaqësia për atë që po i ndodh këtij vendi nuk mungon në qytetet ku në protestë del vetëm një njeri. Nuk mngon në administratë. Nuk mungo në biznese.
Ajo thjesht nuk shihet. Prej frikës.
Dhe pikërisht për këtë arsye, numri i njerëzve në shesh nuk tregon madhësinë e pakënaqësisë.
Në vende ku njerëzit kanë frikë për vendin e punës, për kontratën, për biznesin apo për të ardhmen e familjes së tyre, pakënaqësia fshihet. Në vende ku njerëzit ndihen të lirë, pakënaqësia shfaqet lehtë
Kryeministri ka zgjedhur ta shpjegojë këtë protestë në çdo mënyrë të mundshme, përveç asaj që lidhet me të dhe me qeverisjen e tij.
Ditët e fundit kemi dëgjuar teori nga më të ndryshmet, deri te pretendimi se në Tiranë po luhet një pjesë e rëndësishme e gjeopolitikës globale.
Edhe mund të ndodhë. Ëndrra janë…
Mund të ketë interesa politike, ekonomike apo ndërkombëtare që ndërthuren me atë që po ndodh.
Historia është plot me shembuj ku konflikte më të mëdha se vetë vendet janë reflektuar në beteja lokale.
E megjithatë, ka një element që asnjë teori gjeopolitike nuk arrin ta shpjegojë, energjinë e kësaj proteste.
Sepse njerëzit mund të organizohen, mund të mobilizohen dhe madje mund të nxiten për shumë arsye.
Por askush nuk mund të importojë në bulevard zhgënjimin e një shoqërie.
Askush nuk mund të krijojë artificialisht ndjesinë e padrejtësisë, lodhjen, mosbesimin dhe frustrimin që janë grumbulluar për vite me radhë.
Këto ose ekzistojnë, ose nuk ekzistojnë.
Dhe ndoshta pikërisht sepse kjo energji është e vërtetë, protesta ka filluar të prodhojë diçka që shkon përtej bulevardit. Ka filluar të tërheqë vëmendje.
Jo vetëm në Tiranë, por edhe jashtë saj. Jo vetëm tek ata që protestojnë, por edhe tek ata që prej vitesh e kanë parë Shqipërinë përmes historive të kuruara me kujdes nga makineria e komunikimit shtetëror.
Dhe pikërisht këtu qëndron ironia më e madhe e gjithë kësaj historie.
Për më shumë se një dekadë, kjo qeveri ka investuar energji, kohë dhe para të panumërta nga buxheti i shtetit për ta bërë Shqipërinë lajm ndërkombëtar.
Janë paguar kompani komunikimi, janë organizuar samite, janë prodhuar fushata promovimi, janë blerë hapësira mediatike dhe janë ndërtuar me kujdes histori suksesi për konsum ndërkombëtar.
Për vite me radhë kemi parë Shqipërinë e fasadës që i kemi prezantuar botës.
Kemi parë Shqipërinë e transformimit, të mrekullisë digjitale dhe të historive që duhej të pushtonin faqet e para të gazetave të botës. Kemi parë deri edhe “Diellën” të shndërrohej në simbol të Shqipërisë së re dhe moderne.
E megjithatë, asnjëra prej këtyre nuk arriti atë që po arrin sot protesta.
Sot Shqipëria është sërish në faqet e para të mediave ndërkombëtare.
Vetëm se këtë herë nuk është aty falë një kontrate komunikimi, një kompanie lobimi apo një fushate marketingu.
Është aty sepse mijëra qytetarë kanë krijuar një histori që nuk mund të blihet dhe nuk mund të kontrollohet.
Nëse kryeministri ka të drejtë dhe e gjithë gjeopolitika globale po luhet sot në Tiranë, atëherë duhet pranuar se ia doli më në fund.
Ëndrra për t’u bërë kryelajm ndërkombëtar u realizua.
Vetëm se për herë të parë pas shumë vitesh, për këtë reklamë nuk pagoi asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit.
E paguan qytetarët me kohën e tyre, me këmbënguljen e tyre, me netët e tyre në bulevard dhe me guximin e tyre për të mos u larguar.
Dhe kjo është ndoshta arsyeja pse kjo histori po lexohet kudo.
O sa mirë me qenë shqiptar!




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.