Abdixhiku pas takimit me Kurtin: U pajtuam në parim për profilin e presidentit të ardhshëm
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se LDK-ja do të jetë pjesë e përfaqësimit institucional dhe faktor në përpjekjet për zgjidhjen e krizës kushtetuese dhe krijimin e institucioneve.
Abdixhiku tha se në takim është diskutuar për kriteret dhe profilin e presidentit apo presidentes së ardhshme të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, palët janë pajtuar në parim për profilin që duhet të ketë presidenti i ardhshëm, duke theksuar se LDK-ja nuk mbështet një president partiak, por një figurë të respektuar që mund të përfaqësojë unitetin politik të vendit.
“LDK-ja do të jetë pjesë e përfaqësimit institucional dhe do të jetë faktor për zgjidhjen e mundshme të krizës kushtetuese apo të krijimit të institucioneve. Në këtë pikë po diskutojmë për kriteret dhe profilin potencial të presidentit apo presidentes së ardhshme të Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se figura e ardhshme në krye të Presidencës duhet të jetë në përputhje me orientimin pro-perëndimor dhe vlerat që, sipas tij, duhet të përfaqësojë shteti.
“U pajtuam në parim për këtë profil, se si duhet të duket presidenti ose presidentja e ardhshme. Ky person jo vetëm në orientimin tonë pro-perëndimor, por edhe në vlerat për të cilat ne do të qëndrojmë, një president që e do Republikën, e mbron Republikën, ushtron demokracinë në mënyrë të mjaftueshme dhe një figurë që ushtron unitetin politik ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta e Kosovës”, deklaroi ai.
Abdixhiku përsëriti se LDK-ja nuk dëshiron që presidenti i ardhshëm të jetë figurë partiake, por një person i respektuar dhe me integritet për të ushtruar funksionin më të lartë shtetëror.
“Pra, nuk duam një president partiak, por një figurë e cila është e respektuar dhe ushtron me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së shtoi se Kosova ka figura që mund ta përmbushin një profil të tillë, por se para propozimit të emrave konkretë do të zhvillohen diskutime të brendshme në subjektet politike dhe konsultime me shoqërinë.
“Jam i bindur se Kosova ka figura të tilla, por kjo është një temë shumë sensibile dhe kërkuam një periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative edhe me shoqërinë në secilën mënyrë të vet, para se të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme”, tha ai.
Abdixhiku theksoi se mundësia për arritjen e një marrëveshjeje për presidentin mbetet e hapur dhe se, sipas tij, ende ka kohë për diskutime.
Ai tha gjithashtu se LDK-ja nuk kërkon përfitime politike në këmbim të mbështetjes për zgjidhjen e çështjes së presidentit, por synon stabilitet institucional.
“LDK-ja nuk kërkon asgjë mbrapa, domethënë vetëm stabilitet institucional, në mënyrë që Kosova të ketë një lloj qetësie të kërkuar e të mundshme”, deklaroi Abdixhiku.
Takimi mes Abdixhikut dhe Kurtit ishte pjesë e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe për të shmangur thellimin e krizës institucionale./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.